E ardhmja e sipërmarrësve në Shqipëri – Historia e një vendi që po zgjohet - Business Magazine Albania

E ardhmja e sipërmarrësve në Shqipëri – Historia e një vendi që po zgjohet

Shpesh historia fillon kështu: dikush vjen rastësisht në një vend, sheh përreth dhe ndjen se diçka po lëviz nën sipërfaqe. Një energji që s’ka marrë ende formë, një potencial që pret momentin e duhur. Shqipëria është pikërisht aty sot — si një pendë e lehtë që mund të ngjitet lart sapo dikush fryn në drejtimin e duhur. Një nga të parët që e ndjeu këtë ndryshim ishte Andreas Wil Gerdes. Ajo që pa këtu e surprizoi pozitivisht:

“Edhe fshatrat më të vegjël kanë fibra optike. U shokova në mënyrë pozitive. Problemi nuk është rrjeti, por fakti që nuk po përdoret.”

Ai zbuloi një të vërtetë që shumë e kishin injoruar: Shqipëria ka tashmë një shtyllë moderne digjitale, por një shoqëri që ende heziton ta përdorë atë potencial. Sot vendi ndodhet para një momenti të madh transformimi, në prag të një vale të re krijuesish, ndërtuesish dhe guximtarësh. Gerdes e përshkruan si një “pandemi pozitive”: nëse 10 mijë të rinj fillojnë të përdorin teknologjinë si duhet, të tjerët do t’i ndjekin. Ndryshimi nuk vjen nga lart, por nga vetë të rinjtë që bëhen mësuesit e brezit të tyre. Dhe kjo është ajo që i duhet Shqipërisë: një zhvendosje mendësie, nga hezitimi tek veprimi. Rruga është gati, mungon vetëm hapi.

Lexo edhe:Si mund ta shpëtojë digjitalizimi sistemin elektrik global

Sot mjafton të ecësh nëpër Shqipëri për ta ndjerë këtë ndryshim. Në qytetet bregdetare po lind kreativiteti. Kafenetë e Tiranës janë kthyer në qendra të krijuesve, sipërmarrësve, nomadëve digjitalë dhe diasporës që kthehet. Të rinjtë mendojnë globalisht, jo vetëm lokalisht. Por mbi të gjitha po ndodh një ndryshim më i thellë. Gerdes e thotë qartë: “Nuk besoj te turizmi. Besoj te njerëzit që krijojnë një jetë nga e cila nuk kanë nevojë të arratisen.”

Shqipëria mund të ofrojë pikërisisht këtë — jo një vend ku njerëzit vijnë të “shkëputen”, por një vend ku vijnë për të jetuar, për të mësuar, për t’u bërë pjesë. Jo pushime, por stil jetese. Sot, Shqipëria është aty ku dikur ishin Portugalia, Estonia apo Malta — përpara ngritjes së madhe. Me pak struktura të ngurta, me shumë hapësirë për të krijuar e eksperimentuar.

Vendi është plot kontraste që krijojnë mundësi:

  • infrastrukturë moderne, por shkolla që presin rinovim;
  • të rinj plot energji, por treg pune ende i vjetër;
  • qytete të vogla me pak konkurrencë, por potencial të jashtëzakonshëm.

Në këtë mes futet edhe diaspora, një forcë e pazakonshme. Shqiptarë nga Italia, Gjermania, Zvicra, Kanadaja po kthehen me përvojë, kapital dhe vizion. Dhe kur bashkohen dy energji — të rinjtë vendas dhe ata që kthehen me përvojë globale — lindin ndryshimet më të mëdha. Gerdes zgjedh gjithmonë sheshin e një fshati për të biseduar me njerëz, për të kuptuar pse bëjnë gjërat në një mënyrë të caktuar. Sepse aty lind sipërmarrja — jo në Excel, por në dëgjim, kureshtje dhe dialog. Shqipëria është një vend ku çdo bisedë mund të bëhet ide dhe çdo ide mund të bëhet projekt. Infrastruktura është gati. Të rinjtë janë gati. Diaspora është gati. Mungon vetëm shkëndija.

Imagjino Shqipërinë pas 10 vitesh:

  • godina industriale të kthyera në studio startups;
  • qytete bregdetare të mbushura me krijues dhe profesionistë që zgjedhin të jetojnë këtu;
  • fibra optike në fshatra që ushqen inovacion lokal;
  • një ekonomi që ndërtohet nga komuniteti, jo nga sezonaliteti.

Shqipëria është e hapur. Për inovacionin, për talentin, për idetë, për njerëzit që ndërtojnë. Dhe siç thotë Gerdes: “Qëllimi nuk është të tërheqim turistë. Qëllimi është të tërheqim njerëz që vendosin të ndërtojnë jetën e tyre këtu.”

Shqipëria nuk është thjesht një vend. Është një kanavacë bosh. Një ftesë për të krijuar të ardhmen.

mebolife

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0