E fundit/ SHBA dhe Kina bien dakord për një armëpushim tregtar 90-ditor - Business Magazine Albania

E fundit/ SHBA dhe Kina bien dakord për një armëpushim tregtar 90-ditor

Pas bisedimeve të fundjavës me zyrtarë kinezë në Gjenevë, Sekretari Amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se të dyja palët kishin rënë dakord për një pauzë 90-ditore në masat tregtare ndëshkuese. Shtetet e Bashkuara do të tërheqin tarifat shtesë të vendosura këtë vit ndaj mallrave kineze, duke i ulur ato nga 145% në 30%. Në të njëjtën kohë, Kina do të përgjysmojë tarifat ndaj produkteve amerikane nga 125% në 10%.

“Të dy vendet përfaqësuan interesat e tyre kombëtare në mënyrë shumë të mirë,” deklaroi Bessent. “Ne kemi një interes të përbashkët për një tregti të balancuar dhe SHBA do të vijojë drejt këtij qëllimi.”

Ai shtoi se “konsensusi nga të dy delegacionet ishte i qartë: asnjëra palë nuk dëshiron një shkëputje të marrëdhënieve ekonomike. Ajo që kishte ndodhur me këto tarifa shumë të larta… ishte e barasvlershme me një embargo. Dhe askush nuk e dëshiron këtë. Ajo që duam është tregtia.”

Takimet në Gjenevë ishin kontakti i parë ballë për ballë mes zyrtarëve të lartë ekonomikë të dy vendeve që prej kthimit të Donald Trump në pushtet dhe nisjes së një vale globale tarifash, me fokus të veçantë ndaj Kinës.

Lexo edhe: Bill Gates do të dhurojë 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045

Përplasja tarifore kishte ngrirë pothuajse 600 miliardë dollarë në shkëmbime tregtare, duke shkaktuar ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit, frikë nga stagflacioni dhe disa shkurtim vendesh pune.

Tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj këtij zbutjeje të tensioneve dhe futures e bursave në Wall Street u rritën, duke rritur shpresat se mund të shmanget një recesion global.

“Ky është pa dyshim një lajm shumë pozitiv për ekonomitë e të dy vendeve, por edhe për ekonominë globale. Kjo i qetëson ndjeshëm investitorët për dëmet afatshkurtra në zinxhirët globalë të furnizimit,” u shpreh Zhiwei Zhang, kryeekonomist në Pinpoint Asset Management në Hong Kong.

Trump kishte vendosur tarifat pjesërisht pasi shpalli një emergjencë kombëtare për shkak të hyrjes së fentanylit në SHBA. Përfaqësuesi Amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, i cili foli krah Bessent, tha se diskutimet mbi frenimin e këtij opioidi vdekjeprurës ishin “shumë konstruktive”, edhe pse zhvilloheshin në një pistë të veçantë.

Reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0