Një shumicë e qytetarëve evropianë mbështesin vendosjen e taksave më të larta mbi të pasurit dhe kompanitë multinacionale, sipas një sondazhi të Eurobarometrit që analizon qëndrimet ndaj një takse minimale mbi pasurinë dhe një taksë minimale për kompanitë që operojnë në çdo vend ku janë aktive.
Sipas të dhënave, 65% e qytetarëve të Bashkimit Europian mbështesin një taksë minimale mbi pasuritë e personave më të pasur në vendet e tyre, me nivelin e mbështetjes që ndryshon nga 45% në Çeki deri në 78% në Hungari. Në vende të tjera si Bullgaria, Rumani, Kroacia dhe Greqia, mbështetja për taksimin e të pasurve është mbi 70%. Në kontrast, në Poloni dhe Danimarkë, më pak se gjysma e qytetarëve shprehin mbështetje.
Mes katër ekonomive më të mëdha të BE-së, Italia kryeson me 70% mbështetje, e ndjekur nga Gjermania dhe Spanja me 69% secila, ndërsa Franca është 65%, në përputhje me mesataren e Bashkimit Europian. Ekspertët vënë në dukje se dallimet lidhen kryesisht me nivelin e besimit të qytetarëve tek qeveritë dhe institucionet publike.
Caren Sureth-Sloane nga Universiteti i Paderborn shpjegon se perceptimi mbi drejtësinë fiskale dhe mundësitë që të pasurit të shfrytëzojnë sistemin ndikojnë shumë në qëndrimin e qytetarëve. “Kur njerëzit besojnë se të pasurit mund të shmangin taksat dhe sistemi publik nuk i kontrollon mirë, rritet kërkesa për tatime më të larta mbi pasuritë,” thotë ajo.
Sondazhi tregoi gjithashtu një mbështetje edhe më të madhe për taksimin e kompanive multinacionale. Në nivel BE-je, 80% e qytetarëve ranë dakord që kompanitë duhet të paguajnë një taksë minimale në çdo vend ku operojnë. Kjo mbështetje varion nga 67% në Hungari deri në 87% në Greqi, ndërsa vendet si Austria, Kroacia dhe Gjermania shënojnë mbi 80% mbështetje.
Lexo edhe: 4 vjet luftë, sa po i kushton agresioni rus në Ukrainë ekonomisë europiane
Ekspertët theksojnë se perceptimet e drejtësisë tatimore ndikohen nga cilësia e shërbimeve publike dhe efikasiteti i sistemit fiskal. Erick Kirchler nga Universiteti i Vjenës vëren se në vendet me sisteme sociale të dobëta dhe dallime të dukshme pasurie, qytetarët kërkojnë më shumë korrigjime, përfshirë edhe taksa më të larta për super të pasurit.
Strategjitë e qeverive ndryshojnë. Vendet si Hungaria dhe Letonia përdorin taksa të ulëta për të tërhequr investime të huaja, duke pritur që të ardhurat nga taksa mbi konsumit si TVSH të kompensojnë humbjet, ndërsa Austria dhe Kroacia mbajnë qëndrime më konservatore për të mbrojtur konkurrencën e bizneseve vendase.
Ndërkohë, kompanitë si Amazon, Meta, Google dhe Apple janë përballur me kritika dhe protesta për shkak të pagesave tatimore në Europë. Në vendet nordike dhe perëndimore, perceptimi mbi drejtësinë tatimore është më i lartë, ndërsa në Evropën Lindore mbetet më i ulët.
Ky sondazh pasqyron një trend të qartë në Europë: qytetarët duan më shumë drejtësi fiskale dhe mbështetje për financimin e shërbimeve publike, duke rritur presionin mbi politikanët për të vepruar mbi të pasurit dhe kompanitë multinacionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto