Ekonomia e gjelbër në Shqipëri: realitet apo mirazh? - Business Magazine Albania

Ekonomia e gjelbër në Shqipëri: realitet apo mirazh?

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ngrohja globale nuk njeh kufij. Pakti i Gjelbër Evropian do të dështojë nëse pjesëmarrëse janë vetëm vendet e zhvilluara të BE-së. Është e domosdoshme që vendet në tranzicion si Shqipëria dhe fqinjët në Ballkanin Perëndimor të përfshihen në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike. Në fokus nuk duhet të jenë vetëm qeveritë dhe konsumatorët, por edhe bizneset – kjo pasi sektori privat është si kontribues ashtu edhe viktimë e ngrohjes së klimës. 

Pikësëpari, infrastruktura fizike e bizneseve ka rrezik të dëmtohet nga moti ekstrem. Gjithashtu, kompanitë ndotëse rrezikojnë të bojkotohen nga konsumatorët e rinj, të cilët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për mjedisin. Nga ana tjetër, kompanitë që përqafojnë praktikat e gjelbra mund të kenë më shumë fitim duke diferencuar produktet e tyre në treg dhe duke ulur kostot. 

Por, në këtë fushë, Shqipëria është prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Turqia udhëheq në rajon. Në Maqedoninë e Veriut – një vend tjetër me performancë të mirë – 36% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme po përpiqen të ofrojnë produkte ose shërbime të gjelbra.

Një studim i ri, bazuar në një anketë të rreth 500 kompanive që operojnë në Shqipëri, i pergjigjet pyetjeve si: Pse disa kompani ndërmarrin ‘iniciativa të gjelbra’, ndërsa të tjera jo? Cilat praktika të gjelbra biznesi janë më të përhapura në Shqipëri dhe në cilët sektorë apo kompani? Studimi është bashkëpunim mes një grupi akademik në Shqipëri dhe Australi. 

Hapa të vegjël drejt një ekonomie të gjelbër

Të dhënat tregojnë se kompanitë shqiptare i kanë kushtuar vëmendje minimale mbrojtjes së mjedisit. Në përgjithësi, njohuria dhe ndërgjegjësimi mbi biznesin e gjelbër nuk janë të larta. Megjithatë, disa masa janë prezente, si:

  • vlerësimi i konsumit ose humbjes së energjisë (që ndikon në kosto dhe në të ardhura),
  • aderimi në programe kombëtare ose ndërkombëtare të certifikimit mjedisor,
  • vlerësimi i sasisë së mbeturinave të ngurta,
  • sigurimi i transportit me autobus për stafin, klientët dhe/ose mallrat, dhe
  • bashkëpunimi me kompani të tjera për të larguar mbeturinat e riciklueshme dhe veçimin e mbeturinave të rrezikshme.

Ndërkohë, tregohet pak interes për masa si ripërdorimi ose përpunimi i mbetjeve organike, blerja e energjisë së rinovueshme nga furnizuesit vendas dhe mbledhja dhe ripërdorimi i ujit të shiut ose dëborës. Korporatat e mëdha janë pararojë, ndërsa kompanitë më të vogla, edhe kur kanë dëshirë të veprojnë, nuk kanë kapacitet financiar për mirëmenaxhimin mjedisor. 

Ka edhe ndryshime midis sektorëve. Sektorët që marrin më shumë masa të gjelbra dhe caktojnë buxhet dhe staf për këtë qëllim përfshijnë prodhimin, industrinë, bujqësinë dhe ndërtimin. Ndoshta këto sektorë mbulohen më mirë nga legjislacioni mjedisor ose përballen me më shumë presion nga ana e publikut për të ulur impaktin në mjedis. Po ashtu, praktikat e gjelbra në këto sektorë mund të ulin edhe kostot , pra përfitimi është i dyfishtë. Ndërkohë, sektorë si transporti dhe shërbimet janë prapa. Këtu përfitimet e drejtpërdrejta nga praktikat mjedisore janë më pak të dukshme.

Lexo edhe: Kur ekonomia flet gjelbër!

Vetëm një e pesta e kompanive drejtohen nga gra, gjë që pasqyron kulturën patriarkale të Shqipërisë. Kjo është për të ardhur keq sepse studimet tregojnë se kompanitë dhe korporatat e udhëhequra nga gratë janë në përgjithësi më ambientaliste.

Konteksti socio-politik i Shqipërisë

Është thënë shpesh se, në fushën e mjedisit, Shqipëria përballet me sfida si korrupsioni, mungesa e kapacitetit financiar, infrastrukturor dhe arsimor, burokracia e tepruar dhe ligjet e ndërlikuara tatimore. Por, mosrespektimi i mjedisit i ka rrënjët në historinë e Shqipërisë dhe kulturën e vendit të formuluar në dekada e shekuj. Më poshtë përmendim disa aspekte të rëndësishme që i japin kuptim gjetjeve të studimit:

Mendësi afatshkurtër. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës që kaloi vendi pas rënies së sistemit komunist. Në këtë kontekst, nevojat e menjëhershme për bukë dhe strehë morën përparësi mbi planifikimin për të ardhmen. Në nivelin makro, bizneset dhe politikanët gjithashtu kërkojnë përfitime afatshkurtra.

Mosbesim ndaj autoriteteve. Ndonëse shoqëria shqiptare është e shtresëzuar dhe autoritare, institucionet publike nuk gëzojnë besimin apo respektin e popullit. Ky qëndrim ka rrënjë historike që në periudhën e kolonizimit osman e më pas italian, por është përforcuar ndjeshëm gjatë tranzicionit (vitet ’90). Klasa aktuale politike perceptohet si e korruptuar, e pangopur dhe e paaftë. Shumë politikanë ende kanë lidhje personale me pushtetin komunist, gjë që ngjall mosbesim, cinizëm dhe pakënaqësi te popullata.

Mungesë bashkëpunimi. Kultura shqiptare anon drejt kolektivizmit, por ky nënkupton përkujdesje për familjen dhe fisin, jo komunitetin në tërësi. Komunizmi shqiptar shkatërroi kulturën e angazhimit qytetar, ndërsa kalimi në një ekonomi kapitaliste vetëm sa përforcoi individualizmin. Brezat e rinj – përfshirë biznesmenët – i vënë rëndësi suksesit vetjak dhe jo nevojave të komunitetit. Kjo kulturë reflektohet në trajtimin brutal ndaj mjedisit.

Ndërgjegjësim i ulët mjedisor. Në epokën komuniste mjedisi konceptohej si një resurs për t’u shfrytëzuar dhe jo për t’u mbrojtur. Që në atë kohë, vendi është përballur me sfida të shumta mjedisore, kryesisht nga zhvillimi i industrisë së rëndë dhe të lehtë. Edhe sot që problemet janë shumëfishuar – duke dëmtuar rëndë sektorë si bujqësia dhe energjia – përgjigjja është e pamjaftueshme. Vetëm bizneset që kërkojnë të konkurrojnë në tregun e madh evropian shfaqin interes për mjedisin.

Shpresa për të ardhmen

Përpjekjet aktuale të biznesit shqiptar janë krejt të pamjaftueshme për të adresuar problemet madhore në mjedis. Pa mbikëqyrje nga shteti apo komuniteti, shumica e kompanive shpërfillin mjedisin dhe marrin vetëm masat më pak të kushtueshme ose ato që sjellin edhe përfitime financiare.

Në të ardhmen, qeveria shqiptare duhet të analizojë dhe vendosë cilat masa janë më efektive në vend. Bizneseve u duhet bërë të kuptojnë se ndryshimet klimatike përbëjnë rrezik të madh për ta. Po ashtu, bizneset duhen mbështetur për të zhvilluar strategji fitimprurëse pa shmangur përgjegjësitë e tyre mjedisore dhe sociale. Për shembull, shteti mund të ofrojë stimuj financiarë dhe/ose tatimorë për bizneset që ndërmarrin praktika të gjelbra (si: kreditë e karbonit, etiketimi i produkteve, certifikimet e gjelbra, të drejtat e konsumatorëve për informim). 

Një ndihmë tjetër mund të jetë në formën e kurseve falas të cilat trajnojnë sipërmarrësit dhe menaxherët me hapa praktikë, si krijimi i ‘ekipeve të gjelbra’, për ta bërë kompaninë e tyre më të qëndrueshme. Ndërkohë, qeveria shqiptare duhet të veprojë edhe me anë të legjislacionit, taksave të karbonit dhe auditimeve mjedisore. Koncepti i ‘sipërmarrjes së gjelbër’ duhet të njihet me ligj.

Në një vend në tranzicion si Shqipëria, masat mbështetëse dhe ato ndëshkuese duhet të jenë në balancë: në periudhën afatshkurtër tarifat nuk duhet të jenë aq të larta sa të rrënojnë sektorin privat. Në planin afatgjatë, praktikat e qëndrueshme në biznes pritet të japin kontribut pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e përgjithshme të kombit. Fatmirësisht, në disa sektorë ekziston një potencial dhe hapësirë e madhe veprimi. 

*Ky shkrim bazohet në artikullin shkencor të mëposhtëm: Pojani, E., Grabova, P., Zaimaj, E., & Pojani, D. (2025). The color of money: green business practices in a transition economy. Journal of Risk Research, 28(3–4), 347–365. https://doi.org/10.1080/13669877.2025.2485035 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0