Fëmijë i prindërve të divorcuar. A kemi një prindërim të përgjegjshëm? - Business Magazine Albania

Fëmijë i prindërve të divorcuar. A kemi një prindërim të përgjegjshëm?

Fëmijë i prindërve të divorcuar

A mund të mos shkruaj kur klientja më beson një situatë kaq të rënduar me të cilën ka jetuar 18 vjet?

Dialogu mes nënës dhe asaj.

”Dua të takoj babain. Dua të njoh vetë babain tim”.

”Jo, ti nuk do ta takosh dhe as nuk do ta njohësh atë maskara”.

Ajo vajzë është rritur që në moshën 3 vjeçare me këto fjalë: “Nuk do ta takosh atë maskara!”

Raste të tilla nuk janë sporadike. Fatkeqësisht në rastet e divorceve, sipas statistikave, është fakt i pamohueshëm që janë shumë më të shpeshta se para disa dekadave.

Kur vazhdoj më tej të dëgjoj historinë e kësaj zonjushe 22 vjeçare, më kujtohen dhe shumë histori të tjera, të cilat i kam parë edhe vetë qysh para 25 vjetësh, kur gjyshet apo nënat i përdornin, apo vazhdojnë t’i përdorin fëmijët si kanal për të filtruar traumat dhe pakënaqësitë e jetës së tyre.

Me këtë nuk dua të them që nuk ka raste kur është e nevojshme që fëmijët të jenë larg babait të tyre, ashtu si ka edhe raste kur është domosdoshmëri të jenë larg nënës. Por, kur këto arsye nuk qëndrojnë, dëmi që u bëhet fëmijëve, duke i mbajtur ‘me dhunë’ larg, është shumë më i madh. 

Asnjë prind nuk mund t’i lejojë vetes që problemet e veta t’ia kalojë fëmijës.

Jam ndeshur edhe me prindër që u thonë fëmijëve: ‘Unë kam sakrifikuar rininë time, studimet apo punën për ju!’ Në këto raste flet trauma, flasin problemt e tyre të paprocesuara. Nuk është as e drejtë dhe as morale, që paaftësinë, përgjegjësinë për X, Y vendime, t’ua kalojmë fëmijëve.

Jeta ka dy kahe të kundërta.

Mes njërit kah dhe tjetrit, ka ngjyra dhe hije të ndryshme.

Varet nga secili individ se çfarë zgjedh. Por, gjithmonë, për zgjedhjet dhe vendimet, merret përgjegjësia, secili merr përgjegjësinë e tij. Disa zgjedhin justifikimet se pse ata/ato veprojnë apo sillen kështu, shpesh duke thënë: ‘Kam traumat e mia’, ‘E kanë faj prindërit e mi.’, ‘Ka faj ai maskarai që më la.’, e të tjera, e të tjera justfikime.

Është e vërtetë që mund të na bëhen shumë padrejtësi. Wshtw e vërtetë që dikush ka pasur prindër, mësues, gjyshër apo partner/-re, shumë toksik, negativw, të dhunshëm, por të vazhdojnë me justifikimin, sepse ashtu dikush ‘i ka edukuar apo trajtuar’, është zgjedhje që vazhdojnë ta bëjnë në mënyrë të vetëdijshme.

Njeriu e ka të vështirë të ndryshojë. Jo sepse ai nuk e do ndryshimin apo sepse nuk mundet, por sepse edhe kur merr një vendim apo fillon diçka nuk insiston mjaft, sepse shpesh, atëhere kur gjithçka përmbyset, apo atëherw kur gjërat nuk shkojnë ashtu si ata presin apo mendojnë, është shumë e vështirë të shikosh dritë në fund të tunelit.

Si e përjetojnë fëmijët divorcin dhe gjithë situatën.

Një nga fenomenet më të përhapura është etiketimi që i bëhet asaj nëne ose atij zotërie që mund të ketë marrë vendimin për t’u divorcuar, etiketim që vjen si nga familjarët e të dy palëve apo edhe nga ata që i konsideronin miq, të cilët pas divorcit zakonisht mbajnë krahun e një pale.

Fëmijët e prindërve të divorcuar vuajnë, jo vetëm faktin e ndarjes së prindërve, por edhe shkëputjen nga bashkëmoshatarët e tyre, fëmijët e miqve të përbashkët, me të cilët ndoshta kanë kaluar bashkë mbrëmje dhe fundjava, apo edhe pushimet.

Pjesa tjetër është lufta në gjykatë për ndarjen e pasurisë së përbashkët, makinës apo çfarëdo që mund të kenë, si dhe lufta ku zakonisht prindit që i takon të paguajë për fëmijën, bën gjithçka që të paguajë sa më pak ose aspak, luftë që vazhdon edhe më tej.

Në shumicën rasteve, të dy prindërit këto probleme i procesojnë nëpërmjet fëmijëve. Fëmija, edhe në këtë rast, përveç gjërave të tjera, ndeshet edhe me mungesën financiare. Por, më e keqja, ai ndihet i braktisur.

Janë shumë të rralla rastet kur prindërit ndahen pa luftë, pa zhurmë. Janë shumë të rralla rastet kur ata ruajnë edhe më vonë marrëdhënie normale, në mënyrë që fëmijëve t’u ofrojnë një jetë apo kushte normale.

Në rastet kur kemi të bëjmë me prindër të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, pavarësisht se jetojnë në adresa të ndryshme, pavarësisht se mund ta fillojnë jetën nga e para, sillen shumë korrekt dhe vazhdojnë të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Kjo është një vlerë e shtuar për ata dhe për fëmijët e tyre. Me këtë marrje përgjegjësie fëmijët kanë shumë mundësi të jetojnë një jetë pa shumë ulje-ngritje, pa probleme psikologjike, (gjë që shumicën e rasteve nuk ndodh, pasi vetë prindërit e përdorin fëmijën si një mjet për të plotësuar egoizmin apo pakënaqësitë e tyre.

Në fakt, ata, atë fëmijë e kanë përdorur edhe më herët si mjet për të plotësuar nevojat e tyre.

Shpesh thuhet që divorci për fëmijët është traumë. Ka raste që po, gjithësesi pas intervistave me shumë fëmijë të prindërve të divorcuar, tashmë në moshë madhore, në fakt pas ndarjes së prindërve janë ndjerë shumë mirë.

Kjo gjë ndodh sepse divorci kurrë nuk ndodh brenda natës. Divorci është rezultat i zënkave, pakënaqësive, dhunës që mund të ketë pasur mes partnerëve. Divorci ndodh për arsye tradhëtie, xhelozie e të tjera arsye, të cilat përsëri nuk janë gjëra që ndodhin brenda natës.

Kjo do të thotë që për fëmijët, të cilët jetojnë në një ambjent të tillë, aspak të shëndetshëm, divorci mund të jetë shpëtim.

Gjithashtu, ka raste kur gjykata vendos që fëmijët duhet të takojnë të dy prindërit, kur vetë fëmija nuk do të takojë ndoshta babain ose nënën, ose i detyron një familjar që të takojë babain pijanec apo nënën e dhunshme. Këto detyrime, fëmijën e bëjnë me ankth, duke rënduar shumë gjendjen e tij psikologjike.

Ka edhe raste kur babai përdor fëmijën që t’i mbushë mendjen nënës të bashkohen ose edhe e kundërta. Ka raste kur secili prind përdor mënyrën e tij se si të ushtrojnë presion ndaj njëri-tjetrit, dhe fëmija me kalimin e kohës kërkon ngushëllim tek shoqëria, i dashuri, tek cigarja, alkooli, droga ose në raste ekstreme arrin deri në vetëvrasje, sepse ky fëmijë apo adoleshent, i cili ka luftërat e tij, nuk mund të përballojë më këtë presion psikologjik të prindërve të tij.

Ndoshta dikush mund të mendojë që prindër të tillë nuk ka.

Më duhet t’ju zhgënjej, pasi prindër të tillë, nëna ose baballarë ka me shumicë; – e vetmja gjë për të cilën ata kujdesen është vetëm si të hakmerren ndaj ish partnerit, partneres, shpesh, sidomos nënat, duke përdorur edhe mashtrime të tilla si abuzim seksual, pavarësisht se kjo gjë nuk ka ndodhur. Deri tek këto mashtrime arrijnë vetëm e vetëm që të bëjnë ishin e tyre të vuajë mungesën e fëmijës, sepse nëse ajo nuk është e lumtur, po ai pse të jetë?

Sipas disa studimeve, kanë dalë në konkluzion që gratë në këto raste kanë një fantazi shumë më të zhvilluar. Fatkeqësisht këto nuk janë nëna, por janë gra të lënduara thellë, të zhgënjyera, të dëshpëruara.

Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera të pathëna, lufta nëpër gjyqe zgjat ndoshta edhe me vite, sepse:

  • Të paktën njëri prej tyre nuk mund të jetë prind, por ka ngelur në rolin e një burri apo gruaje të lënduar, të dëshpëruar.
  • Nuk kanë fare avokatë ose kanë avokatë të paaftë.
  • Lejojnë të manipulohen nga fëmijët
  • Pjesë e dramës së tyre, shpesh janë edhe familjarët e tjerë, të cilët ndërhyjnë me vend dhe pa vend, gjë që përkeqëson situatën.

Të gjitha këto probleme duhen marrë me shumë përgjegjësi, qofshin këto çështje ligjore apo edhe morale.

Fëmijët e meritojnë të kenë nënë edhe baba, por jo duke paguar çdo lloj çmimi. Në shumë raste fëmija rritet shumë më mirë nga prindër jo biologjikë, sepse më të rëndësishme janë marrëdhëniet, mirëkuptimi, mbështetja nga personat e rritur me të cilët jeton, qofshin këta gjyshër, teze, dajo apo kujdestarë të tjerë.

Fëmija ka nevojë të ndjejë dashurinë pa kushte, ka nevojë të ndihet i respektuar, ka nevojë për një ambjent që e inkurajon, e motivon, ka nevojë për një ambjent ku ai ndjen që atij i lejohet të ndjejë atë që ndiejnë, i lejohet të ëndërrojë, ka nevojë për një ambjent ku ai e ndjen se ai këtij ambjenti i përket.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0