Bashkimi Europian planifikon të vendosë kërkesa minimale “prodhuar në Europë” për blerjet publike të teknologjive kyçe të gjelbra, me qëllim forcimin e industrisë vendase dhe uljen e varësisë nga importet kineze, sipas një draft-propozimi të Komisionit Europian të parë nga Reuters.
BE-ja po përshpejton përpjekjet për të forcuar bazën e saj industriale, teksa kostot e larta të energjisë, importet më të lira nga Kina dhe tarifat e presidentit amerikan Donald Trump po ushtrojnë presion mbi prodhuesit europianë.
Një draft-propozim ligjor i Komisionit, që pritet të publikohet javën e ardhshme, do të vendoste rregulla të reja furnizimi për prokurimet publike të baterive, komponentëve të energjisë diellore dhe të erës, si dhe të automjeteve elektrike.
“BE-ja duhet të veprojë në mënyrë strategjike për të siguruar dhe forcuar më tej bazën e saj industriale, konkurrueshmërinë afatgjatë dhe për të garantuar që tranzicioni klimatik të bëhet një motor i prosperitetit industrial, e jo një burim de-industrializimi,” thuhet në draft, i cili mund të ndryshojë ende përpara publikimit.
Sipas planit, sistemet e baterive të blera përmes prokurimeve publike, 12 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të duhet të montohen brenda BE-së, ndërsa sistemi i menaxhimit të baterisë dhe dy komponentë të tjerë do të duhet të furnizohen brenda bllokut.
Rregullat do të ashpërsohen pas dy vitesh, duke kërkuar që vetë sistemi i baterisë të jetë i prodhuar në Europë, së bashku me më shumë nga komponentët e tij kryesorë, përfshirë qelizat.
Lexo edhe: “Kimikatet e përjetshme” kërcënojnë shëndetin e evropianëve, monitorimi nuk mjafton
Brukseli synon të frenojë varësinë nga Kina, e cila dominon prodhimin e paneleve diellore dhe baterive dhe po konkurron gjithnjë e më shumë në sektorë ku Europa ende ka avantazh, përfshirë prodhimin e turbinave të erës.
Drafti e cilëson si një “sinjal paralajmërues strategjik” faktin që pjesa e industrisë europiane në vlerën e shtuar bruto globale ka rënë nga 20.8% në 14.3% gjatë periudhës 2000–2020.
Propozimi do të vendoste gjithashtu kuota minimale në kontratat publike për mallra industriale me karbon të ulët të prodhuara në BE dhe do të kërkonte që kabllot e energjisë dhe infrastruktura e karikimit për automjetet elektrike të jenë të prodhuara në Europë. Investimet e huaja direkte mbi 100 milionë euro (116 milionë dollarë) në sektorë strategjikë nuk do të miratoheshin, nëse nuk plotësonin kushte të reja për përdorimin e komponentëve të prodhuar në Europë dhe të fuqisë punëtore të BE-së.
Planet kanë ndarë qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, të cilat duhet të negociojnë ligjin me Parlamentin Europian. Franca ka qenë promotore e kësaj nisme, ndërsa Suedia dhe Republika Çeke paralajmërojnë se rregullat “bli vendase” mund të rrisin çmimet e tenderëve dhe të dëmtojnë konkurrueshmërinë e bllokut.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto