Eurozona rezistente ndaj goditjeve globale, BQE konfirmon kursin monetar - Business Magazine Albania

Eurozona rezistente ndaj goditjeve globale, BQE konfirmon kursin monetar

Banka Qendrore Europiane vendosi të enjten të mbajë të pandryshuar normën kryesore të depozitave në nivelin 2%, për herë të katërt radhazi. Normat e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit dhe për facilitetin e huamarrjes marxhinale do të mbeten gjithashtu të pandryshuara, respektivisht në 2.15% dhe 2.40%.

Norma e rifinancimit është interesi që bankat paguajnë kur marrin hua nga BQE për një javë, ndërsa faciliteti i huamarrjes marxhinale i referohet huamarrjes njëditore. Ndërkohë, norma e depozitave është interesi që bankat përfitojnë kur depozitojnë fonde pranë bankës qendrore gjatë natës.

Të dhënat e fundit për rritjen ekonomike të eurozonës kanë qenë më të forta nga sa pritej, duke e shtyrë BQE-në të përmirësojë edhe një herë perspektivën e saj, pas një rritjeje të ngjashme në shtator. Banka qendrore bëri të ditur se parashikon rritje ekonomike prej 1.4% për vitin 2025, nga 1.2% që ishte vlerësimi i mëparshëm.

Rritja pritet të jetë 1.2% në vitin 2026, 1.4% në 2027 dhe të mbetet në 1.4% edhe në 2028.

Optimizmi i BQE-së është rritur gradualisht gjatë këtij viti, teksa tarifat amerikane rezultuan më pak dëmtuese për ekonominë sesa ishte frika fillestare. Edhe pse këto tarifa vijojnë të kufizojnë eksportet, rritja ekonomike e tremujorit të tretë në eurozonë u rishikua këtë muaj në 0.3%, duke tejkaluar pritshmëritë.

Pavarësisht se sektori i prodhimit mbetet pika më problematike për rajonin , me tregues veçanërisht të dobët në Gjermani, tregu i punës në eurozonë vazhdon të jetë i fortë, ashtu si edhe konsumi i brendshëm. Interesi në rritje për inovacionet në inteligjencën artificiale ka mbështetur investimet gjatë këtij viti, ndërsa treguesit e besimit sinjalizojnë vazhdimësi të qëndrueshmërisë ekonomike.

Lexo edhe: Autoriteti i Konkurrencës gjobit gjashtë grumbullues të fruta-perimeve për fiksim çmimesh

Duke parë drejt vitit 2026, shpenzimet e planifikuara të qeverisë gjermane për mbrojtjen dhe infrastrukturën, të mundësuara nga heqja e frenës së borxhit, pritet të ofrojnë një stimul shtesë për ekonominë.

“Jemi mjaft pranë potencialit tonë, por ka ende shumë për t’u bërë në drejtim të përmirësimit të produktivitetit në eurozonë,” deklaroi presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, në fillim të dhjetorit gjatë një eventi të Financial Times Global Boardroom.

A pritet rritje e normave në 2026?

Përpara publikimit të të dhënave të së enjtes nga BQE, analistët kishin nisur të spekulonin për një rritje të mundshme të normave të interesit në vitin 2026.

Këto parashikime u nxitën nga deklaratat e anëtares së bordit ekzekutiv, Isabel Schnabel, e cila në fillim të dhjetorit sugjeroi se rreziqet inflacioniste tani janë më të mëdha sesa rreziku i një ngadalësimi ekonomik. Ajo theksoi se inflacioni në sektorin e shërbimeve dhe rritja e pagave kanë qenë më të forta nga sa pritej, duke u shprehur “e rehatshme” me bastet e investitorëve se lëvizja e radhës mund të jetë një rritje e normave. Kjo gjuhë dallon nga toni më i kujdesshëm i përdorur nga komiteti i BQE-së në tërësi, duke sugjeruar mendime të ndryshme brenda institucionit.

Nga ana tjetër, François Villeroy de Galhau nga Franca, gjithashtu anëtar i këshillit drejtues, deklaroi më herët këtë muaj: “Rreziqet negative për perspektivën e inflacionit mbeten të paktën po aq të rëndësishme sa rreziqet pozitive, dhe ne nuk do të toleronim një nënkalim të zgjatur të objektivit tonë të inflacionit.”

Inflacioni u regjistrua në nivelin 2.1% në muajin nëntor dhe që nga fillimi i vitit 2025 ka qëndruar pranë objektivit 2% të BQE-së, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve në sektorin e shërbimeve. Një vendim i BE-së për të shtyrë zbatimin e sistemit të ri të çmimit të karbonit (ETS2) pritet ta mbajë inflacionin më të ulët sesa parashikimet fillestare në vitin 2027.

Projeksionet e reja të stafit të Eurosistemit tregojnë se inflacioni mesatar do të jetë 2.1% në 2025, 1.9% në 2026, 1.8% në 2027 dhe 2.0% në 2028.

“Këshilli Drejtues është i vendosur të sigurojë që inflacioni të stabilizohet në objektivin 2% në afatin e mesëm,” deklaroi BQE të enjten. “Ai do të ndjekë një qasje të bazuar në të dhëna dhe nga mbledhja në mbledhje për të përcaktuar qëndrimin e duhur të politikës monetare.”

Vendimi i BQE-së vjen pasi Banka e Anglisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në Mbretërinë e Bashkuar po të enjten, si dhe pas lëvizjes së Rezervës Federale të SHBA-së javën e kaluar për të ulur kostot e huamarrjes.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0