Ermista Grabocka-Custer nga kimiste në një menaxhere marketingu me fushata në Super Bowl për PespiCo  - Business Magazine Albania

Ermista Grabocka-Custer nga kimiste në një menaxhere marketingu me fushata në Super Bowl për PespiCo 

Ermista Grabocka

A është në të vërtetë një menaxhere marketingu amerikane si Emily in Paris?

Oz Marketing takon Ermistën, e cila është lindur dhe ka kaluar fëmijërinë e hershme në Korçë, por është rritur dhe arsimuar në SHBA, ku ka zhvilluar dhe karrierën e saj interesante në fushën e Marketingut. Ermista është një menaxhere e suksesshme marketingu pranë Pepsi Co. ltd dhe zgjodhi të tregojë eksperiencën e saj për Business Magazine.

Ermista ka një eksperiencë profesionale 12 vjeçare në fushën e biznesit, të përqendruar në industrinë e ushqimeve të paketuara si dhe një sukses të madh në zhvillimin e brandit dhe inovacionin e produkteve. Ajo na tregon rreth sfidave, risive dhe eksperiencave të krijuara në Shtetet e Bashkuara. Ajo gëzon një master në Marketing dhe Strategji së bashku me një përvojë të gjatë në ndërtimin e marrëdhënieve me klientët, përmirësimin e proceseve në biznes dhe projekteve midis departamenteve të ndryshme. Ermista evidentohet lehtësisht për aftësitë shumë të mira komunikuese. Me mbi 10 vite të dedikuara menaxhimit të projekteve ajo ka spikatur për aftësitë menaxheriale, influencuese, analizuese dhe aftësinë për të punuar në grup.

Si ke nisur karrieren? Çfarë ishte vendimtare në fillimin e kësaj karriere?

Me një shkollim në fushën e kimisë, në fillimet e karrierës sime isha shumë larg marketingut. Pasioni për marketing nisi gjatë kohës ku punoja për zhvillimin e produkteve si kimiste ushqimore. Fillova të zhvilloj nevojën për të kuptuar pasionin e konsumatorëve për brande të ndryshme sidomos për ushqimet e paketuara. Ky ishte momenti ku unë vendosa se dua të vazhdoj edukimin me një master në Marketing dhe Strategji. Kështu, nisi tranzicioni im drejt marketingut të brandit, rrugë e cila ka qenë e mbushur me produkte inovatore dhe tërheqëse, me të famshëm lokalë dhe nacionalë, si dhe me angazhimin e mediave sociale dhe të shtypit.

Cilat konsideron si arritjet më të mëdha në të gjitha angazhimet profesionale?

Kam pasur fatin të punoj në fushatat e Super Bowl për PepsiCo, i cili është klienti me numrin më të lartë të shitjeve me pakicë. Super Bowl konsiderohet skena më e madhë e vitit në Shtetet e Bashkuara dhe Pepsi sponsorizon shfaqjet e artistëve si Lady Gaga, Beyonce, Jennifer Lopez e të tjerë ndër ta. Të qenit pjesë e planifikimit dhe ekzekutimit të programeve të Super Bowl-it, është një ndër eksperiencat më frytdhënëse të karrierës sime, e cila më ka mësuar shumë. Patjetër që duhet një punë kolosale në mënyrë që të krijohen programe marketingu të këtij niveli, frytet e të cilit vijnë ditën e eventit, kur ke mundësinë të shohësh paraqitjen nëpër dyqane dhe brandet më të mëdha botërore të prezantuara e të përfshira në reklamat më të arrira të vitit.

Cilat janë sfidat më të mëdha të hasura në fushën e marketingut?

Sfida më e madhe ka qenë ndryshimi i madh që ka pësuar sjellja e konsumatorit sidomos vitin e kaluar. Marketingu nuk është më një proces linear. Rrjetet sociale kanë transformuar mënyrën sesi e perceptojmë marketingun tradicional. Informacioni është i disponueshëm në çdo moment, gjë që na shtyn ne të përfshirët në marketing, që të jemi përpara konsumatorit kurdoherë dhe kudo. Ky ndryshim, na ka bërë që të jemi dhe më mendjemprehtë. Ditëve ku çdo gjë që duhet të bëje është të prodhoje një reklamë, të blije një televizor dhe të printoje një reklamë, u ka ardhur fundi. Që të arrish sukses në marketing, duhet të mendosh në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë që brandet të jenë të aksesueshme nga çdo pajisje, elektronikisht, me porosi dhe dërgimin e produktit, në dyqanet përkatëse dhe me anë të rrjeteve sociale. Ne ndodhemi kudo që ndodhet konsumatori.

Çfarë duhet të kemi parasysh nëse merremi me marketingun e një kompanie të vogel apo të mesme?

Marketingu digjital u mundëson bizneseve të vogla dhe të mesme aksesin e një audience, e cila nuk mund të aksesohej me anë të marketingut tradicional. Unë mendoj se marketingu digjital është një mjet fantastik për rritjen e njohjes së brandit, konsiderimit dhe shitjeve. Një kompani nuk e ka më domosdoshmëri shpenzimin e miliona dollarëve për të investuar në marketing. Marketingu digjital mundëson oferta në ankand për vendosjet e reklamave dhe kanalet e shpërndarjes që shërbejnë për targetimin e audiencës në mënyrë të shpejtë dhe efeciente. Një identitet i qartë i brandit është gjithashtu vendimtar për zhvillimin e një kompanie të vogël dhe të mesme ku mjaft të rëndësishme shihen krijimi i një logoje dhe i një misioni. Të qenit tërheqës për syrin e konsumatorëve është çelësi i rritjes së tyre.

Si është të punosh me një nga emrat më të mëdha të marketingut në USA dhe botë?

Patjetër që bashkëpunimi me kompani të mëdha të hap shumë dyer duke qenë se këto kompani kanë një krijuar një “audiencë kult” dhe kanë buxhete të mëdha. Nga ana tjetër, eksperienca e të qenit një vëzhgueseje është shumë e vështirë. Në një nga fushatat e fundit, kam punuar me 8 agjenci të ndryshme marketingu dhe 3 skuadra ligjore për t’u siguruar rreth informacionit që konsumatorët kishin rreth brandit. Përveç kësaj duhet të siguroheshim se po përcillnim mesazhin e duhur, po rrisnim angazhimin e konsumatorëve, gjë e cila rezultoi në rritjen e brandit në tërësi. Skuadrat ligjore siguroheshin se influencuesit dhe kanalet e përdoruara ishin të përshtatshme dhe përputheshin me misionin që kompania kishte. Krijimi i një programi për një kompani të këtij niveli rritje dhe zhvillimi, kërkon punën e 6-8 muajve dhe qindra njerëz të dedikuar. Paçka faktit se kompani të tilla kanë buxhete të mëdha, puna që bëhet nga pas është shumë e vështirë.

Si e balancon karrierën dhe jetën personale?

Nuk mund të them se kam arritur të gjej balancën perfekte. Të qenit një mama në karrierë e dy binjakëve trevjeçarë gjatë një pandemie në të cilën kam punuar nga shtëpia, është mjaft e vështirë. Qëllimi im është të jem pranë fëmijëve të mi gjatë momenteve më kyçe të ditës. Dreka dhe orari i gjumit janë bërë momentet e preferuara të cilat i kaloj totalisht të pandërprera nga familja. Pasi fëmijët i ka zënë gjumi, unë i rikthehem punës në kompjuter duke punuar deri në orët e para të mëngjesit. Ndarja midis punës dhe jetës familjare është bërë mjaft e mjegullt vitin e fundit, kështu që përpiqem t’i balancoj duke mos e përdorur telefonin gjatë fundjavës për t’u siguruar se koha me familjen të jetë pa asnjë ndërprerje.

A ngjan jeta e marketingut në USA me ato që shohim nëpër filma apo seriale amerikane?

Sikurse çdo gjë tjetër, karriera në marketing është romantizuar nga serialet amerikane të cilët tregojnë vetëm anën më të mirë të medaljes. Ndonjëherë realiteti është xhirimi i një reklame në 3 të mëngjesit, në mes të askundit sepse është i vetmi moment ku mund të ndërthuren talenti me vendin ideal. Përsëritja e fushatave të marketingut, marrja e vendimeve se cila është qasja më e mirë dhe redaktimi i prezantimeve për palët që interesohen për shit-blerje formojnë pjesën më të madhe të punës sonë. Në momente të caktuara, jemi duke mbledhur raportime dhe analiza për sa i përket ROI, që përbën 60% të punës në tërësi. Serialet definitivisht nuk tregojnë punën e vërtetë që ndodh prapa kuintave si dhe vështirësitë që dalin gjatë rrugës.

E sheh ti veten si “Emily in Paris”, millenial tipike apo realiteti është i ndryshëm?

“Emily in Paris” është padyshim një version i romantizuar i një influencueseje. Edhe pse kam punuar me influencuese shumë të njohura, realiteti im është shumë ndryshe. Në përditshmëri, unë drejtoj marketingun end-to-end të një brandi ose produkti. Të drejtosh një plan marketingu shkon përtej menazhimit të rrjeteve sociale. Paçka se më pëlqen të mendoj që jam “cool”, siç dhe Emili është portretizuar në serial, dita ime kalon duke punuar me partnerë për informimin, inovacionin, dizajnin, oferta të ndryshme, agjenci kreative, planifikimin e reklamave elektronike dhe të digjitalizuara si dhe analizimin e programeve të mëparshme. Ama, nuk mendoj se ka ndonjë problem të vishem me Chanel tek-tuk për të ndjerë fuqinë e magjepsjes dhe inspirimit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0