EcoCharger, startup-i shqiptar që po sjell pajisjet e karikimit “Made in Albania”, me teknologji gjermane! - Business Magazine Albania

EcoCharger, startup-i shqiptar që po sjell pajisjet e karikimit “Made in Albania”, me teknologji gjermane!

EcoCharger, startup-i EcoCharger, startup-i shqiptar që po sjell teknologjinë e karikimit elektrik “Made in Albania” që po sjell teknologjinë e karikimit elektrik “Made in Albania”

Nga Eni Muça– Flavio Seferi është një inxhinier elektrik i formuar në Itali dhe Europën Veriore, i cili pas disa vitesh pune në Gjermani është kthyer në Shqipëri për të zhvilluar një startup në fushën e teknologjive të karikimit të automjeteve elektrike. Startup-i i tij, EcoCharger, po punon për zhvillimin e pajisjeve të karikimit “Made in Albania”, me teknologji totalisht gjermane, me fokus në tregun vendas dhe më pas në atë rajonal.

I lindur dhe rritur në Vlorë, Flavio u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të ndjekur studimet në inxhinieri elektrike dhe energjitike në Universitetin e Pizës. Pas përfundimit të bachelor-it, ai vijoi një program masteri me diplomë të trefishtë në Hannover, Lappeenranta dhe Shën Petersburg. Më pas punoi në Frankfurt dhe Mynih, duke u angazhuar në projekte të lidhura me sistemet energjetike dhe infrastrukturën.

Në këtë intervistë për BusinessMag Albania, ai flet për arsyet pse vendosi të nisë një startup në Shqipëri, sfidat e zhvillimit të një produkti hardware dhe planet për EcoCharger.

Sipas Flavios, një nga vështirësitë kryesore të EcoCharger ka qenë fakti që bëhet fjalë për një produkt fizik, jo për një shërbim digjital. “Ndryshe nga startup-et software, një produkt hardware kërkon prototip, prodhim dhe testim të vazhdueshëm. Kjo do të thotë më shumë kosto, më shumë kohë dhe më shumë varësi nga furnitorë dhe partnerë të jashtëm,” shpjegon ai.

Në Shqipëri, këto procese janë edhe më të ndërlikuara për shkak të mungesës së komponentëve në treg dhe nevojës për t’i importuar ato. EcoCharger ka qenë e detyruar të bashkëpunojë me partnerë jashtë vendit për prodhim dhe për disa pjesë teknike, gjë që kërkon koordinim të vazhdueshëm dhe planifikim afatgjatë.

Lexo edhe:Future2Tech 2025, mbi 5000 vizitorë dhe mbështetje për startup-et dhe bizneset

Një tjetër sfidë ka qenë balancimi i ndërtimit të startup-it me një angazhim profesional me kohë të plotë. Kjo, sipas tij, e bën edhe më të ndërlikuar menaxhimin e kohës dhe të proceseve, sidomos në një treg ku shumë procedura janë ende manuale.

Për të adresuar mungesën e kapaciteteve teknike në vend, EcoCharger ka ndërtuar një bashkëpunim me Shkollën Industriale “Vlora”. Ky partneritet u shërben të dyja palëve: startup-it i jep akses në teknikë të rinj në formim, ndërsa shkollës i ofron laboratorë, pajisje dhe trajnim në teknologji të reja.

“Është një mënyrë për të krijuar një bazë teknike lokale. Nxënësit përfitojnë nga kontakti me një produkt real industrial, ndërsa ne kemi mundësi të punojmë me njerëz që po trajnohen për tregun shqiptar,” thotë Flavio.

EcoCharger ka marrë disa vlerësime dhe çmime nga programe si Startup Albania dhe Nomad Tech, të cilat, sipas Flavios, kanë pasur një rol të rëndësishëm në rritjen e besimit dhe në ekspozimin e startup-it.

“Kur nis një startup pas shumë vitesh pune jashtë vendit, është e rëndësishme të marrësh sinjale që ajo që po ndërton ka vlerë për të tjerët,” thotë ai. “Këto programe na kanë dhënë jo vetëm mbështetje financiare, por edhe akses në mentorë dhe në njerëz me përvojë.”

Si një nga startup-et fituese të Nomad Tech, EcoCharger po përgatitet për disa hapa të rëndësishëm zhvillimi. Një prej tyre është certifikimi europian sipas standardeve TÜV, i cili është i nevojshëm për të hyrë në tregje jashtë Shqipërisë. Po ashtu, startup-i po punon për patentimin e teknologjisë së zhvilluar dhe për krijimin e dy prototipeve të rinj. Një tjetër drejtim eksperimentimi është zhvillimi i një koncepti të ri power grid për menaxhimin e karikimit, i cili synon të jetë më fleksibël për përdorim në ambiente si hotele, restorante dhe pika karburanti.

“Synimi është që, paralelisht me zhvillimin teknik, të fillojmë edhe me shitje konkrete në tregun vendas dhe të ndërtojmë një bazë klientësh,” shpjegon Flavio.

Në 3–5 vitet e ardhshme, Flavio e sheh EcoCharger si një kompani me një portofol të konsoliduar produktesh dhe shërbimesh, e fokusuar në teknologjitë e karikimit dhe infrastrukturën energjetike. Për të, rëndësi ka që rritja të jetë e lidhur edhe me krijimin e kapaciteteve lokale dhe me bashkëpunimin me aktorë të tjerë të industrisë. “Qëllimi nuk është vetëm të shesim produkte, por të ndërtojmë një bazë teknike dhe një ekosistem që funksionon,” thotë ai.

Në fund, sipas Flavios, EcoCharger synon të jetë një shembull se edhe në Shqipëri mund të zhvillohen produkte teknologjike industriale, nëse kombinohen njohuritë, partneritetet dhe një qasje afatgjatë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0