Pak nga ju mund të keni dëgjuar për historinë e suksesit të Dritonit. Kjo sipas tij ka një shpjegim pasi ai e cilëson veten një person introvert dhe ka lënë suksesin të flas për punën e tij dhe pak të flas vetë.
Dritoni është një nga të paktët sipërmarrës të cilët angazhohen në mbështetjen e ekosistemit të startup-eve në Kosovë. Është një nga themeluesit e Cacttus, e cila është kompania më e madhe në Kosovë dhe Shqipëri sa i përket ICT-së, një nga bashkëthemeluesit e IPKO institute, ICK-së (Qendra e Inovacionit të Kosovës) themelues i Recura e cila është një kompani konsulence manaxheriale dhe financiare në Kosovë. Për këto dhe shumë të tjera do të na flas sot Dritoni në Business Magazine Albania.
- Kur nisi gjithçka dhe a ishte sipërmarrja ajo që kishit parashikuar gjithmonë për të ardhmen tuaj?
Ky rrugëtim filloi në vitin 1992. Ishte koha e impaktit të regjimit serb në Kosovë: shkollat ishin të ndara dhe mësimi mbahej nëpër shtëpi: “diferencimi politik” kishte ose ishte gati për të përfunduar. Asgjë në Kosovë nuk kishte në horizont për të ardhmen e një të riu si unë në atë kohë: i ri (25 vjeç), njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës angleze, njohuri bazike në punë me kompjuter, pa mundësi për shkollim të mëtejshëm në ato kushte dhe pa perspektivë për të ardhme. Shumica e shokëve shfrytëzuan momentin dhe rastin e fundit për lëvizje pa viza dhe u larguan për Londër (UK), Gjermani, Zvicër dhe SHBA. Unë mbeta për të ndihmuar dhe mbajtur familjen. Me ndihmën dhe financimin e dy vëllezërve u blenë pajisjet e nevojshme, regjistrova kompaninë e parë, e shndërrova dhomën time në zyre (SOHO) dhe kështu fillova të punoja nga shtëpia. Fillimisht ofroja shërbime të DTP (desktop publishing, përgatitje për print dhe dizajn). Në fund të vitit 1994 kisha 4 të punësuar dhe e pata rinovuar një pjesë të shtëpisë për takime me klientët. Ky ishte edhe viti kur bashkëthemelova edhe kompaninë e dytë INDesign dhe filluam të ofronim shërbime interneti, trajnim për përdorim interneti, etj.
Dalja në rrugën e sipërmarrjes ishte më shumë e rastësishme dhe mbi të gjitha e “dhunshme” sesa e kërkuar nga unë. Tani që reflektoj, kam përshtypjen që nuk mund të ndodhte ndryshe, por realisht nuk e kam ëndërruar, as nuk e kam pasur si ambicje. Gjithmonë kam ëndërruar që të punoj në ekipe, me njerëz, të filloj dhe krijoj gjëra nga zero dhe jo të udhëheq domosdoshmërisht. Dhe kështu edhe ndodhi në shumicën e rasteve.
- Burimet financiare për të krijuar një sipërmarrje është një nga problemet. Në hapat tuaj të parë si i keni dhënë zgjidhje këtij problemi?
Financimin e parë e kisha nga financimi i vëllezërve. Ata dhe familjet e tyre mbeten pa të ardhura dhe u detyruan të gjenin modalitete të tjera angazhimi. Njëri nga këto modalitet ishte investimi në mua. Në ditët e sotme kjo do të quhej investim nga Family &Friends që kanë simuluar “Investment Angels”. Financimi i vazhdueshëm ishte një lloj i “bootstrapping”, pra financim nga kursimet dhe mjetet personale, dhe kjo zgjati së paku deri në fund të vitit 1999. Në vitin 1995 INdesign, u financua po në të njëjtën mënyrë por tani më nuk ishte as biznes familjar, por bashkim financa dhe mjetesh, ishim tre partnerë.
Edhe pse shqiptarët e kosovës dhe specifikisht qytetet e mëdha sikur Prishtina, Peja e Prizreni kanë pasur shpirt sipërmarrësi, nuk ka pasur aq kulturë, dije dhe vullnet për të investuar në pronësi në formë të kapitalit, por më shumë janë preferuar instrumentet e huadhënies (jo institucionale gjithmonë, pra huat nga persona fizik). Dhe në shumicën e rasteve këto edhe kanë funksionuar mirë, normalisht nëse nuk kanë qenë në formë të fajdeve.
- Ju jeni një nga mbështetësit e ekosistemit të startup-eve në Kosovë. Përveç angazhimit tuaj në ICK (Innovation Centre Kosovo), cilat janë angazhimet tuaja në ekosistem? Çfarë ju incentivon që të shpenzoni kohë për të mbështetur sipërmarrësit e rinj në Kosovë dhe cila është kthimi që prisni nga ky investim (në kohë dhe para)?
Së pari unë angazhohem qoftë nëpërmjet aktiviteteve të organizatave dhe ndërmarrjeve sikur CEED, EYE, NASA Challenge, etj. Si edhe nëpërmjet iniciativave globale sikur GEW – Global Entrepeneurship Week, Startup Bootcamp, Startup Wise Guys, etj. Me shumë kënaqësi i bashkangjitem aktiviteve të secilit aktor në fushën e starup-eve që i sjell vlerë ekosistemit.
Nga ana tjetër, me RECURA, me ndihmën e fondeve të KFW dhe Finance In Motion, gjithashtu edhe me GIZ-in Gjerman dhe me ndihmën e ambasadës Norvegjeze, prej disa vitesh i ofrojmë një numri të konsiderueshëm startupe konsulencë me fokus në rritje, përmirësim të produkti, gjetje dhe ndërmjetësim në investime.
Ajo e cila më shtyen pafund është një lloj “apetiti” (oreksi) për të ndihmuar në krijimin dhe ndërtimin por edhe për të sjellë produkte, shërbime dhe zgjidhje të reja në treg duke i ofruar mundësi për rritje individëve që nuk e kursejnë veten për të arritur suksesin. Tani, nuk po e them për të keq, por unë nuk jam përfaqësues i denjë i sipërmarrësve që e ka synim primar fitmin – profitin. Unë jam më shumë i etiketuar si kombinim i hustler (hard working) dhe social entrepeneur. Nuk është që nuk pres kthim financiar, dhe që nuk e parashikoj dhe llogaris, por disi në fazat e hershme të startup-it, së paku për 4-5 vitet e para më shumë jam i interesuar që kompania të zhvillohet dhe rritet, e fitimi vjen kurdo.
- Pjesa më e madhe e kompanive tuaja operojnë në ICT dhe konsulencë financiare. Nga eksperienca juaj, çfarë vëreni që ju mungon njohurive që të rinjtë marrin në institucionet e edukimit në Shqipëri dhe Kosovë?
Së pari, Librat. E di që tingëllon çuditshëm, por unë e shoh problemin më të madh tek mungesa e kulturës së leximit dhe përkushtimit për të lexuar, që nga mosha e re, zëvendësimi i librave me telefona të mençur(spartphone) dhe përmbajtje super të shkurtuar në formë të videove, audio dhe mesazheve të shkruara (chat), etj. Problemi nis që nga çerdhja dhe kopshti, vazhdon në shkolla fillore e të mesme. Kur një i ri arrin të regjistrohet në universitet, apo tenton të punësohet, kanë humbur shumë vite, të cilat janë shumë të vështira për të kompensuar mungesën e njohurive të përgjithshme e aq të nevojshme në botën ku sot jetojmë.
Së dyti , shkëputja nga realiteti dhe metodologjia e vjetëruar e mësimit;
-
-
- Shkëputja nënkupton fokusin dhe aplikueshmërinë e njihurive në jetën reale sot dhe në të ardhmen. Nuk them që duhet ta harrojmë historinë, por ta përshtasim me qëllim që të kuptojmë sa më mirë realitetin në të cilin jetojmë.
- Bota ku jetojnë të rinjtë është përplot pajisje dhe aplikacione – dhe këto duhet “shfrytëzuar” maksimalisht për të arritur lidhjen sa më të mirë ndërmjet botës akademike, përmbajtjes së pafund, dhe veglave të mediave sociale dhe pajisjeve të mençura.
-
Së treti, aftësi komunikimi kritik (shkrim dhe verbal), prezantimi, shitje dhe negocimi, punë ekipore, etikë të punës dhe aftësi udhëheqje (leadership). Dhe duhet kuptuar drejtë, këto nuk janë të ashtuquajtura “soft skills”, këto janë shkathtësitë për të ardhmen, janë “essential skills”, sepse edhe pse teknologjia në botën e AI (artificial intelligence) dhe ML (machine learning) janë të domosdoshme, ato janë shumë më të fuqishme në duart e “geeks” që janë emocionalisht të arsimuar.
Mungesa e empatisë – unë jam ithtar i shkollës së Design Thinking (DT)– dhe hapi i parë i DT është empatia, sepse empatia është shkathtësi që na mëson dhe na lejon të kuptojmë dhe të ndajmë të njëjta kuptime dhe ndjenja që i ndiejnë të tjerët. Shpesh e them që për të kuptuar nevojën apo problemin e dikujt tjetër, ne duhet të veshim këpucët e tyre dhe të lidhemi e kuptojmë se çfarë ndjejnë ata për problemet, gjendjet apo situatat në të cilat ndodhen. Shkathtësitë e lidhura me empatinë duhet të shndërrohen në vlera themelore në shtëpitë, shkollat dhe punët e angazhimet tona. Empatinë duhet ta “institucionalizojmë disi” dhe ta bëjmë pjesë integrale të arsimimit dhe edukimit në shoqëri.
- Ju keni zgjedhur të jeni bashkëpronar dhe bashkëthemelues i të gjithë kompanive tuaja. Përveç ndarjes së “riskut” çfarë “fshihet” pas këtij strategjie?
Besoj se aftësia për të punuar në ekip dhe për të bashkëpunuar me të tjerët, është një ndër më të rëndësishme për të qenë sipërmarrës. Unë jam partizan i besimit se sipërmarrja tek njeriu është e lindur, por edhe mund të mësohet nëse personi i ka disa predispozita. Tani mënyra se si unë e kam përzgjedhur modelin e bashkëpunimit, bashkëpronësisë dhe bashkëthemelimit ka të bëjë shumë me shumë elemente:
Së pari, unë besoj se dy palë sy vlejnë më shumë se një. Të gjitha projektet, produktet, kompanitë e mëdha janë krijuar me punë ekipore dhe jo nga një person. Para disa vitesh, gjatë verës, kam lexuar me shumë përkushtim librin e Walter Isaacson – The Innovators: How a Group of Inventors, Hackers, Geniuses and Geeks Created the Digital Revolution, dhe në historinë e 300 viteve të kaluar të inovacionit dhe sipërmarrjes në teknologji, është evidente që pas çdo historie të suksesit qëndron një ekip i partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe sipërmarrësve që kanë plotësuar njëri-tjetrin, herë pas here edhe konkurrentë, dhe jo gjithmonë në marrëdhënie të mira. Kjo është diçka që me vullnet të mirë e kam ushqyer dhe vazhdoj ta bëjë.
Ky plotësim i njëri-tjetrit por në anën tjetër edhe diferencat në; personalitet, edukim, njohuri e përvojë sjellin gjithmonë rezultate më të mira sesa njëmendësia. Mundësia për t’u këshilluar me njëri-tjetrin, përfituar nga njohuritë, përvojat, dështimet dhe sukseset, mënyra të ndryshme të menduarit dhe shkathtësitë e ndryshme për mua janë vlerë shumë më e madhe sesa pronësia 100% e kompanisë.
Empatia, prapë u kthyem tek kjo temë, është gjithashtu element që ka ndikuar që në kompani të kthehen në partnerë, edhe një numër i konsiderueshëm i punonjësve të suksesshëm. Dëshira që edhe të tjerët të jenë pjesë e suksesit ka qenë përcaktuese për ti afruar të tjerët, por gjithmonë me kujdesin më të madh për të diversifiku sa më shumë ekipin e bashkëthemeluesve apo bashkëpronarëve.
Normalisht, në disa projekte, edhe arsyeja e ndarjes së riskut ka qenë arsyeja për bashkëpronësi.
- Nëse do të bënim një paralelizëm të themeluesve të APPLE, ku kemi Steve Jobs personi me të cilin lidhet marketimin dhe shitja e produktit dhe nga ana tjetër kemi prodhuesin e produktit që është Steve Wozniak. Ju me cilin prej modeleve e personifikoni veten?
Hmm. Pyetje shumë interesante. Nuk e di të them me saktësi se cili jam prej tyre. Unë në sipërmarrje kam hyrë si person teknik, ose më mirë me thënë “geek”, por me kalimin e kohës kam lëvizur, dhe nga një specialist jam kthyer në gjeneralist. Një nga premisat themelore të sipërmarrjes është se fakti sa pak veta dinë. Dhe duhet ballafaquar dhe duhet mësuar për dizajn, inovacion , financa, teknologji, menaxhim të njerëzve, menaxhim të investimeve, prodhim, shitje, marketing e kështu me rradhë e pa fund. Ashtu si e thashë edhe më herët, as Apple nuk do të ishte ajo që është nëse nuk do ishin Wozniak, Jony Ive, ashtu sikurse Microsoft nuk do tëishte i njejtë pa Gates, Allen, Balmer e te të tjerë.
- Besoj se brain drain, emigrimi i të rinjve të kualifikuar vihet re edhe në Kosovë dhe sidomos në sektorin ICT. Cilat janë hapat që mendoni se duhen marrë për të frenuar këtë si dukuri, e cila ka prekur edhe sektorin privat.
“Brain-drain” është e dhimbshme jo vetëm për Kosovës, Shqipërisë por edhe për rajonin. Për ta zhdukur ose eliminuar është e pamundur, por për ta zbutur dhe “për të mos e ndihmuar”, kjo është e mundur. Ajo që do të duhet të bënim që mos me i humb të rinjtë tanë, është që të punojmë në eliminimin e shkaqeve që i shtyejnë ata të largohen. Edhe pse do të tingëllojë si “cliche”, por infrastruktura më e mirë (fizike, rrugore, ligjore) siguria sociale, rritja ekonomike, GDP më e lartë, shëndetësore, sistem cilësor i edukimit, qasje më e lehtë në financa, mundësitë më të mira për punësim, dhe gjithsesi incentivat për sektorin do të ishin disa mënyra për të zvogëluar ose së paku pjesërisht frenuar këtë dukuri. Mos të harrojmë që shumica e të punësuarve në sektorë i kanë të ardhurat e krahasueshme (cost vs quality of living) me Europe, por ajo që i shtyen të largohen janë “sëmundjet” e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku mund të përmendim; niveli jo i mirë i edukimit, niveli i ulët i cilësisë së shërbimeve në sektorin e shëndetësisë, mungesa e stabilitetit politik, korrupsioni, nepotizmi, mospërkrahja e sektorit, etj.
- Në disa nga intervistat ju nënvizoni shpesh edhe rendësin e punës vullnetare. Çfarë keni mësuar dhe cili është ai mesazh që doni të përcillni tek ata që ju lexojnë me këtë?
Së pari, unë e them shumë shpesh dhe e besoj, se secili prej nesh do të duhet të kishte së paku 3-4 dimensione paralele të jetës në universin ku jemi:
-
-
- Familja është i pari dimension, angazhimi dhe përkushtimi më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm
- Dimension tjetër është puna që do, ku krijon produkte dhe shërbime të reja dhe krijon vlerë, puna që sjell njohje të reja dhe punësim të vazhdueshëm edhe për të tjerët.
- Dimensioni tjetër është ai i shoqërisë ku secili prej nesh është subjekt përfitues dhe dhurues, ose së paku duhet të jetë. Besoj se kjo qasje ka qenë diçka e “instaluar” tek unë nga prindërit. Kombinimi mendor ku vazhdimisht është theksuar që ne duhet të jemi kontribuues të vazhdueshëm i mirëqenies shoqërore dhe të punojmë në përmirësimin e ambientit që na rrethon, pa dallim angazhimi dhe jo me interes përfitimin, kanë qenë elemente që kanë ndikuar që ky mentalitet të ngulitet dhe forcohet tek unë. Në vitin 1994 në revistën KOHA fillova të mbaja shkrime të rregullta javore lidhur me trendet në teknologji dhe zhvillimin e TIK në Kosovë dhe rajon. Pas vitit 1999, jam angazhuar në shumë aktivitete dhe OJQ kombëtare e të huaja. Ndër të tjera kam qenë njëri nga bashkë ideatorët dhe themeluesit e IPKO Institute, kam bashkë-themeluar STIKK (shoqatën e kompanive të teknologjisë së informacionit) dhe disa vite me rradhë kam qenë në Board, kryetar e nënkryetar i organizatës, kam qenë ideator i ICK-së dhe ende jam në bord të saj. Të gjitha këto dhe shumë të tjera janë aktivitete dhe angazhime vullnetare, pa pagesë. Kështu kanë qenë dhe do të mbeten. Arsyeja është e thjeshtë: puna që bëj në bizneset ku jam ka si synim mes tjerash edhe gjenerimin e të ardhurave. Ndërsa obligimi im qytetar dhe si pjesëtar i shoqërisë nuk mund të “lahet” me para.
-
- Cilat kanë qenë sfidat me të cilat është përballur CACTTUS në vitet e para të operimit?
CACTTUS sikurse edhe shumica e startup-ave dhe kompanive në fushën e TIK është ballafaquar me një numër të sfidave që pak a shumë janë të ngjashme për sektorin në rajon. Së pari, ka qenë dhe është ende mungesa kronike e fuqisë së kualifikuar punëtore. Edhe pse një numër gjithnjë më i madh i të rinjve po zgjedhin shkollimin në fushën e TIK, fakti që ka rritje të numrit të kompanive lokale dhe ndërkombëtare në sektor, mundësia për punësim jashtë vendit dhe angazhimi në platforma virtuale të punësimit e ka vështirësuar edhe më shumë qasjen në talente dhe krijimin e mirëmbajtjen e infrastrukturës ë shëndoshë e të qëndrueshme të të punësuarve. Këtë sfidë CACTTUS e ka menaxhuar deri diku me krijimin e shkollës profesionale CACTTUS Education e cila jo vetëm për ne por për një numër të kompanive është burim i personelit të kualifikuar e trajnuar në industrinë e TIK.
Sfidë tjetër është madhësia e tregut – i gjithë rajoni ka potencialin e limituar të rritjes së tregut dhe përballë faktit që digjitalizimi në industri dhe sektorë të ndryshëm po merr hov, tregu edhe për nga volumi, kërkesa por edhe për nga sofistikimi i shërbimeve dhe produkteve lë shumë për të dëshiruar. Kjo pjesërisht ndikohet edhe nga niveli jo i mjaftueshëm ose i ulët i kërkesës për shërbime më të sofistikuara. Me fjalë të tjera, sfidë më vete është edukimi i tregut për të pranuar. Eksperimentuar dhe futur inovacionin në bizneset e tyre me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së kompanive që i përfaqësojnë. Ky fakt e ka sfiduar CACTTUS grupin e kompanive që të krijojë disa spin-off të kompanisë në fusha të veçanta e të specializuara me qëllim që për tju qasur sa më lehtë tregut lokal dhe tregjeve të jashtme.
Tjetër sfidë është mungesa e përkrahjes institucionale të sektorit të TIK dhe biznesve në teknologji. Derisa disa nga shtetet në rajon, e kanë shpallur si industri me më shumë potencial për rritje dhe që ofronë incentiva dhe mbështetje të vazhdueshme si për investitorët lokal ashtu edhe ndërkombëtar. Kosova ka bërë shumë pak ose aspak në këtë drejtim. Shumica e projekteve mbështetëse vijnë nga donatorët ndërkombëtarë dhe ato janë kuptohet të limituara si në volum ashtu edhe në përmbajtje.
Qasja në financa, e posaçërisht në financim alternativ (angel investment, fonde investive, venture capital) janë dhe kanë qenë po ashtu sfida për rritjen e CACTTUS dhe kompanive të ngjashme në sektor. Por në anën tjetër mungesa e financimit të jashtëm (pos instrumenteve tradicionale të bankave) e vështirëson dhe ngadalëson rritjen në krahasim me kompanitë dhe ato në tregjet e jashtme.
- Cili është vizioni juaj për CACTTUS?
Vizioni i CACTTUS ka ndërruar disa herë në 17 vite, që prej themelimit. Së fundmi me krijimin (spin-off) e 3 kompanive të reja brenda grupit, specifikisht secila e ka ndryshuar vizionin e saj të zhvillimit. CACTTUS Business solutions (CBS) për shembull ka vizionin që të rris prezencën me produkte dhe shërbime në tregjet gjermano-folëse me zgjidhje unike për industri specifike. Vizioni është që të rritet vazhdimisht, të krijojë dhe punësojë persona që janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje të avancuara për bizneset e vogla dhe të mesme në tregun Zviceran dhe Gjerman. Harrisia, software development, është ndërtuar si one-stop-shop për zgjidhje dhe aplikacione softuerike sipas kërkesës dhe kryesisht ju shërben klientëve që pretendojnë ndërtimin e aplikacioneve (dhe zgjidhjeve mobile) tailor-made. CACTTUS Education(CE) në anën tjetër synim e ka të identifikohet si ofruesi më cilësor i arsimimit profesional, dhe trajnimeve në fushën e TIK jo vetëm në Kosovë. Përvoja e gjatë në këtë fushë e ka bërë CE që të ndërtojë kredibilitetin dhe të krijojë persona që gjejnë punësim pa trajnim shtesë, edhe gjatë periudhës së shkollimit.
- Në Kosovë ju jeni ndër të parët që keni investuar në media online. Cilat mendoni se janë sfidat që e presin këtë industri?
Përmbajtja online dhe mediat dixhitale kanë qenë dhe ende janë njëra ndër fushat ku me shumë vullnet dhe dëshirë jam angazhuar. Me shumë siguri mund të them që më ka sjellë shumë satisfaksion profesional dhe më ka kalitur, por në të njëjtën kohë për mua nuk ka qenë kthim i mirë apo i dëshirueshëm financiar.
Mediat online (dixhitale) sot në rajon janë të shumta por sfidat i kanë të përbashkëta. Pak a shumë sfidat lidhen me tregun e vogël në përgjithësi, pra rritja e vazhdueshme dhe shkallëzimi i biznesit. Shumica e kompanive kanë mungesë të strategjisë së mirëfilltë në media sociale, që vjen edhe nga mungesa e njohurive dhe angazhimit të kompanive profesionale në këtë fushë. Po ashtu, mungon krijimi i vlerës nga SEO, përdorimi dhe prezantimi i përmbajtjes në kanale dhe pajisje të ndryshme , optimizimi i eksperiencës mobile. Një sfidë tjetër është menaxhimi i mediave sociale për të luftuar dhe konkurrenca me “zhurmën”, që krijohet në vazhdimësi në media dhe e shpërqendron fokusin dhe interesimin e audiencës. Ajo që tregjet tona lokale dhe rajona po ashtu kanë nevojë është ardhja, financimi dhe investimi nga lojtarët e mëdhenj të industrisë, që përvec se që do të rregullonte deri diku tregun, e do të sjellte cilësi dhe nivel më të lartë të profesionalizmit dhe përfaqësimit në industri.
- Cilat kanë qenë sfidat me të cilat sipërmarrjet tuaja janë përballur gjatë kësaj pandemie? A ka patur oportunitete të reja ne ndonjërën prej tyre?
Bizneset në TIK, nuk i kanë parashikuar rastet e mundshme të shfaqjes së një pandemie sikur kjo me COVID19. Dhe efektet u panë që në fillim. Por, niveli i dixhitalizimit, trendet globale dhe përqafimi i hershëm i tyre, i mundësoi shumicës së kompanive në këtë industri të adaptohen shpejtë dhe të tejkalojnë sfidat e para. Në CACTTUS, RECURA dhe në disa biznese të tjera ku jam i përfshirë, puna online ka filluar menjëherë natë e 13 marsit, pra para mbylljes totale. Pandemia i detyroi një numër të bizneseve të investonin dhe të transformonin modeli e biznesit si psh në industrinë e retail kalimi në online – e-commerce, apo në industrinë e ushqimit take-away dhe delivery. Kjo situatë kërkon kalim në komunikim online, ndryshim të modelit të operacionit dhe biznesit dhe domosdoshmërisht transformimin dixhital të tyre. Kjo gjithsesi paraqet një mundësi për të shfrytëzuar nga ndërmarrjet në TIK dhe ato me sukses janë duke përfituar nga mundësia.
Nuk duhet harruar edhe faktin, që një numër i startupave u “ngjallën” brenda natës me zgjidhje inovative për industritë e health-tech, sikur Zombie Soup dhe Vianova Health me zgjidhjen për remote patient care; CACTTUS me zgjidhje për learning management system me Microsoft Teams dhe Moodle; Harrisia me B2B supply chain zgjidhje për distribucion dhe prodhues/shitës me pakicë e shumicë; posta të shpejta me zgjidhje dhe porosi mobile etj. Në anën tjetër psh. GJIRAFA i shumëfishoi shitjet online dhe i tejkaloi pritshmëritë për rritjen e biznesit.
Si oportunitet tjetër doli edhe angazhimi i një numri të kompanive, në ndihmë të institucioneve publike për të ofruar zgjidhje, në mënyrë vullnetare, psh zhvillimi i platformës për vetdiagnostifikim me COVID; njoftimi me SMS i rezultateve të testeve, Hack-The-Crisis online hackathoni me qëllim të mobilizimit dhe ofrimit të zgjidhjeve inovative për përballjen e pandemisë, qasja në Open Data; përmbajtja e lëndëve mësimore, etj.
- Çfarë nuk duhet të bëjnë të rinjtë që duan të nisin një sipërmarrje, bazuar në ato që ju “keni bërë gabim”?
Do mundohem ti numëroj dhe të mos i shpjegoj një nga një secilën prej tyre, pasi në të kundërt do na merrte shumë kohë ky si diskutim. Disa prej tyre janë:
- Nuk ekziston suksesi brenda natës. Është rrugë e gjatë e lodhshme, mundimshme, sfiduese.
- Vendosni herët objektivat dhe qëllimet tuaja. Dhe mundohuni ti ndiqni me kujdes dhe përpikmëri. Fokusohuni në një produkt/shërbim dhe cojeni deri në fund. Nëse nuk ka sukses – “hidheni” sa më shpejtë. Mos e leni që t’ju harxhojnë energji dhe para.
- Mos hapni disa fronte paralelisht – përqendrohuni dhe fokusohuni në atë që keni nisur dhe mos u shpërqendroni. Sa më shpejt që keni shërbim/produkt për të nxjerrë në treg – niseni. Ska zgjidhje ideale. Lëreni tregun t’ju tregoj se ku jeni. Sa më shpejte dhe herët.
- Mos u nxitoni të jenë të parët në treg dhe sa më herë. E kam provuar disa herë dhe jam djegur.
- Mos punoni me ata që nuk jeni të gatshëm ti pranoni në shtëpi – krijoni ekip dhe kulturë ekipi dhe punë ekipore. Mos lejoni të humbisni njerëzit e mirë për mungesë kujdesi.
- Mos shpenzoni shumë kohë në planin e biznesit.
- Largoni individualistat dhe “mollat e prishura” nga ekipi (delet e zeza nga tufa). Mos lejoni që ata t’ju prishin atmosferën, drejtimin dhe fokusin.
- Takohuni vazhdimisht me kolegë, konkurrentë, të njohur e panjohur për të vlerësuar idenë dhe produktin.
- Dhe e fundit , gjithmonë ka konkurrencë, analizojeni mirë konkurrencën. Mos e neglizhoni. Fiksojeni mirë situatën dhe rrugëtimin e tyre – produktin dhe shërbimin dhe sfidat nëpër të cilat kanë kaluar. Është shkollë pa investim
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.