Entet rregullatore, në shërbim të oligarkisë dhe qeverisë - Business Magazine Albania

Entet rregullatore, në shërbim të oligarkisë dhe qeverisë


Zef Preçi, Drejtor i ACER

Edhe këtë vit, ashtu si gjatë dy dekadave të fundit, kompanitë e huaja që operojnë në tregun shqiptar vazhdojnë të transferojnë jashtë shtetit fitimet e tyre, një e drejte kjo e garantuar nga legjislacioni shqiptar në fuqi dhe nga konventat ndërkombëtare në të cilat vendi ynë është palë.

Kështu Monitor, mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, raporton se kompanitë e huaja, vetëm gjatë 9 muajve të 2019-ës kanë nxjerrë zyrtarisht (në rrugë formale, bankare) kryesisht në formën e fitimeve, arriti në 380 milionë Euro, me një rritje prej 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë si dhe duke qenë edhe niveli më i lartë i fitimeve të transferuara, madje duke ia kaluar edhe periudhës 2008-2010…Po sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bëhet e ditur se dalja e parave në këtë forme jashtë vendit lidhet ngushtësisht me investimet jashtë vendit të kompanive të huaja që operojnë në tregun shqiptar, si dhe me politikat favorizuese që qeveria shqiptare ka ndjekur ndaj tyre gjatë viteve të fundit ku dominon ulja e tatimit mbi dividentin e pashpërndarë për disa vjet, një politike kjo tejet e diskutueshme si klienteliste dhe favorizuese, por edhe e ndërmarrë në shkelje të ligjeve në fuqi.

Ndërkaq, nga një raport i mëparshëm i Monitor për vitin e shkuar rezulton se kompanitë me normën më të lartë të fitimit (që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit) mbeten koncesionarët, së bashku me subjektet që punojnë me tendera publikë. Por pas kësaj, nuk mund të mos lindin disa pyetje dhe pikëpyetje që, për fat të keq, nuk marrin përgjigje.

Së pari, bie në sy lehtësisht fakti se sektorët dhe kompanitë prej nga nxirren këto fitime marramendëse që më vonë eksportohen jashtë vendit, janë të gjitha nga sektorë të rregulluar nga shteti. Domethënë, në zbatim të përvojave perëndimore në sektorët strategjikë të ekonomisë publike të privatizuar si në telekomunikacione, miniera, etj., janë ngritur dhe operojnë entet rregullatore specifike për çdo sektor. Këto institucione të krijuara sipas Kushtetutës ose me ligj të veçantë – juridikisht janë të pavarura nga qeveria – luajnë një rol të rëndësishëm rregullator për të garantuar konkurrencën në treg dhe kështu edhe për të ndihmuar në optimizmin e normës së fitimit në sektorët në fjalë, ndërsa aty ku nuk ka konkurrencë për të mbajtur të kontrolluar nga qeveria normën e lejuar të fitimit. Mirëpo norma e lartë e fitimit në një ekonomi anemike me rritje vjetore 2-3 % si ekonomia jonë kombëtare duket se qartësisht komprometon rolin institucional të enteve rregullatore, duke i prezantuar ato si “refiugum pecatorum” (strehë mëkatarësh), ndërsa siç dihet, shumica e anëtarëve të tyre, janë individë me të shkuar partiake politike ose disa individë fare të panjohur, pa background-in e duhur akademik, përvojën profesionale në sektor, etj., ose/edhe thjesht përzgjidhen nga rrethi familjar e nepotik i elitës qeverisëse të vendit.

Sipas mendimit tim, mospërmbushja e rolit institucional të enteve rregullatorë për të ruajtur ekuilibrat e nevojshme midis qeverisë, biznesit dhe konsumatorëve ka çuar në ndëshkimin e këtyre të fundit duke u garantuar fitime të pamerituara dhe që nuk lidhen tërësisht me lojën e lirë të tregut një numri kompanish, të cilat në një këndvështrim tjetër janë edhe ndër sponsorët kryesorë të mas-medias si dhe të fushatave elektorale në vendin tonë. Kështu që në mungesë të ridimensionimit të rolit institucional të enteve rregullatore është vështirë të shpresohet në një funksionim adekuat të ekonomisë së tregut në vendin tonë. Ndërkaq, rritja e mëtejshme e kontrollit të qeverisë mbi entet rregullatore duke përfshirë edhe Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (siç tregon edhe gjyqi politik i këtyre ditëve ndaj anëtarit të këtij këshilli Arben Malaj që po zhvillon Kuvendi i Shqipërisë), dëshmojnë se kontrolli qeveritar do të vazhdojë të rritet ndërsa balanca midis pushteteve të anojë më tej në favor të ekzekutivit.

Së dyti, qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit, në emër gjoja të tërheqjes së investimeve të huaja direkte, ka ndërmarrë disa politika fiskale specifike favorizuese për bizneset e mëdha siç është për shembull “status special” (Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje), e të tjera si këto, politika për të cilat për fat të keq, nuk ka raportime zyrtare as në Kuvendin e Shqipërisë se sa efektive kanë qenë dhe a kanë shërbyer vërtetë për qëllimin e deklaruar për të cilin janë ndërmarrë. Një fluks kaq i madh i nxjerrjes se fitimeve jashtë vendit, siç dëshmojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë, mbetet një provë tjetër se politikat favorizuese nuk u kanë shërbyer interesave të ekonomisë sonë kombëtare, por kanë kontribuar në rritjen marramendëse të fitimeve për një grusht monopolistësh apo oligopolistësh, të cilët as që besojnë në progresin dhe stabilitetin e kësaj ekonomie. Sepse nëse do të besonin, me siguri do të riinvestonin fitimet e tyre përsëri në ekonominë shqiptare dhe jo t’i nxirrnin jashtë vendit, siç po ndodh prej më shumë se një dekade.

Sipas mendimit tim, qeveria duhet të rishikojë politikat e saj favorizuese për grupe të caktuara biznesi dhe të heqë dorë nga këto politike, sepse vetëm kështu mundësohet veprimi i forcave të tregut të lirë dhe krijohet terreni i nevojshëm institucional dhe fiskal për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Se treti, gjatë katër-pesë viteve të fundit, nën ndikimin e interesave të pasurimit të oligarkëve, por edhe për interesa thjesht të politikës së ditës, qeveria shqiptare vazhdon të ndërtojë struktura paralele administrative që në thelb dublojnë rolin kushtetues dhe të pazëvendësueshëm të gjykatave në ndëshkimin e paligjshmërive dhe zgjidhjen e konflikteve ndërmjet palëve të interesuara. Kështu është vepruar nëpërmjet një projektligji në fushën e sigurimeve përpara disa vitesh, nëpërmjet një rregulloreje të AKEP për mediat elektronike, dhe së fundi po veprohet me të ashtuquajturin “ligj anti-shpifje” përmes të cilit Autoriteti i Mediave Audiovizuale (AMA) synohet të luajë rolin e gjykatës.

Sipas mendimit tim, këto tendenca lidhen me rritjen e kontrollit të ekzekutivit mbi pushtetet e tjera, por mbartin sinjale të këqija para së gjithash për demokracinë e brishtë shqiptare dhe integrimin e vendit në familjen europiane, por edhe për funksionimin e ekonomisë së tregut në vendin tonë.

Tashmë është e qarte se ndryshueshmëria e shpeshtë e kuadrit rregullator dhe rritja e ndërhyrjes së qeverisë në jetën e bizneseve dhe mas-media përbëjnë tregues të rëndësishëm të përkeqësimit të klimës së biznesit dhe të jetës sociale në vend, gjë që është evidentuar qartë në shumicën e raporteve të institucioneve prestigjioze vendase dhe të huaja që monitorojnë zhvillimet institucionale, social-ekonomike dhe politike në Shqipëri.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0