Evropa dhe paradoksi i patentave detare: një treg i përbashkët pa një sistem të unifikuar - Business Magazine Albania

Evropa dhe paradoksi i patentave detare: një treg i përbashkët pa një sistem të unifikuar

Nga Dorian Mersini*- Në një kontinent që krenohet me lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, një paradoks mbetet i pazgjidhur: Evropa ende nuk ka një sistem të unifikuar për patentat detare. Ndryshe nga patentat e automjeteve që njihen në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, licencat për drejtimin e mjeteve lundruese mbeten të fragmentuara, duke vështirësuar mobilitetin e kapitenëve, operatorëve dhe instruktorëve të jahtit në tregun e përbashkët detar.

Një mozaik ligjesh në një det të përbashkët

Aktualisht, çdo shtet evropian ka legjislacionin e vet për lëshimin dhe njohjen e patentave detare. Në mungesë të marrëveshjeve bilaterale të qëndrueshme, një kapiten me patentë të vlefshme në Shqipëri, Itali apo Francë nuk mund të drejtojë automatikisht një jaht në Greqi apo Kroaci, pa kaluar në procedura shtesë konvertimi apo verifikimi. Kjo situatë, e konfirmuar edhe nga një raport i Panteia Research për Komisionin Evropian, është cilësuar si “një pengesë burokratike në zemër të tregut të përbashkët”. Ndërkohë, industria e lundrimit rekreativ në Evropë përfshin mbi 6 milion mjete lundruese dhe 40 milion qytetarë që lundrojnë të paktën një herë në vit, duke gjeneruar një vlerë ekonomike mbi 16 miliardë euro në vit, një treg që pritet të kalojë 23 miliardë euro deri në vitin 2030. Në këtë realitet, mungesa e harmonizimit të patentave shihet si një pengesë konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rritje.

Shqipëria: një rast progresiv në zhvillim

Në këtë sfond të ndërlikuar, Shqipëria ka bërë hapa të dukshëm drejt ndërtimit të një sistemi formal të krahasueshëm me vendet e BE-së. Falë reformave institucionale të viteve të fundit, Administrata Detare Shqiptare ka ngritur bazat ligjore dhe procedurale për licencimin e kapitenëve, instruktorëve dhe operatorëve të mjeteve lundruese, sipas parimeve të Konventës Ndërkombëtare STCW, të njohur nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO).

Sot, në Shqipëri veprojnë vetëm disa qendra serioze të trajnimit detar të certifikuara sipas ISO 9001:2015 dhe MLC 2006, si p.sh. TSTS Group – International Maritime Training & Crewing Academy, që ofron programe trajnimi të përputhshme me standardet britanike RYA (Royal Yachting Association) dhe me kërkesat e Flamujve Ndërkombëtarë të miratuar.

Ky model i disiplinuar dhe profesional i ka dhënë Shqipërisë një profil të ri në rajon, duke e vendosur në një rrugë integrimi gradual me sistemet e avancuara evropiane të certifikimit.

Ndërgjegjësimi dhe sfidat

Megjithatë, rruga drejt njohjes ndërkombëtare të plotë mbetet e gjatë. Mungesa e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e patentave shqiptare me vendet fqinje apo ato të BE-së ende e penalizon dokumentacionin që lëshohet nga autoritetet tona, pavarësisht se standardet teknike janë tashmë të krahasueshme.

Në këtë kontekst, roli i qendrave të trajnimit serioze dhe i instruktorëve të certifikuar ndërkombëtarisht bëhet kyç. Ata janë përpjekur në mënyrë të vazhdueshme, shpesh në heshtje, për të ngritur një kulturë profesionale që shkon përtej konceptit të “patentës së shpejtë”. Siç theksojnë drejtues të sektorit, “koha po e çon vetë sistemin drejt një ndërgjegjësimi të ri. Sot kandidati i vërtetë kupton se informacioni dhe përgatitja vlejnë më shumë se kartoni.” Autoriteti më i lartë në bord është kapiteni i jahtit dhe të gjitha përgjegjësitë administrative, civile apo penale bien mbi të.

Prandaj, patenta detare nuk është thjesht një dokument formal për t’ia treguar autoriteteve, por një regjistër profesional që dëshmon aftësinë, përgjegjësinë dhe historikun e një individi në det. Kështu, edhe kompanitë e sigurimeve në të ardhmen pritet të luajnë rol vendimtar duke aksesuar këtë historik për të krijuar një sistem “bonus–malus”: ai që gabon paguan më shumë, ndërsa ai që ka një historik të pastër përfiton nga prime më të ulëta sigurimi. Në këtë logjikë, kostoja fillestare e një patente detare, që sot është rreth 50.000 ALL, do të jetë e papërfillshme përballë përfitimeve që sjell historiku i profesionalizmit, si në regjistrat e siguracionit, ashtu edhe në reputacionin kombëtar e ndërkombëtar të kapitenit.

Lexo edhe: Mbrojtja evropiane fut në veprim flotën e parë ushtarake me AI

Një horizont për t’u bashkuar

Rreth 66 % e popullsisë shqiptare jeton në zona bregdetare, ndërsa interesi për patentat detare është rritur me mbi 35 % gjatë tre viteve të fundit. Pa harruar projektet e ndërtimit të marinave që kanë perfshirë të gjithë vijën bregdetare shqiptare këto vitet e fundit.

Këto tregues konfirmojnë se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në një qendër rajonale të edukimit dhe turizmit detar, për aq kohë sa ruan standardet, integritetin dhe bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare të certifikimit. Në një Evropë që synon transport të qëndrueshëm blu dhe zhvillim të integruar të sektorit detar, unifikimi i sistemit të patentave mbetet një domosdoshmëri, jo thjesht një reformë teknike, por një kërkesë për sigurinë, mobilitetin dhe besueshmërinë e profesionit të kapitenit.

Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i paradoksit: Evropa ka ndërtuar një treg të përbashkët mbi tokë, por ende nuk ka gjetur mënyrën për të bashkuar shpirtin e saj në det. Një ditë, kur ky unifikim të ndodhë, deti do të bëhet vërtet i lire, një hapësirë e paanë për të gjithë ata që e ndjejnë, e njohin dhe e respektojnë. Atëherë, kufijtë e vetëm do të jenë ata që vetë natyra ka vizatuar me dorën e saj të padukshme dhe që çdo Kapiten i çertifikuar i konsideron si abetaren e lundrimit.

 

*Dorian Mersini është themelues & CEO i Crew Shop Albania – Yacht Club & Boutique

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0