Nga Albana Muçaj
Veprat e artit nuk janë lehtësisht të lexueshme nga të gjithë. Kjo vështirësi për t’i kuptuar, shpesh na mban larg tyre. Por, nuk janë të tilla punimet e skulptorit Edmond Rira dhe familjes së tij me disa artistë.
Jam gjendur në salla të mëdha mbledhjesh ku kam thënë: “ky është punim i Edmond Rirës”.
Në fakt, natyra në qeramikë për mua është firma e tij, (sepse nuk mund të mos i duash këto punime), por sigurisht ka punime shumë më komplekse, realizimi i skulpturave të përmasave të ndryshme, realizimi në baltë i veshjeve popullore, vizatimet, skicat që e bëjnë unik. Për Mondin artist nuk mund të flasë një gazetare e çështjeve ekonomike. Shumë kolegë të kulturës dhe kritikë arti kanë venë në dukje talentin e tij, talentin e lindur dhe të kultivuar më së miri, me ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë familjen dhe rrethin shoqëror.
Unë dua të flas për Mondin si një komunikues i jashtëzakonshëm, i cili mbërrin edhe tek personi më i pavëmendshëm ndaj artit. Nuk mund të kalosh pranë galerisë së tij, apo të ndjekësh mediat sociale dhe të mos ndalesh tek punimet e tij.
Duke pasur parasysh Mondin artist, dhe botën përreth, e cila në epiqendër të saj ka konsumizmin, gjithnjë më ka mahnitur aftësia e tij si artist, jo vetëm për të bërë punë të bukur e cilësore, por për të çuar këtë punë deri në fund, deri në mjediset e zyrave, banesave, vilave, hoteleve, apo sallat dhe hollet e tyre, duke e ndarë këtë pasuri artistike me të tjerët,
Sot sipërmarrësit e dinë shumë mirë që nuk duhet vetëm të prodhojnë, por edhe të shesin. Madje shpenzojnë shumë kohë e para në procesin e shitjes. Për artistët, kjo është hallka më e rrezikshme, e cila mund të çojë dëm një punë të tërë, pasi veprat nuk shiten, më saktë nuk shiten në kohën e duhur.
Njohim artistë të famshëm, të cilët vlerësimet i kanë marrë shumë më vonë nga koha e tyre në jetë. Njohim sot artistë dhe studio arti, të cilat thënë troç “nuk i njohim”, nuk arrijmë të lexojmë veprën e tyre.
Por, çfarë e ka bërë Edmond Rirën, skulptor, talent në fushën e artit të jetë i vlerësuar në kohën e duhur?! Unë do të thoja, “komunikimi i qëllimshëm dhe cilësor me audiencën, klientelën.”
Galeria Rira, pranë zonës së Komunës së Parisit, është një mjedis miqësor, që të fton të shohësh, të konsumosh një kafe apo çaj në mjediset e saj, aq sa për të nisur një njohje me punimet që gjenden kudo në galeri.
Kjo gjetje nuk është e rastësishme. Edmond Rira ka treguar në disa intervista, se ka pasur në vëmendje komunikimin me audiencën që në fillim.
Artikulli u publikua më parë në faqen 50 të numrit 32 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund Abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 32 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.