Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale! - Business Magazine Albania

Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar.

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes.

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme.

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, por është e pambrojtur nga krizat klimatike. Bisedat me Lorenc Gordanin, Miriam Neziri Angonin dhe fitueset e “Green Queen’s Awards” nuk flasin për rrezik, flasin për mundësi që ende presin të kapen.

Në fund të ditës, një ekonomi që nuk e ndërton të ardhmen e saj mbi qëndrueshmërinë, rrezikon vazhdimësinë, një biznes që  nuk e ndërton të ardhmen e tij mbi qëndrueshmërinë rrezikon të humbasë aksesin në financime dhe tregje ndërkombëtare.

Sfidat e një ekonomie digjitale dhe të qëndrueshme kërkojnë koordinim midis qeverive, institucioneve financiare dhe sektorit privat, ku të gjithë aktorët e tregut duhet të bashkëpunojnë për të krijuar një ekosistem ekonomik që është digjital, inkluziv dhe i qëndrueshëm.

Për bizneset e mëdha, ky është momenti për të krijuar strategji të qarta që mbështesin inovacionin pa kompromentuar përgjegjësinë sociale dhe mjedisore, ndërsa për startup-et, kjo është koha për të sjellë ide të reja që adresojnë sfida të mëdha sociale dhe ekonomike.

Kush ka qenë pjesë e ekosistemit të startup-eve që prej 2015-s e di se sa e rrallë ishte atëherë fjala “venture capital”, sa të pakta ishin laboratorët e inovacionit dhe sa e vështirë ishte të gjeje besim tek një ide që vinte nga një 20-vjeçar pa kapital, por me ambicie. Sot, një dekadë më pas tabloja është e ndryshme: kemi akseleratorë aktivë, investitorë të interesuar, programe inkubimi, fonde më të organizuara, dhe mbi të gjitha, një brez themeluesish që nuk kërkon leje për të krijuar.

Por krahas rritjes, vjen edhe sfida më e madhe: të shndërrojmë potencialin në ekonomi reale.

Startup-et që janë pjesë e këtij edicioni, nga ANDRRA tek platforma të reja të shëndetit e teknologjisë tregojnë se krijimtaria po del nga ‘’faza romantike’’ dhe po hyn në fazën e profesionalizmit dhe pjekurisë. Sot nuk mjafton më ideja; duhet model biznesi, partneritet, integritet dhe një narrativë që bind investitorët se Shqipëria është vendi i duhur për t’i besuar kapital.

Në dekadën e ardhshme, Shqipëria do të përballet me sfidat që do të përcaktojnë vendin që do të jemi dhe do të kemi në hartën e ekonomisë rajonale dhe europiane.

Duket se jemi përballë një kapitulli sfidues, ku pyetja e madhe mbetet: Si do ia dalim?

📥  Duke ju uruar lexim të këndshëm, ju ftojmë të abonoheni  ose të shkarkoni versionin digjital të revistës këtu   

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0