Këtë javë mbyllen aplikimet e sipërmarrjeve në fushën e agrobiznesit për financimet me fonde publike. 17 maji është afati i fundit të dorëzimit të projekteve.
Qeveria shqiptare ka parashikuar këtë vit një fond 5 milionë euro. 4 milionë euro pritet të shkojnë për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale dhe të peshkimit. Objektiv është edhe ulja e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara, për dorëzimin e qumështit, si dhe për açuge dhe sardele të peshkuara.
Pjesë e mbështetjes brenda këtij fondi janë edhe projektet që synojnë diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Për prodhimin e ullirit është parashikuar të jepet pjesa tjetër e fondit, 1 milion euro. Fermerët në këtë rast mund të zhvillojnë projekte zgjerimi me shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, aplikantët pritet të informohen për përzgjedhjen e mundshme pas dy javesh. Fermerët kanë edhe afat për dorëzimin e dokumentacionit shtesë nëse është e nevojshme deri më 7 Qershor.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, nga muaji prill kur u hap aplikimi, deri më tani kanë paraqitur projektet e tyre të zhvillimit rreth 7500 fermerë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto