Eva Duraku, është mjeke Kardiologe. Ajo në vitin 2012 është diplomuar në Mjekësi pranë Universitetit Katolik “Zoja e këshillit të mirë” Tiranë, me vlerësimin 110 lavdërime. Në shkurt 2013 ka kryer Provimin e Shtetit në Romë,Itali pranë Universitetit “Tor Vergata”, për të drejtën e ushtrimit të profesionit nga ku ka dalë me rezultate maksimale. Në shkurt të vitit 2015 ka fituar të drejtën e specializimit afatgjatë në Kardiologji nga ku është diplomuar në vitin 2019. Nga tetori 2019 e në vazhdim, studion Doktoraturën Internacionale “Arterial Hypertension and Vascular Biology” në Universitetin “La Sapienza” Romë. Nga viti 2014 e në vazhdim është pedagoge e Anatomisë Humane pranë Universitetit Katolik “Zoja e keshillit të mirë”. Së fundmi Eva ka marrë një tjetër mision ajo është mjeke pranë spitalit Katolik “Zoja e këshillit të mirë”.
Gjithë kjo eksperiencë i ka shërbyer për të kuptuar sfidat me veten dhe botën përreth dhe për të bërë zgjedhjet e duhura nga viti në vit.
Eva si po ndihesh në jetën tënde aktualisht, e plotësuar?
Kjo është një pyetje që më përshtatet mua pasi në çastet që jemi duke folur por mbi të gjitha në kohën që po jetoj unë ndihem “Plot”. Kam gjithçka që më duhet dhe që kam luftuar për të pasur. Kam sjellë në jetë një bekim që është vajza ime, kam një karrierë me hapa në ngjitje që për mua do të thotë shumë. Bëj një kombinim të arritjeve personale me ato profesionale dhe në fund të ditës kur mendohem dhe them çfarë kam arritur ” Jam plot”.
Kam pësuar shumë ndryshime në jetën time dhe të gjitha janë pozitive.
Si kanë ardhur ndryshimet tek ty, çdo pesë vite?
Ky është fillimi i pesë vjeçarit tim më të mirë.
Përveç faktit që arritjet në punë i shoh në këtë pesëvjeçar shumë të rëndësishme. Nga ana tjetër shumë të rëndësishme shoh vajzën. Ajo na ka ndryshuar gjithë orientimin tonë në jetë. Na ka udhëtuar drejt gjërave më të bukura. Është pika e takimit e vërtete që unë kam me veten. Ajo është vetja ime pavarësisht që i ngjan më teper babait të saj ( qesh).
Eva të del koha ti arrish gjërat në përditshmëri?
Jo gjithmonë. Në fakt duhet të zbresim më këmbë në tokë dhe të kuptojmë që asnjëherë nuk do të na dalë koha për ti bërë të gjitha gjërat. Ndërsa për të bërë gjërat e duhura duhet vetëm pak kohë. Nëse ne i duam vërtet njerezit ne gjejmë kohë për ta, nëse ne e duam vërtet një punë ne e bëjmë atë dhe kështu me radhë.
Vendi i punës është tepër i rëndësishëm duke qenë që kalojmë një pjesë të mirë të ditës. Si është mardhënia që ke ndërtuar me koleget?
Vendi i punës vërtet është shumë i rëndësishëm ne aty kalojmë kohën tonë më të madhe dhe është e rëndësishme të gjendet një gjuhë e mirë komunikimi e cila na shërben për shëndetin tonë mendor. Duhet të dimë se si të sillemi dhe reagojmë në çdo ambient pune. Tani unë kam pak kohë që e kam ndryshuar vendin tim të punës dhe kam gjetur tek Spitali “Zoja e Këshillit të Mirë ” një staf të dedikuar dhe që e duan punën po aq sa unë. Këtë punë unë e zgjodha sepse e prisja. Ëndrra ime ka qenë që të punoja aty ku kam studiuar.
Eva a i ke dërguar të gjitha ëndrrat aty ku duhet?
Jo të gjitha. Patjetër që kam mundësi për të bërë shumë më shumë se kaq dhe janë hapa që do vijnë me kohën por le të themi që kam nisur të plotësoj ngadalë një Puzzle të jetës sime. Jap mësim në një universitet që kam pasur ëndërr ta bëj, jam mjeke në profilin tim dhe kshu kam shumë hapa të tjera që dua ti arrij.
Më e rëndësishme është mbyllja e doktoraturës.
Çfarë rëndësie ka për ty doktoratura?
Është pjekuri e imja në aspektin akademik. Përpiqem që këtë studim ta trajtoj me dinjitet dhe korrektesë sepse më përfaqëson mua. Unë tani e ndaj jetën mes Italisë dhe Shqiperisë sepse shkoj atje gjithnjë që kam për të diskutuar mbi studimet që kam kryer për temën shkencore të doktoraturës.
Eva duam të njohim atë që nuk njohim tek ti. Pra, nuk e dimë se si ka qenë fëmijëria juaj?
Unë vij nga një familje me mamin mjeke dhe Babin gazetar dhe ata të dy janë përpjekur që në shumë forma mua të më edukojnë që ta dua jetën nëpërmjet librit. Kujtoj babin tim që zërin e tij të bukur si një njeri që punonte në Radio më lexonte përrallat e mbrëmjes. Aty zenë fill ëndrrat e mija tek përrallat e ritreguara.
Cila është këshilla më e çmuar që të ka dhënë babi?
Unë lidhjen e kam pasur shumë të ngushtë me babin. Ai ka qenë udhëtar për mua në çdo hap. Pikërisht për këto hapa më mësoi që unë kurrë mos të bëja hapa fallco në jetë por të qarta dhe të drejta.
Nëse vajza jote do rritet një ditë dhe do të pyeste për jetën tënde, çfarë do ti thuash?
Do ti tregoja që jam rritur në një shtëpi shumë të ngrohtë dhe shumë të ëmbël. Pjesa më e mirë e imja do ti tregoja që jam rritur afër gjyshërve. Do ti mësoja që gjyshërit janë thesar.
Eva cili tipar tek ti nuk ka ndryshuar kurrë?
Unë kurrë nuk gënjej as për gjëra tepër të vogla. Ndërsa gjithashtu nuk bëj dot kompromise për asgjë.
Eva çfarë do të këshilloje për ata që sapo kanë hedhur hapa në karrierë dhe nisur jetën familjare?
Duhet të njoh njerezit për të dhënë një këshillë konkrete por nese do t’iu drejtohesha shumicës qe duan punën dhe karrierën do t’iu thoja që ” Familja është fitorja juaj më e madhe “.
Ndonjëherë ne neglizhojmë dhe nuk bëjmë atë që duhet për kohën familjare dhe ky është gabimi ynë më i madh.
Eva a je e lumtur që po jeton në Tiranë?
Unë jam shumë shumë e lumtur që jetoj në Tiranë. Tirana për mua është familje jo qytet. Këtu gjej gjkthçka që dua, kam jetën profesionale, shoqërinë dhe mbi të gjitha këto “Familjen”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.