Të prezantosh veten zakonisht kërkon vetëm disa sekonda. Por nëse takoni Laurence Watkins, përgatituni për një seancë të gjatë. Kur ai e lexon të plotë emrin e tij, i duhen më shumë se një orë.
Watkins, 60 vjeç, i lindur në Zelandën e Re dhe sot shtetas australian që jeton në Sidnei, mbante fillimisht emrin Laurence Gregory Watkins. Në mars të vitit 1990, ai e ndryshoi ligjërisht emrin duke shtuar 2,251 emra të mesëm, duke arritur në 2,253 fjalë unike dhe duke hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si personi me emrin më të gjatë në botë.
“Isha gjithmonë i magjepsur nga rekordet e çuditshme që njerëzit përpiqeshin të thyenin dhe doja të isha pjesë e kësaj bote,” tha ai për Guinness World Records. “Lexova librin nga fillimi në fund për të parë nëse kishte ndonjë rekord që mund ta thyeja dhe i vetmi që munda ishte shtimi i më shumë emrave se mbajtësi aktual.”
Ndryshimi nuk ishte i lehtë. Megjithëse kërkesa e tij u pranua nga Gjykata e Qarkut të Auckland, ajo u refuzua nga Regjistri i Përgjithshëm. Watkins e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë të Zelandës së Re, e cila vendosi në favor të tij, duke e lejuar ta mbante emrin e ri. Pak më pas, autoritetet ndryshuan ligjin për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Kur e lexon emrin e tij të plotë, Watkins fillon me: “Laurence Alon Aloys Aloysius Alphege Alun Alured Alwyn Alysander Ambie Ambrose Ambrosius Amias Amiot Amyas Anders Andre Andrea Andreas Andrew Andy Aneirin Anguish Anleifr…”
Nëse doni të dëgjoni pjesën tjetër, do t’ju duhet kohë, pasi leximi i plotë zgjat mbi 60 minuta. “Emri im i preferuar është AZ2000, që do të thotë se kam emra nga A deri në Z dhe gjithsej 2000 emra,” shpjegon ai me humor.
Pyetja e vetme që mbetet është: Sa e trashë mund të jetë pasaporta e këtij njeriu?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto