Europa ka nevojë për infrastrukturën e saj të Inteligjencës Artificiale - Business Magazine Albania

Europa ka nevojë për infrastrukturën e saj të Inteligjencës Artificiale

Europa ka nevojë për infrastrukturën e saj të Inteligjencës Artificiale

Shoket globale të dy dekadave të fundit  përfshirë krizën financiare globale të vitit 2008, pandeminë e COVID-19, pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe rritjen e inflacionit kanë nxitur një rikthim të politikave industriale në të gjithë Europën. Por kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë e ka bërë edhe më urgjente forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike vendase dhe integrimin e prioriteteve të sigurisë kombëtare dhe rajonale në hartimin e politikave ekonomike.

Për Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar të cilat tani përballen me një administratë amerikane hapur armiqësore  ekonomia dixhitale duhet të bëhet një fokus qendror. Raporti i ish-Presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, mbi konkurrueshmërinë e BE-së dhe Plani i Veprimit për Mundësitë e Inteligjencës Artificiale në MB, theksojnë se teknologjitë dixhitale dhe AI janë motorë të mundshëm të inovacionit dhe rritjes së ardhshme. Sfida kryesore është zvogëlimi i varësisë së Europës nga gjigantët amerikanë të teknologjisë. Ndërsa administrata e Presidentit Joe Biden mbajti një qasje konfrontuese ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë, administrata Trump ka sinjalizuar se çdo marrëveshje tregtare e ardhshme do të varet nga tërheqja e BE-së nga përpjekjet për rregullimin dhe taksimin e teknologjisë dixhitale. Për Europën, vijimi i politikës aktuale nuk është më një opsion. Hartimi i një alternative koherente dhe strategjike ndaj varësisë nga teknologjia amerikane është i domosdoshëm. Nëse kjo tingëllon si një mision i pamundur, mjafton të kujtojmë krijimin e Airbus, përgjigjja europiane ndaj Boeing. Një “Airbus për AI” – një platformë alternative, e financuar publikisht dhe e operuar komercialisht – është plotësisht e realizueshme dhe e nevojshme. Përvoja e fundit ka zbuluar dobësinë e shërbimeve publike dhe sektorit privat europian ndaj vendimeve të drejtuesve amerikanë të teknologjisë, të cilët shpesh vënë përpara interesin për marrëdhënie të mira me qeverinë e tyre. Refuzimi i Elon Musk për të respektuar kontratat e Starlink me qeveritë europiane ka rritur shqetësimet mbi besueshmërinë e platformave amerikane, ashtu si edhe përpjekjet e firmave të tjera amerikane për të përdorur tensionet tregtare kundër rregulloreve europiane si Akti për Tregjet Dixhitale i BE-së dhe Akti për Sigurinë Online i MB-së.

Lexo edhe: Na duhet energji për Inteligjencën Artificiale dhe Inteligjencë Artificiale për energjinë

Në këtë mënyrë, edhe sikur administrata Trump të ndryshonte qëndrimin proteksionist, mosbesimi ndaj kompanive amerikane të teknologjisë do të vazhdonte. Duke qenë se platformat kineze janë po aq problematike, bëhet gjithnjë e më e qartë se qeveritë europiane duhet të nisin ndërtimin e një ekosistemi të pavarur dixhital dhe të AI-së. Politikanët shpesh hezitojnë të marrin vendime të nevojshme kur këto duken të vështira apo të kushtueshme. Por, siç argumentohet në një dokument të ri politik nga Joshua Tan, Brandon Jackson dhe unë, një model publik-privat komercial për ndërtimin e sistemeve të mëdha të AI-së europiane – të njohura si modele themelore (foundation models) – është teknikisht dhe financiarisht i realizueshëm dhe mund të nisë shpejt. Edhe pse laboratorët dhe institutet kërkimore europiane bashkëpunojnë mes tyre, ato ende nuk kanë një strategji të koordinuar të produktit dhe një rrugë të qartë nga inovacioni drejt tregut. Airbus duhet të shërbejë si model. Kjo kompani u krijua në vitin 1970 kur qeveritë europiane e kuptuan se firmat e tyre të ndara kombëtare nuk mund të konkurronin me Boeing. Franca dhe Gjermania – më vonë edhe MB-ja dhe Spanja – formuan një konsorcium që bashkoi ekspertizën, burimet dhe fondet për të zhvilluar avionë inovativë. Airbus synoi që nga fillimi që të ishte komercialisht i qëndrueshëm, por u mbështet gjithashtu nga financimi publik dhe instrumente të politikës industriale si angazhimet për blerje paraprake, investime në kërkim dhe trajnime teknike. Përfitimet politike brenda vendeve u shpërndanë përmes specializimit në zinxhirin e furnizimit. Përmes zhvillimit të modelit A300, Airbus arriti suksesin e parë të madh, duke treguar potencialin e lidhjes midis kërkimit shkencor dhe nevojave të tregut. Ndërtimi i një ekuivalenti të AI-së për shekullin XXI do të kërkojë investime të mëdha infrastrukturore dhe një angazhim politik të vazhdueshëm. Fatmirësisht, blloqet bazë për një model të tillë ekzistojnë tashmë dhe mund të mobilizohen shpejt nga një grup i përzgjedhur qeverish europiane. Shumë vende po investojnë tashmë në qendra kombëtare të kompjuterizimit publik, dhe disa laboratorë kryesorë europianë – si ata pjesëmarrës në LLMs4Europe – kanë filluar të nxjerrin modele të avancuara që sfidojnë kufijtë e kërkimeve në AI.

Koordinimi i këtyre përpjekjeve do të jetë thelbësor për të arritur shkallën e nevojshme. Përveç krijimit të vlerës për taksapaguesit, kjo do të ndihmojë alternativat europiane të diferencohen nga firmat dominante amerikane – një kusht thelbësor për suksesin komercial. Kompani private si Mistral në Francë tregojnë se një treg i fortë europian mund të ndërtohet përmes veprimit të koordinuar strategjik. Modele të tjera të suksesshme janë parë edhe në sektorin e gjysmëpërçuesve në Japoni dhe SHBA. Duke qenë se kompanitë amerikane kanë përparësinë e lëvizësit të parë (first-mover advantage), çdo iniciativë europiane do të kërkojë mbështetje të konsiderueshme publike. Por kjo mbështetje nuk duhet të kufizohet vetëm te financimi direkt. Ajo mund të marrë formën e aksesit në burime publike kompjuterike, përfitimeve fiskale të lidhura me angazhimet për interes publik, aksesit të privilegjuar në bazat e të dhënave publike të ndaluara për firmat amerikane, si dhe angazhimeve për blerje nga institucionet publike. Kërkesa në treg mund të nxitet edhe përmes masave të synuara. Për shembull, nisma e BE-së “Kampionët e AI-së”, që fokusohet te aplikimet industriale me vlerë të lartë, mund të shërbejë si katalizator sapo një konsorcium europian të jetë gati për të ofruar teknologjinë e nevojshme. Argumenti strategjik dhe ekonomik për zhvillimin e një alternative europiane ndaj AI-së amerikane dhe kineze është i fuqishëm. Por një iniciativë europiane publike-private, e orientuar drejt tregut, duhet të shkojë përtej objektivave të politikës industriale dhe sigurisë: ajo duhet të pasqyrojë gjithashtu kulturën dhe vlerat e fuqive të mesme të kontinentit. Modelet e AI-së të zhvilluara në SHBA po projektojnë gjithnjë e më shumë një këndvështrim amerikan ndaj botës – një këndvështrim që po largohet gjithnjë e më shumë nga ai europian. Është koha që vendet europiane të ndjekin rrugën e tyre.

Diane Coyle është Profesore e Politikave Publike në Universitetin e Kembrixhit dhe autore e librit më të fundit The Measure of Progress: Counting What Really Matters (Princeton University Press, 2025).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0