Epoka e re e AI, nga garë superfuqish, në luftë për besim - Business Magazine Albania

Epoka e re e AI, nga garë superfuqish, në luftë për besim

Nga Ren Ito* – Liderët e inteligjencës artificiale, si OpenAI dhe DeepMind, e shohin veten në një garë për të ndërtuar inteligjencën artificiale të përgjithshme (AGI) – një model i aftë të kryejë çdo detyrë intelektuale që mund ta bëjë një njeri. Në të njëjtën kohë, qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës e konsiderojnë garën për AI si një prioritet të sigurisë kombëtare që kërkon investime masive, të ngjashme me ato të Projektit Manhattan. Në të dy rastet, AI shihet si një formë e re “fuqie të fortësh”, e arritshme vetëm për superfuqitë që kanë burime të mëdha kompjuterike dhe aftësinë për t’i shndërruar ato në dominim ekonomik e ushtarak.

Por ky këndvështrim është i paplotë dhe po bëhet gjithnjë e më i vjetruar. Që nga lançimi nga zhvilluesi kinez DeepSeek i një modeli me kosto më të ulët, por me performancë konkurruese, më herët këtë vit, kemi hyrë në një epokë të re. Tashmë aftësia për të ndërtuar mjete të avancuara të AI nuk është e kufizuar vetëm për disa gjigantë të teknologjisë. Janë shfaqur modele të shumta me performancë të lartë në mbarë botën, duke treguar se potenciali i vërtetë i AI qëndron në zgjerimin e “soft power”-it.

Epoka e modeleve “sa më të mëdha, aq më mirë” përfundoi në vitin 2024. Që atëherë, superioriteti i një modeli nuk përcaktohet vetëm nga shkalla e tij (bazuar në sasi të pafund të dhënash dhe fuqie kompjuterike). DeepSeek tregoi jo vetëm se modelet e nivelit më të lartë mund të ndërtohen pa kapitale gjigante, por edhe se përdorimi i teknikave të avancuara të zhvillimit mund të përshpejtojë në mënyrë radikale progresin global të AI. E pagëzuar si “Robin Hood i demokratizimit të AI”, zgjedhja për ta bërë open-source ndezi një valë inovacioni.

Monopoli i OpenAI (ose oligopoli i disa kompanive të pakta) që ekzistonte vetëm disa muaj më parë, ka lënë vend për një peizazh multipolar dhe shumë konkurrues. Alibaba (Qwen) dhe Moonshot AI (Kimi) në Kinë kanë publikuar gjithashtu modele të fuqishme open-source; në Japoni, Sakana AI (kompania ime) ka hapur burim inovacionet e saj, ndërsa gjiganti amerikan Meta po investon fuqishëm në programin open-source Llama, duke rekrutuar agresivisht talente nga liderë të tjerë të industrisë.

Mburrja me performancë të nivelit më të lartë nuk mjafton më për të përmbushur nevojat e aplikimeve industriale. Merrni për shembull chatbot-ët e AI: ata mund të japin përgjigje “70 pikëshe” për pyetje të përgjithshme, por nuk arrijnë saktësinë apo besueshmërinë “99 pikëshe” që kërkohet për shumicën e detyrave reale nga vlerësimet e kredive deri tek planifikimi i prodhimit, që mbështeten shumë tek njohuritë kolektive të ndara mes ekspertëve. Kuadri i vjetër, ku modelet bazë konsideroheshin të ndara nga aplikimet specifike, ka arritur kufijtë e tij.

Lexo edhe: NASA dhe Google po krijojnë mjekun virtual për astronautët

AI reale duhet të përballojë detyra të ndërlidhura, procedura të paqarta, logjikë kushtëzuese dhe përjashtime – të gjitha variabla të “çrregullta” që kërkojnë sisteme të integruara ngushtë. Si rrjedhojë, zhvilluesit e modeleve duhet të marrin më shumë përgjegjësi për dizajnin e aplikimeve specifike, dhe zhvilluesit e aplikacioneve duhet të përfshihen më thellë me teknologjinë bazë.

Një integrim i tillë ka rëndësi për të ardhmen e gjeopolitikës po aq sa ka për biznesin. Kjo reflektohet në konceptin e “AI sovrane”, që synon të ulë varësinë nga furnitorët e huaj të teknologjisë në emër të autonomisë kombëtare në AI. Historikisht, shqetësimi jashtë Shteteve të Bashkuara ka qenë se, duke i besuar infrastrukturën kritike, motorët e kërkimit, rrjetet sociale, telefonët inteligjentë – gjigantëve të Silicon Valley, krijon deficite tregtare digjitale të vazhdueshme. Nëse AI ndjek të njëjtin kurs, humbjet ekonomike mund të rriten në mënyrë eksponenciale. Për më tepër, shumë frikësohen nga mundësia e “butonëve të ndërprerjes” që mund të çaktivizojnë infrastrukturën e AI të huaj në çdo moment. Për këto arsye, zhvillimi vendas i AI shihet tani si i domosdoshëm.

Megjithatë, AI sovrane nuk duhet të nënkuptojë që çdo mjet të ndërtohet brenda vendit. Nga perspektiva e kostos dhe e diversifikimit të rrezikut, është ende më mirë të kombinosh modele nga vende të ndryshme. Qëllimi i vërtetë i AI sovrane nuk është vetëm vetë-mjaftueshmëria, por grumbullimi i “soft power”-it të AI duke ndërtuar modele që të tjerët duan t’i përdorin vullnetarisht.

Tradicionalisht, “soft power” i është referuar forcës tërheqëse të ideve si demokracia dhe të drejtat e njeriut, eksporteve kulturore si filmat e Hollivudit, dhe më vonë teknologjive e platformave dixhitale si Facebook, apo edhe më në heshtje, aplikacioneve të ndryshme si WhatsApp apo WeChat që formësojnë kulturat përmes zakoneve të përditshme. Kur modele të ndryshme të AI bashkëjetojnë globalisht, ato që adoptohen më gjerësisht do të bëhen burime të një soft power-i të fshehtë por të thellë, për shkak se do të nguliten në vendimmarrjen e përditshme të njerëzve.

Nga perspektiva e zhvilluesve të AI, pranimi publik do të jetë kritik për suksesin. Shumë përdorues potencialë janë tashmë skeptikë ndaj sistemeve kineze (dhe atyre amerikane gjithashtu), për shkak të perceptimit për rreziqe si kontrolli, mbikëqyrja dhe shkelja e privatësisë – barriera këto për adoptim masiv. Është e lehtë të imagjinohet që, në të ardhmen, vetëm AI-të më të besueshme do të përqafohen plotësisht nga qeveritë, bizneset dhe individët. Nëse Japonia dhe Evropa mund të ofrojnë modele dhe sisteme të tilla, ato do të jenë në pozicion të favorshëm për të fituar besimin e “Global South” – një perspektivë me implikime të gjera gjeopolitike.

Një AI e besueshme nuk ka të bëjë vetëm me eliminimin e paragjykimeve apo parandalimin e rrjedhjeve të të dhënave. Në planin afatgjatë, ajo duhet të mishërojë parime të orientuara nga njeriu – të përmirësojë, jo të zëvendësojë, potencialin e njerëzve. Nëse AI përfundon duke përqendruar pasurinë dhe pushtetin në duart e pak vetave, ajo do të thellojë pabarazinë dhe do të gërryejë kohezionin shoqëror.

Historia e AI sapo ka filluar, dhe nuk është e thënë të kthehet në një garë “fituesi i merr të gjitha”. Por si në hemisferën veriore të plakur, ashtu edhe në “Global South” e ri, pabarazitë e shtyra nga AI mund të krijojnë ndarje të qëndrueshme. Është në interesin e vetë zhvilluesve që kjo teknologji të mbetet një mjet i besueshëm fuqizimi, jo një instrument i gjithanshëm kontrolli.

*Ren Ito, ish-diplomat japonez, është bashkëthemelues i Sakana AI

Copyright: Project Syndicate, 2025.www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Të gjithë ëndrrat e tua mund të bëhen realitet, nëse ke kurajën t’i ndjekësh.”
— Ualt Disney
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0