Europa dhe Kina drejt prodhimit të çelikut me zero emetime - Business Magazine Albania

Europa dhe Kina drejt prodhimit të çelikut me zero emetime

Nga Gernot Wagner dhe Roland Kupers – Djegia e qymyrit për prodhimin e energjisë është bërë aq jofitimprurëse, saqë administrata Trump është detyruar të lëshojë urdhra për mbajtjen e hapur të termocentraleve për të mbështetur industrinë që po shuhet. Megjithatë, ekziston një fushë ku qymyri vijon të mbretërojë: prodhimi i hekurit primar për përpunimin e çelikut.

Kjo ka rëndësi, pasi prodhimi i hekurit dhe çelikut përbën mbi 10% të emetimeve vjetore globale të gazeve serrë. Pjesa më e madhe e këtyre emetimeve vjen nga furrat e larta, ku qymyri përdoret për të hequr oksigjenin nga xeherori i hekurit – proces që prodhon hekur, por edhe dioksid karboni (CO₂).

Ekzistojnë megjithatë mënyra më të pastra për ta bërë këtë. Njëra është të shmanget prodhimi i hekurit të ri. Çeliku është plotësisht i riciklueshëm, dhe tashmë mbi 20% e furnizimit global vjen nga skrapi i ricikluar. Procesi kërkon vetëm energji elektrike, gjë që e bën të mundur një ekonomi rrethore “të përsosur”, ku turbinat me erë furnizojnë me energji riciklimin e çelikut për vetë turbinat. Kjo është tashmë ekonomikisht e qëndrueshme në SHBA dhe Europë, por më pak e përhapur në tregjet aziatike me rritje të shpejtë.

Një alternativë tjetër është përdorimi i gazit natyror. Vetëm rreth 7% e çelikut global prodhohet në këtë mënyrë, për shkak të kostove shtesë dhe komplikimeve teknike. Por kjo metodë përbën një hap drejt çelikut me zero karbon, duke zëvendësuar gazin me hidrogjen të gjelbër.

Një shembull është kompania suedeze Stegra, e cila në vitin 2022 nisi ndërtimin e fabrikës së parë në botë për “çelik tërësisht të gjelbër”. Me synimin për të prodhuar pesë milionë ton çelik me karbon të ulët deri në vitin 2030, projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara, edhe pse kërkon mbështetje të fortë politike. Iniciativa të ngjashme janë në zhvillim në vende të tjera, duke sinjalizuar një të ardhme me çelik me emetime të ulëta.

Megjithatë, rruga është e gjatë. Ndërsa Stegra planifikon pesë milionë ton, industria globale prodhon aktualisht rreth 1.5 miliardë ton çelik me qymyr. Për çdo fabrikë të re të “çelikut të gjelbër”, planifikohen më shumë se dy të zakonshme. Ndryshe nga termocentralet me qymyr, furrat e larta me qymyr mbeten ekonomikisht të leverdishme, për sa kohë që CO₂ nuk ka një çmim të drejtë. Bashkimi Evropian ka nisur ta adresojë këtë me sistemin e tregtimit të emetimeve, duke vendosur një tarifë rreth 80 euro për ton, por prodhuesit në Kinë dhe Indi përballen me pak ose aspak kosto karboni.

Përveç çmimit të karbonit, një faktor tjetër thelbësor është metani, një gaz serrë shumë më i fuqishëm se CO₂. Një pjesë e tij çlirohet gjatë përdorimit të gazit natyror në prodhimin e çelikut, por burimi kryesor është metani që del nga shtresat e qymyrit gjatë nxjerrjes së tij për furrat metalurgjike.

Lexo edhe: Raportimi i qëndrueshmërisë: kosto apo vlerë reale për kompanitë?

Në 20 vitet e para, metani mban 80 herë më shumë nxehtësi se CO₂. Rreth gjysma e ngrohjes globale që nga periudha paraindustriale i atribuohet emetimeve të metanit. Ky efekt i nënvlerësuar rrit me rreth 25% gjurmën klimatike të çelikut të prodhuar në furrat me qymyr, që përkon me rreth një miliard ton CO₂ në vit.

Sipas vlerësimeve paraprake, heqja e metanit nga zinxhiri i furnizimit mund të arrihet me kosto shumë të ulët, më pak se 1% e çmimit të tregut të çelikut. Për më tepër, qymyri metalurgjik prodhohet nga një numër i kufizuar kompanish në disa vende, çka e bën të mundur bashkëpunimin ndërkombëtar për monitorimin dhe reduktimin e këtyre emetimeve.

Këto partneritete mund të përfshijnë jo vetëm Australinë, një nga vendet e përfshira në nismën e Programit të OKB-së për metanin, por edhe Kinën, që prodhon më shumë se gjysmën e qymyrit dhe çelikut metalurgjik në botë.

Me SHBA-në që po tërhiqet nga politikat klimatike, BE-ja dhe Kina po bashkëpunojnë më ngushtë në nisma të përbashkëta. Metani nga qymyri në industrinë e çelikut duhet të jetë një prej çështjeve prioritare. Ndërhyrjet në këtë drejtim nuk do të krijojnë menjëherë “çelik të gjelbër”, por mund të ulnin emetimet globale me ekuivalentin e një miliard ton CO₂ në vit, me kosto minimale.

Ndryshe nga idetë që e shohin gazin si “urë kalimi” drejt energjive të pastra, përqendrimi në metanin e qymyrit nuk do ta pengojë tranzicionin drejt çelikut me emetime të ulëta. Përkundrazi, është një hap i arsyeshëm drejt objektivit për çelik tërësisht të gjelbër.

* Gernot Wagner është ekonomist i klimës në Columbia Business School. Roland Kupers, këshilltar për kompleksitetin, qëndrueshmërinë dhe tranzicionin energjetik, është arkitekti kryesor i Observatorit Ndërkombëtar të Emisioneve të Metanit pranë Kombeve të Bashkuara.

Copyright: Project Syndicate, 2025/ www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0