E ardhmja e Donald Trump, presidentit të parë që i nënshtrohet dy herë votimit për shkarkim - Business Magazine Albania

E ardhmja e Donald Trump, presidentit të parë që i nënshtrohet dy herë votimit për shkarkim

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi për ngritjen zyrtarisht të akuzave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Demokratët kanë kaluar pragun për vota të mjaftueshme për të larguar nga posti. 232 anëtarë kanë votuar për të shkarkuar Trump, mes të cilëve janë edhe 10 anëtarë republikanë. Rezoluta e fajësimit akuzon Trump me një artikull të vetëm, “nxitje të kryengritjes”, për rolin e tij në trazirat vdekjeprurëse në Capitol gjatë javës së kaluar.

Edhe pse mandati katër vjeçar i Presidentit Trump skadon në mesditën e 20 janarit, projekt-rezoluta me katër faqe e Dhomës së Përfaqësuesve propozon ngritjen e akuzave për shkarkim duke theksuar se Presidenti Trump ka “demonstruar se ai do të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet të vazhdojë detyrën dhe ka vepruar në kundërshtim të fortë ndaj vetëqeverisjes dhe sundimit të ligjit.”

Projekt-rezoluta citon akuzat e pabazuara të Trump se ai humbi zgjedhjet për shkak të manipulimit të votave dhe parregullsive gjatë numërimit të votave, presionin i tij mbi zyrtarët e zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’ia “gjetur” atij më shumë se 11,000 vota për të përmbysur fitoren e Biden në këtë shtet dhe thirrjet drejtuar mbështetësve të tij në një tubim të mërkurën e kaluar që të marshonin drejt Capitol për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do t’i dërgojnë menjëherë akuzat për shqyrtim në Senat, duke pasur parasysh që mandati i Trump përfundon javën e ardhshme. Edhe nëse zoti Trump do të largohej nga detyra, një vendim i Senatit pro akuzave pas përfundimit të mandatit, do ta ndalonte atë të kandidonte për një post zyrtare në qeverinë federale në të ardhmen.

Përpara votimit të rezolutës të martën, zëvendëspresidenti Mike Pence i dërgoi një letër kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi duke shpjeguar se ai nuk do të merrte veprime bazuar në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA, sipas të cilit nënpresidenti dhe shumica e anëtarëve të kabinetit deklarojnë një president të paaftë duke e shkarkuar atë nga detyra.

Historiku

Me prani të shtuar të trupave të armatosura të Gardës Kombëtare brenda dhe jashtë Capitolit, një debat emocional është zhvilluar të mërkurën në po të njëjtën sallë të Dhomës, ku ligjvënësit një javë më parë ishin strehuar poshtë tryezave dhe ishin pajisur me maska gazi, teksa turmat po përlesheshin me policinë përpara dyerve.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nxitur këtë kryengritje, këtë rebelim të armatosur kundër vendit tonë të përbashkët”, ka thënë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, një demokrate, para se votimi të mbahej. “Ai duhet të shkojë. Ai është qartazi dhe bindshëm një rrezik për kombin që ne duam”.

Asnjë president amerikan nuk është shkarkuar më parë nga detyra nëpërmjet procesit të shkarkimit. Trumpi më 2019, Bill Clintoni më 1998 dhe Andrew Johnsoni më 1868 – ishin shkarkuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve, por ishin shfajësuar më pas nga ana e Senatit. Shkarkimi ndodh në kohën e thellimit të ndasive politike në SHBA-në e plandosur nga pandemia, afër përfundimit të presidencës përplot trazime, në të cilën Trumpi qeverisi me mesazhin djathtist populist “Amerika në rend të parë”.

Kongresisti demokrat, Julian Castro, dikur kandidat presidencial, e ka quajtur Trumpin “burrin më të rrezikshëm që ka qenë ndonjëherë në Dhomën Ovale”. Kongresistja Maxine Waters e akuzoi Trumpin se dëshiron luftë civile, teksa demokrati Jim McGovern ka thënë se presidenti “ka nxitur tentim grushti shteti”.

Disa republikanë kanë argumentuar se iniciativa për shkarkim ishte gjykim i nxituar që i anashkalon procedurat e zakonshme, si seancat dëgjimore, dhe u ka bërë thirrje demokratëve që të heqin dorë nga përpjekja në emër të unitetit dhe shërimit kombëtar. “Shkarkimi i presidentit brenda një kohe kaq të shkurtër do të ishte gabim”, ka thënë Kevin McCarthy, republikani kryesor në Dhomë. “Kjo nuk do të thotë se presidenti nuk është fajtor. Presidenti e bart përgjegjësinë për sulmin e së mërkurës në Kongres, prej anës së protestuesve”.

Aleatët më të ngushtë të Trumpit, si republikani nga Ohio, Jim Jordan, ka shkuar edhe më tutje, duke i akuzuar demokratët për veprime të nxitura kryekëput nga interesat politike.

“Kjo ka të bëjë me heqjen qafe të presidentit të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Jordan, të cilin Trumpi e kishte dekoruar me Medaljen Presidenciale të Lirisë në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë, gjatë kësaj jave. “Gjithnjë për këtë kishte qenë, pa marrë parasysh të gjitha. Është fjala për opsesion”.

Shkarkimi është masa e paraparë nga themeluesit e Amerikës në shekullin 18 për t’ia mundësuar Kongresit largimin e një presidenti i cili, sipas Kushtetutës, ka ndërmarrë vepra “të tradhtisë, ryshfetit apo krimeve e kundërvajtjeve të tjera të larta”. Në rastin e shkarkimit përfundimtar të Trumpit, Kushtetuta amerikane parasheh që nënpresidenti, Mike Pence, të bëhet president dhe ta përfundojë mandatin e tij.

Dhoma e shkarkoi Trumpin pasi që ai i anashkaloi thirrjet për dorëheqje, ndërsa Pence iu shmang kërkesave të demokratëve për ta aktivizuar dispozitën kushtetuese për shkarkimin e presidentit. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kishin votuar më herët për shkarkimin e Trumpit në dhjetorin e 2019-s, nën akuzën për abuzim me pushtetin dhe për pengimin e punimeve të Kongresit me anë të kërkesës adresuar Ukrainës për ta hetuar Bidenin dhe të birin e tij, Hunter, para zgjedhjeve. Mirëpo në shkurtin e 2020-s, Senati votoi për ta mbajtur Trump në detyrë.

Neni i shkarkimit të së mërkurës e akuzoi Trumpin për “nxitje të kryengritjes”, duke pretenduar se ka provokuar dhunë kundër Qeverisë amerikane në fjalimin para mbështetësve. Neni citon po ashtu telefonatën e Trumpit më 2 janar, në të cilën ai ia kërkon një zyrtari në shtetin e Georgias që “t’i gjejë” votues për ta përmbysur fitoren e Bidenit aty. Në fjalimin e 6 janarit, Trumpi i kishte përsëritur pretendimet për mashtrime të gjithmbarshme në zgjedhje dhe për parregullsi që ia “rrëmbyen” fitoren. U kishte thënë mbështetësve që “ta ndalin vjedhjen”, “të tregojnë forcë”, “të luftojnë më ashpër” dhe të përdorin “rregulla shumë më të ndryshme” ndërsa kishte premtuar të shkonte bashkë me ta në Capitol, ndonëse nuk e bëri.

“Nëse nuk luftoni me gjithë fuqinë, nuk do ta keni më vendin”, u tha ai. Demokratët tani mund gjithashtu të insistojnë për shkarkimin nëpërmjet gjykimit në Senat, në përpjekjen për ta çuar përpara votimin që do t’ia bllokonte Trumpit përhershëm kandidimin për këtë post.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0