Ardian Hoxha: Paraja nuk është një problem nëse ideja e biznesit është e mirë

Sa herë që më duhet të pyes të rinjtë se cili është modeli i tyre i frymëzimit në fushën e sipërmarrjes marr gjithmonë përgjigje: Steve Jobs, Bill Gate, Elon Musk, etj. Të gjitha këto modele frymëzimi në arenën ndërkombëtarë, por sa e vështirë është të gjesh një model frymëzimi midis shqiptarëve?

Sot do t’ju prezantojmë me një model të tillë.

Nëse Shqipëria është ende nën valën e sipërmarrësve të cilët janë krijuar gjatë ngjarjeve histori, siç ishte përmbysja e sistemit në vitet ‘90 duket se në Kosovë sipërmarrësit “e vjetër” po zëvendësohen më herët nga “sipërmarrësit e rinj”.   

Ardiani është brezi i sipërmarrësve të rinj në Kosovë. Rrugëtimin e sipërmarrjes ai e ka nisur në vitin 2003. Dhe vetëm në një dekadë  ai është themelues i: American School of Kosova (2003); Duplex Club (2006); Albafone (2010-2013); Glamradio, 2017; Green and Protein; Travel Mate dhe Suchico.  

Ardiani është sipërmarrësi që e shikon krizën si oportunitet dhe mendon se vetëbesimi është çelësi i suksesit të secilit prej nesh. Paranë nuk e ka parë asnjëherë si pengës për të qenë sipërmarrës pasi beson se një ide e mirë dhe një themelues i përgatitur janë ato elemente që e bëjnë një sipërmarrës të suksesshëm. Ndërkohë që dëgjon Ardianin të flas për rrugëtimin e tij të suksesit, të vijnë si Déjà vu fjalimet e Steve Jobs mbi sipërmarrjen, motivimin dhe të punuarit fort. Ardiani i shënon objektivat dhe synimet e tij dhe jo vetëm kaq, por ai i ka ndarë disa të tilla edhe në këtë intervistë, objektiva që beson do ti arrijë përpara afatit që i ka vendosur vetes. 

  1. Në ekosistemin e startup-eve, një nga pyetjet që shpesh ju bëhet mentorëve është cili është burimi më i mirë i financimit për idenë time. Cili ka qenë burimi juaj i financimit?

Shumë persona kufizohen nga ideja se ata ose familja e tyre nuk kanë para dhe se nuk mund të nisin biznesin e tyre. Kjo mënyrë e të menduarit, i pengon ata që të gjejnë zgjidhje sesi të arrijnë të kenë sukses. Nëse do të analizojnë shumicën e sipërmarrësve të cilët janë të suksesshëm në atë çfarë kanë bërë, shumica e tyre nuk qenë shumë të pasur. Më e rëndësishme sesa paratë janë idetë. Unë si Ardian, për kohën kur kam nisur rrugëtimin e sipërmarrjes, kam pasur një familje që ka pasur të ardhura të mjaftueshme por unë personalisht e kam filluar nga ZERO. Por i kam menduar të gjitha mundësitë, qoftë edhe alternativën më të keqe të mundshme, që nga të emigruarit jashtë vendit që në gjimnaz, të nisja universitetin dhe në të njëjtën kohë të punoja pavarësisht se çfarë pune do të bëja. Mungesën e financave asnjë herë nuk e kam pasur si një limit në mendjen time, kështu edhe kam filluar.

Por kisha treguar gjithmonë që isha një njeri ambicioz, punëtor, këmbëngulës dhe kjo me ndihmoj që të bind edhe xhaxhin tim që të investojë në hapjen e American School of Kosova. Pas investimit të parë, gjerat ishin më të lehta. Po edhe nëse nuk do të kishte ndodhur kjo, unë kisha krijuar një listë të njerëzve që do të kontaktoja pasi nuk do të isha ndalur asnjë herë. Ndaj dhe mesazhi kryesor për këtë pikë është; “mungesa e parasë është problemi më i vogël. Më e rëndësishme është të jetë ideja e mirë dhe personi që e zbaton atë të ketë krijuar eksperiencën e duhur.”  

  1. Sektorët në të cilën ju keni investuar janë: edukim, food industry, shërbime, telekomunikacion dhe media. Pse ky diversifikim portofoli dhe cila do të jetë industri në të cilën po mendoni të investoni?

Arsyeja se pse kam investuar në industri të ndryshme është se së pari unë besoj se çdo profesion është i njëjtë nga vet fakti se secili profesion quhet “profesion” dhe çdo kompani është e njëjtë ndaj çdo kompani quhet “kompani” ajo që ndryshon edhe në profesion edhe në kompani është “industria”. Sa i përket industrisë, në secilin nga bizneset që kam investuar kam pasur njohuri bazë, më pas jam angazhuar që të mësoj më shumë mbi secilën prej industrive në mënyrë të tillë që të kisha njohurit e duhura për ta krijuar kompaninë në mënyrë profesionale. Kjo mendoj se më ka ndihmuar të kem sukses në secilën nga kompanitë që kam krijuar.

  1. Cili ka qenë ai “dështim” i cili kanë lënë gjurmë tek ju, dhe si ka ndikuar?

Dështime kam pasur shumë gjatë rrugëtimit. Dështimet janë pjesë e suksesit. Suksesi nuk vihet pa pasur dështime. Kush dështon shtrohet pyetja? Dështon ai që provon. Dështimin duhet ta marrim në sensin pozitiv, pasi nga dështimet mësohet më mirë. Unë i marr me shumë pozitivitet dështimet. Dështimi më i madh ka qenë kompania Albafone e cila operon në fushën e telekomunikacionit, në Maqedoninë e Veriut. Kompania nisi me një sukses shumë të madh dhe kishte mbi 50,000 përdorues por ishte ende në fazën e një startup-i pasi kisha vetëm 8 muaj që e kisha hapur. Gjatë asaj kohe më ndodhi një aksident në trafik së bashku me shoqen time. Aksidenti ishte aq i rëndë saqë rrezikonte edhe jetët tona. Pasi u ktheva në kompani, ajo kishte pasur humbje shumë të mëdha dhe nuk kishte funksionuar ashtu siç duhet. Menaxhimi nuk kishte shkuar ashtu si duhej dhe kjo më shkaktoi një humbje prej 5.5 milionë euro. Që prej themelimit, gjatë menaxhimit edhe në fund të kësaj kompanie kam mësuar shumë prej Albafone. Ky dështim më përgatiti për suksesin e kompanive të tjera që investova më vonë.  

  1. Ju keni ndërmarrë nismën “Welcome to my new journey…”. Cili është ky rrugëtim i ri që keni nisur? A lidhet kjo nismë me një vizion tuaj për atë që dëshironi të njiheni në të ardhmen apo është një nevojë e tregut për mungesën e personave motivues shqip folës?

“Welcome to my new journey” ishte rrugëtimi im ku unë fillova të ndaj çdo gjë që unë di, çdo gjë që kam mësuar nga eksperienca, puna, apo edhe të lexuarit. Është si pjesë e vizionit tim ashtu edhe mungesa e personave që motivojnë në tregun shqip folës. Unë nëpërmjet American Shcool of Kosova, punoj që të krijojmë breza të rinjsh të motivuar dhe të përgatitur. Duke i nxituar ata që të kenë rezultate të mira si dhe duke ju ofruar edhe bursë studimi 4-vjecare në Harvard University, Yale University, etj. Por ka edhe shumë gjera që nuk mësohen në shkollë. Secili prej nesh ka dikë që e ka si model. Unë të gjitha kompanitë i kam hapur në Kosove (me përjashtim të Albafone) duke marrë risqe përsipër dhe me barrën mbi supe një fëmije të rritur pa prindër. Siç e thotë edhe Bryan Tracy “Nuk ka limite për atë që duam të bëhemi përveç limiteve që ne i vendosim vetes.”

Jemi ne ata që i përcaktojmë vetes se sa sukses duam të arrijmë. Është shumë e rëndësishme që të përcaktojmë se çfarë na mbanë ne pengë e të mos vepruarit për të arritur suksesin. Duke i bërë vetes këto pyetje, kjo na ndihmon që të kalojmë në një nivel tjetër, pra të veprojmë.

  1.  Duhen 60 ditë për të fituar një zakon. Cili është ai “zakon i mirë” të cilin jeni në proces të mësuarit?

Në fakt për këtë ka teori të ndryshme, disa thonë se duhen 21 ditë për të fituar një zakon disa të tjera 60 ditë por sido që të jetë duhet një kohë e caktuar për të fituar një zakon. Gjatë gjithë jetës sime kam punuar shumë dhe kam sakrikuar edhe shëndetin tim duke e vendosur në plan të dytë. Tani që kam arritur në një standard edhe mënyra e të punuarit është në një nivel tjetër. Gjatë kësaj kohe jam duke u munduar të krijoj zakonin që të merrem edhe me shëndetin tim, duke ndjekur palestrën në mënyrë të rregullt si dhe të shpenzoj më shumë kohë me familjen. Kjo është zakoni i radhës që i kam vendosur vetes si detyrë.

  1.   Ju flisni vazhdimisht për suksesin, cilat janë ato vlera/ sjellje që ju kanë bërë ju të suksesshëm?

Të pasurit të vetëbesimit dhe ta dimë që mund të arrijmë majat e suksesit në fushën që ne zgjedhim. Edhe nëse në ato momente nuk jemi të përgatitur mjaftueshëm, edhe nëse nuk kemi njohuri mjaftueshëm. Pra vetëm duke e ditur që mund ta arrij diçka, pas kësaj duhet të mendoj sesi mund të arrij aty ku duam. Si p.sh. cilët janë njerëzit që duhet të njohim për të arritur atë që duam, cilat njohuri duhet të mësojmë, çfarë duket të përmirësojmë, cilat investime duhet të bëjmë, si mund ti sigurojmë këto investime. Pra, çdo gjë vjen dhe mësohet gjatë rrugëtimit.

Por nëse mendojmë të kundërtën kjo do të na pengoj në suksesin tonë. Unë gjithmonë e kam pasur këtë vetëbesim. Edhe pse jam rritur në Kosovë, një vendi i cili gjatë asaj kohe ka qenë i pushtuar, në moshën 14 vjeçare më kanë rrëmbyer babain. Që në atë moshë më duhet të isha kryefamiljar dhe isha përballë sfidës që duhet të siguroja të ardhura për familjen. Ka qenë vetëbesimi që më ka mbajtur pavarësisht sfidave që kam pasur. Suksesin aktual ja dedikoj vetëbesimit, edhe pse vizioni im është shumë larg asaj që unë kam arritur aktualisht. Por e sigurt që do flasim përsëri pas 20-30 viteve, për të parë se ku kam arritur.

  1.  Edukimi që marrim është shumë i rëndësishmen për formimin e secilit prej nesh. Bazuar në këtë, ju keni krijuar një shkollë “American School of Kosova”. Cilat janë vlerat që i mësoni brezit të ri në këtë shkollë?

Unë e themelova American School of Kosova pasi e provova vet sistemin amerikan të edukimit. Sistemi që mua si Ardian më bëri një transformim të madh.

Në gjuhën angleze ka pafund burime për informacion për çdo fushë të mundshme. Ideja ime ishte që edhe në Kosovë të kemi diçka të ngjashme. Që ky brez i ri të edukohet me një sistem të tillë.

Nxënësit që prej moshës 2 vjeçare mund të regjistrohen në American School of Kosova duke përfshirë; çerdhen, shkollën fillore, shkollën 9-vjeçare (e mesme e ulët) dhe shkollën e mesme (e mesme e lartë). Duke ju mësuar që në hapat e para me rutinën e secilit prej brezave. Më pas, në varësi të ciklit në të cilin studion, ju mësohen standardet që duhet të arrij secili prej tyre dhe njohuritë që duhet të kenë fëmijët për secilën moshë. Punohet shumë edhe me aftësitë e tyre si: aftësia e komunikimit, të punës në grup, të prezantimit, sportet të ndryshme, etj. Të gjitha këto aftësi mësohen në secilin nivel që më pas ti përkthejnë ato në rezultate të mira. Në punojmë fort për rritjen e vetëbesimit të secilit nxënës si dhe për zbulimin e talentit të secilit prej tyre. Është një filozofi të cilën ne e kemi të provuar edhe nga rezultate e nxënësve tanë si në universitet ashtu edhe në arritjet pas studimeve. Tani jemi në vitin e 18-të të punës duke pasur kështu 17 breza të arsimuar.

  1. Në Kosove dhe Shqipëri, janë krijuar disa nisma për të mbështetur ekosistemin e startup-eve me dëshirën për të mbështetur sipërmarrësit  e rinj. Thënë kjo, e shikoni ju veten si një “business angel”?

Po. Unë jam përkrahës shumë i madh i ekosistemit të startup-eve në Kosovë dhe pretendoj që shumë shpejt të zgjerohem në nivel rajoni. Jam në proces të krijimit të një “club-i” investitorësh që do përfshijë 13 shtete të Evropës juglindore. Pretendoj se kjo nismë do jetë ndër nismat më të rëndësishme në rajonin tonë sa i përket ekosistemit të startup-eve. Ky është një lajm shumë i mirë edhe për startup-et pasi do të ketë më shumë investitor, më shumë fonde, më shumë mentorë. Për këtë do t’ju informoj kur të ketë diçka më konkrete.

  1. Robert Orben ka një shprehje “Çdo mëngjes zgjohem dhe shikoj listën e më të pasurve në Forbes. Nëse nuk e gjej veten aty, shkoj dhe punojë më shumë”. Cili është motivi për të cilin shkoni në punë çdo mëngjes?

Më pëlqen shumë motivimi i Robert Orben. Secili prej nesh duket të ketë një qëllim. Unë vetës time qëllimin ja kam vendosur para dy vitesh më datë 27 shtator 2018, që për 30 vite do të kem krijuar  një kapital prej 100 miliardë dollarë. Këtë rrugëtim e kam ndarë në tre dekada. Në dekadën e parë është objektivi 100 milionë dollarë, në dekadën e dytë 1 miliardë dollar dhe në dekadën e tretë 100 miliardë dollarë. Por kam besimin që qëllimet e secilës dekadë do i arrijë më shpejt sesa afati qe i kam caktuar vetes.

  1. A ka ndonjë projekt që lidhet me përgjegjësin sociale që jeni duke punuar për ta ndërmarrë?

Jam vazhdimisht i angazhuar në projekte që lidhen me përgjegjësinë sociale, pasi secili nga ne ka për përgjegjësi që ti kthej komunitetit të gjitha të mirat që na jep. Unë mundohem që qoftë nëpërmjet  Rotary Club Prishtina, në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë  apo edhe me iniciativa familjare  të përkrahim projekte nga më të ndryshmet qofshin ato në fushën e edukimit, në shëndetësi, ndihmë profesionale, etj. Mundohem që të ndajë edhe kohë por edhe të bëj disa donacione financiare.

  1. Cilat janë ato kompetenca që duhet të kenë të rinjtë sot për të qenë të suksesshëm në tregun e punës dhe në sipërmarrje?

Kompetencat që të rinjtë duhet të kenë janë të shumta, por më e rëndësishme është sjellja (attitude). Të kenë atë sjellje pozitive që edhe nëse nuk dinë gjithçka edhe nëse nuk i kanë të gjitha kualifikimet përsëri marrin përsipër të mësojnë dhe të bëjnë punën. Ato që duhet ti mësojnë, do ti mësojnë dhe të japin rezultate për secilin punëdhënës. Nuk është e domosdoshme që ne ti kemi të gjitha njohuritë, por duhet të kemi këtë qasje.

Unë vlerësoj shumë të rinjtë të cilët angazhohen në punë vullnetare, kjo është një mënyrë shumë e mirë për të mësuar në fushën që ju nuk keni eksperiencë por që keni dëshirë të investoheni.  Duke u angazhuar vullnetarisht do keni mundësi të pasuroni network-un/rrjetëzimin dhe njohuritë tuaja, duke i hapur më shumë dyer vetes. Shumë persona bëjnë gabimin duke hequr dorë nga puna vullnetare. Me këtë qëndrim dënojnë veten, duke shpenzuar kohën dhe nuk fitojnë as eksperiencë pune dhe jua vështirësojnë vetes procesin e të gjeturit punë. Sa më herët që ti marrim këto angazhime aq më shumë me fat do të mendojmë se jemi. Ja të shpjegoj edhe konceptin e fatit. Ne jemi me fat kur përgatitja takohet më mundësinë. Pra ne jemi me fat kur kemi punuar fort për të qenë të përgatitur dhe kur mundësitë të vijnë ne do i marrim ato. Por ne do të jemi pa fat kur të mos jemi duke u përgatitur për secilën nga mundësitë që vijnë e shkojnë.  

  1. Nuk mund ta mbyllim këtë intervistë pa folu edhe për impaktin e Covid19 në industritë në të cilat ju operoni. Si janë përshtatur bizneset tuaja me këtë “realitet të ri”?

Pyetje shumë e mirë. Në fakt unë edhe në ditët e fillimit të pandemisë, ku kishim shumë të panjohura si çfarë impakti ekonomik do kishte, a do kishim mjaftueshëm ushqime, nuk dinim se kur do mbaronte, edhe gjatë kësaj kohe kisha 7 kompani aktive ku të gjitha për një ditë do duhet të mbylleshin përkohësisht aktivitetin. Disa prej tyre vazhduan të operonin, si p.sh. shkolla duke dhënë mësim online.

Dy javët e para ishin jashtë zakonisht të vështira, por me një teknik që e kam mësuar nga Bryan Tracy në librin e tij  “Crunch Time” ku tregon se me çfarë procesi duhet të menaxhohen krizat. Unë përdora teknikën që të mos e mbaj mendjen tek problemi por të fokusoj mendjen tek zgjidhjet që mund të dalin. Sado që ishte e vështirë mendoja për zgjidhjet që mund të dalin prej saj. Duke pasur këtë qasje, ne jo vetëm që mbijetuam në dy kompani të vogla, të cilat ishin kompani që nuk meritonin kohën time pasi përfitimet ishin shumë të dobëta dhe ndaj vendosa që ti shes ato. Kjo më bëri që të rris angazhimin tim në pesë kompanitë e tjera. Kjo na ndihmoj që në këto 5 kompani të arrijmë rezultate edhe më të larta sesa para pandemisë në konceptin e përfitimeve.

Që kur nisi të jetuarit në “realitetin e ri” thoja gjithmonë që kjo është vetëm një provë, një test për të na provuar nëse do e kalojmë apo jo këtë test. Kjo pandemi na bëri të vendosim në jetë filozofinë e shprehjes “what doesn’t kill me makes me stronger”.

Covid-19, ka çuar drejtë falimentit kompanitë që kanë qenë të dobëta si nga ana e organizimit, kostot, përfitimet, etj. Pjesa tjetër, thjeshtë është duke u forcuar më shumë sesa para Covid19 dhe duke gjetur mënyra për të ulur kostot dhe për të operuar më mirë.

  1. Një mesazh për të gjithë lexuesit e rinj në moshë të revistës Business Magazine? 

 Mesazhi im është që të gjithë lë të ëndërrojnë pa fund. Të gjithë të kenë besimin që mund të bëhen “numër 1” në botë në çdo profesion, në çdo iniciativë. Nëse e bindin veten që mund ta arrijnë këtë, ju ngelet vetëm që të punojnë për të arritur atje.   

Të angazhohen (për ata që janë në shkollë) në aktivitet jashtë shkollës. Për ata që janë në shkollë, të fillojnë punë vullnetare pasi është një nga çelësat e suksesit pasi të hap shumë dyer dhe të krijon shumë mundësi.

Merreni si të mirëqenë që puna vullnetare është ajo që dallon një njeri të suksesshëm nga ai i pasuksesshëm.  

Lexoni libra në atë fushë që ju zgjidhni dhe që doni të jeni të suksesshëm. Studioni personat të cilët kanë pasur sukses në profilin që zgjidhni për të pasur sukses, studioni historinë e tyre të suksesit për të parë se çfarë i ka bërë ata të suksesshëm.  

Thuhet që, nëse ne i përsërisim gjërat që njerëzit e suksesshëm i kanë bërë, edhe në do ti arrijmë këto suksese dhe do ti tejkalojmë ato.  

Ne lindim pa para, mund të vijmë nga familje që nuk kanë mundësi financiare ose një status shoqëror, mos e limitoni veten në këto “pengesa”. Mjafton që të përgatisni veten, dhe suksesi është i sigurt.

 

Intervistë e realizuar nga Blerina Hoxha 

 

Must watch
Business Mag Nr. #23 - Qershor 2020

Të gjitha planet tuaja për këtë vit, si individë apo sipërmarrës mund të jenë përmbysur. Mbërritja e Coronavirusit në Shqipëri paralizoi gjithçka, ashtu si kudo. Në mënyrë të papritur na vuri në kushte tërësisht të tjera pune, na shtoi pasigurinë e shqetësimin për të ardhmen.

Sipërmarrjet, kryesisht në fushën e IT u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia. Ato zhvilluan dhe më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

Kjo është një periudhë sprove, për individin, drejtuesit dhe liderin. Kjo është lufta që po zhvillohet në spitale dhe fronti i parë i saj janë mjekë, infermierë e sanitarë. Historia e ekonomisë k a treguar se gjithmonë pas një situatë të vështirë ka një ringritje. Dhe ne besojmë se kështu do të jetë.

Deri atëhërë ajo çka na mbetet të bëjmë është respektimi i rregullave të kërkuara, marrja e përgjegjësive ndaj të tretëve për aq sa mundemi, e të interesohemi për të pamundurit, të ndajmë diçka për ta.

Solidariteti nuk ka munguar e nuk do të na mungojë as kësaj radhe. Ajo çfarë doli në pah krahas solidaritetit ishte varfëria: e shtetit, e kompanive dhe e vetë individëve.

Një ditë pas dërgimit të 30 bluzave të bardha në Itali, The Guardian na vlerësoi në artikullin e saj si zemërgjerë edhe pse Ky numër ishte planifikuar të botohej në Prill 2020, por procesi u shty për shkak të masave të ndërmarra si pasojë e shpërthimit të Covid-19. Edhe pse në kohë vështirësish, jemi …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale