Elon Musk ka arritur një tjetër rekord historik, duke u bërë njeriu i parë në botë që arrin një pasuri neto prej 500 miliardë dollarësh. Sipas Forbes Real-Time Billionaires, në orën 15:30 të së mërkurës (ora lokale në SHBA), themeluesi i Tesla dhe SpaceX ka kapur këtë shifër marramendëse, duke qenë aktualisht 150 miliardë dollarë përpara konkurrentit më të afërt, Larry Ellison. Ky moment e vendos Musk në gjysmën e rrugës drejt faktit të padiskutueshëm: njeriu i parë trilioner në histori.
Rritja e aksioneve të Tesla-s me afro 4% i shtoi pasurisë së tij rreth 9.3 miliardë dollarë brenda ditës, ndërsa investitorët vazhdojnë të reagojnë pozitivisht ndaj vendimit të Musk për t’u përqendruar më shumë tek kompania elektrike, pasi u tërhoq nga roli i tij në Departamentin e Efiçencës së Qeverisë në administratën Trump. Vetëm 12% e aksioneve që ai zotëron në Tesla vlerësohen aktualisht me 191 miliardë dollarë.
Pasuria e tij nuk lidhet vetëm me Tesla. SpaceX, kompania e raketave që Musk themeloi në vitin 2002, u vlerësua në gusht me 400 miliardë dollarë, duke i sjellë atij një pjesë prej 168 miliardësh. Ndërkohë, xAI Holdings, e formuar këtë vit nga bashkimi i kompanisë së inteligjencës artificiale xAI me platformën X (ish-Twitter), vlerësohet në 113 miliardë dollarë, nga të cilat Musk zotëron 53%, ose rreth 60 miliardë dollarë.
Rruga e tij drejt këtij rekordi ka qenë e mbushur me arritje të tjera. Në vitin 2020 pasuria e Musk ishte 24.6 miliardë dollarë. Vetëm disa muaj më vonë, në gusht të po atij viti, ai hyri në listën e pesë personave të parë që kaluan shifrën 100 miliardë dollarë. Në janar 2021 u shpall për herë të parë njeriu më i pasur në botë me 190 miliardë dollarë. Brenda katër vitesh, ai kaloi me radhë kufijtë 200, 300 dhe 400 miliardë dollarë.
Sipas parashikimeve, nëse ky ritëm vijon, Musk mund të bëhet njeriu i parë trilioner në histori përpara marsit 2033, kur hyn në fuqi një nga paketat e reja të shpërblimit në Tesla, e cila parashikon bonus deri në 1 trilion dollarë. Vetë Musk, megjithatë, ka deklaruar se çështja nuk është tek paratë, por tek ndikimi i tij i mjaftueshëm mbi Tesla për të garantuar të ardhmen e sigurt të teknologjisë robotike.
Në fund të së mërkurës, pasuria e tij ishte llogaritur me një vlerë pak më të ulët, 499.1 miliardë dollarë, por rekordi i gjysmës së trilionit tashmë është bërë pjesë e historisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto