Franca renditet e fundit në një indeks të ri global për adoptimin e inteligjencës artificiale (IA), me gati gjysmën e punonjësve të administratës publike që nuk e kanë përdorur kurrë këtë teknologji në punë, pavarësisht investimeve të mëdha qeveritare në këtë fushë.
Sipas një studimi të ri, qeveritë europiane po mbeten pas homologëve globalë në përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike.
Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po hasin vështirësi në shndërrimin e ambicieve për IA në mjete praktike për nëpunësit civilë, sipas Indeksit të Adoptimit të IA në Sektorin Publik 2026, të publikuar sot.
Studimi, i realizuar nga Public First për Center for Data Innovation me sponsorizimin e Google, zbulon se ndërsa përdorimi i IA-së po rritet me shpejtësi në mbarë botën, vendet europiane po ndjekin një qasje më të kujdesshme dhe të prirur ndaj shmangies së riskut. Kjo ka lënë shumë punonjës të sektorit publik pa akses në teknologjinë që po transformon punën qeveritare gjetkë.
Megjithëse adoptimi është i përhapur globalisht, 74% e punonjësve publikë në botë tashmë përdorin IA dhe 80% ndihen të fuqizuar prej saj, vetëm 18% besojnë se qeveritë e tyre po e përdorin këtë teknologji shumë efektivisht.
Indeksi bazohet në një sondazh me 3,335 punonjës të sektorit publik në 10 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Indinë, Singaporin dhe Arabinë Saudite.
Franca në fund të renditjes
Mes dhjetë vendeve të përfshira në studim, Franca renditet e fundit, me 74% të punonjësve publikë francezë që deklarojnë se inteligjenca artificiale nuk mund të kryejë asnjë pjesë të punës së tyre, dhe rreth 45% që thonë se nuk e përdorin kurrë IA-në në vendin e punës.
Vetëm 27% e punonjësve në Francë raportojnë se organizatat e tyre kanë investuar në mjete të IA-së, ndërsa shumë prej tyre shprehen se udhëzimet nga drejtuesit për përdorimin e teknologjisë janë të paqarta.
Kjo mungesë eksperience praktike duket se po ndikon edhe në qëndrimet ndaj teknologjisë. Shumë nëpunës publikë francezë nuk presin që IA të përmirësojë efikasitetin e punës.
“Ndërsa Franca e pozicionon inteligjencën artificiale si një mjet strategjik për konkurrueshmëri dhe modernizim, pa përvojë konkrete në përdorim, vlera e saj mbetet abstrakte për shumë punonjës,” thuhet në raport.
Gjetjet janë veçanërisht domethënëse duke pasur parasysh investimet e mëdha të Francës në infrastrukturën e IA-së dhe zhvillimin e kornizave etike që synojnë të udhëheqin përdorimin e përgjegjshëm të kësaj teknologjie në qeveri.
Raporti paralajmëron se 70% e punonjësve që përdorin aktivisht IA në organizata me udhëzime të kufizuara po e bëjnë këtë në mënyrë “në hije”, pra duke përdorur mjete të IA-së pa dijeninë e punëdhënësve të tyre.
Qëndrimet ndaj IA-së në Europë
Në Europë më gjerësisht, adoptimi mbetet i kujdesshëm. Gjermania dhe Franca grupohen mes vendeve më të prirura ndaj shmangies së riskut, ku përdorimi i IA-së kufizohet kryesisht tek specialistët dhe projektet pilot.
Mbretëria e Bashkuar ka shënuar përparim në adoptimin e IA-së, por ende përballet me boshllëqe në udhëzime dhe infrastrukturë. 37% e punonjësve publikë kanë marrë një formë trajnimi për IA, por përdorimi mbetet i pabarabartë mes departamenteve dhe shumë punonjës nuk kanë akses në mjete të miratuara zyrtarisht.
Ndërkohë, Singapori, Arabia Saudite dhe India kryesojnë renditjen, duke kombinuar mbështetje të fortë nga drejtuesit me përdorim të gjerë dhe të përditshëm të IA-së në punën qeveritare.
Sondazhi matin adoptimin në pesë fusha: qëndrimet ndaj IA-së, besimi në përdorimin e saj, aksesin në mjete të miratuara dhe udhëzime nga drejtuesit, shkallën e integrimit të IA-së në punën e përditshme dhe aksesin në trajnim.
Sipas ekipit që realizoi studimin, këta faktorë përcaktojnë nëse qeveritë janë në gjendje t’i shndërrojnë strategjitë për IA në përmirësime reale të shërbimeve publike.
“Shumë qeveri kanë plane ambicioze për inteligjencën artificiale në sektorin publik, por disa po krijojnë kushte më të mira për përdorim real sesa të tjerat,” tha Rachel Wolf, CEO e Public First.
“Hulumtimi ynë tregon se kush po ia del dhe ku nevojiten përmirësime. Kjo ka rëndësi, sepse një IA efektive mundëson shërbime publike më të mira, rezultate më të forta për qytetarët dhe institucione publike më rezistente.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.