Dollari në rënie: Fillimi i fundit të Ekonomisë Globale? - Business Magazine Albania

Dollari në rënie: Fillimi i fundit të Ekonomisë Globale?

Dollari në rënie: Fillimi i fundit të Ekonomisë Globale?

Prej dekadash, pozicioni i dollarit si valuta kryesore rezervë e botës i ka dhënë Shteteve të Bashkuara përparësi të jashtëzakonshme: aftësinë për të marrë borxhe me interesa të ulëta, për të mbajtur deficite të mëdha në llogarinë korrente dhe për të financuar boshllëqet buxhetore duke shtypur para pa shkaktuar domosdoshmërisht inflacion. Por që prej fillimit të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, paralajmërimet për fundin e “privilegjin të jashtëzakonshëm të Amerikës” janë kthyer në një refren të pandërprerë.

Këto shqetësime janë të bazuara. Politikat e Trump, nga sulmet ndaj Rezervës Federale deri tek qëndrimi i tij i lirë ndaj rregullimit të kriptomonedhave – po minojnë sistematikisht statusin e dollarit si valutë rezervë. Humbja e këtij primati do të rrezikonte pa diskutim shëndetin afatgjatë të ekonomisë amerikane. Por të fokusohesh vetëm tek privilegji në rënie i Amerikës, është si të shohësh disa pemë që digjen dhe të mos dallosh zjarrin e madh pas tyre. Humbja e statusit rezervë të dollarit do të sillte pasoja shumë më të gjera, duke tronditur ekonominë globale.

“Privilegji i jashtëzakonshëm” i Amerikës nuk është një tribut ndaj fuqisë së saj si superfuqi, por thjesht një pasojë e funksionimit të një monedhe rezervë. Si individët, edhe shtetet kanë nevojë për një ruajtës të besueshëm vlere, një mjet shkëmbimi dhe një njësi llogaritjeje. Me rritjen e ekonomive të huaja, rritet edhe etja për asete të denominuara në dollar, si obligacionet amerikane të thesarit apo ato korporative. Ky kërkesë i lejon SHBA-ve të kenë deficite të vazhdueshme tregtare e korrente. Pjesa më e madhe e borxhit qeveritar amerikan financohet nga shitja e obligacioneve të thesarit, të cilat gëzojnë statusin e “strehës së sigurt”. Si rezultat, Rezerva Federale mund të blejë këto obligacione duke krijuar dollarë të rinj, pa nxitur menjëherë inflacion.

Për të qenë valutë rezervë globale, një monedhë duhet të jetë e sigurt, likuide, stabile dhe gjerësisht e pranueshme. Kjo varet nga shtatë kushte:

  1. Stabilitet makroekonomik, inflacion i ulët, borxh publik i qëndrueshëm, politika fiskale e monetare të besueshme.

  2. Tregje financiare të thella e likuide, veçanërisht obligacione sovrane të menaxhuara me përgjegjësi.

  3. Një bankë qendrore e pavarur,  e përkushtuar ndaj stabilitetit të çmimeve dhe transparencës.

  4. Konvertueshmëri e lirë ndërkufitare.

  5. Sundimi i ligjit,  mbrojtje e të drejtave të pronës, kontratave dhe investitorëve.

  6. Perceptim si e mirë publike globale,  jo si mjet për interesa kombëtare të ngushta.

  7. Dominancë tregtare dhe financiare, për të krijuar efekte rrjeti që nxisin përdorimin.

Politikat e Trump kanë dobësuar secilin prej këtyre shtyllave: ulje masive taksash pa kursim shpenzimesh, presion mbi Rezervën Federale, kërcënime për të bllokuar tregje të huaja dhe përdorim politik të sanksioneve ekonomike. Si pasojë, aleatët kanë nisur të diversifikohen nga dollari drejt euros, renminbit apo arit. Nëse dyshimet mbi besueshmërinë afatgjatë të dollarit marrin hov, realinjamenti i valutës rezervë nuk do të jetë as gradual dhe as i rregullt – por i ngjashëm me një panik financiar. Sa më shumë investitorë të presin rënie të dollarit, aq më shumë do të shesin asetet e denominuara në dollar, duke përforcuar rënien. Një shitje masive e dollarëve nga bankat qendrore dhe fondet e mëdha do të rrisë ndjeshëm normat e interesit në tregun amerikan të thesarit, duke shkaktuar efekt zinxhir në tregjet globale.

Lexo edhe:Onemor, startupi i themeluar nga Alban Fejzaj, synon të bëhet “Spotify i Fitnesit”

Problemi kryesor është se nuk ka një alternativë të qartë për dollarin:

  • Tregjet e obligacioneve gjermane, zvicerane dhe japoneze janë shumë të vogla për të përthithur kapitalin global.

  • Eurozona nuk ka një union fiskal që të garantojë instrumente të përbashkëta të sigurta si obligacionet amerikane.

  • Kina ka kapital të kufizuar, mungesë transparence dhe dobësi ligjore.

  • Kriptomonedhat dhe stablecoin-ët janë shumë të paqëndrueshëm dhe të parregulluar për të shërbyer si valutë rezervë.

  • Ari ka ofertë të kufizuar.

  • SDR-të e FMN-së nuk janë likuide dhe varen nga vendime politike.

Në mungesë të një zëvendësuesi të besueshëm, një krizë besimi ndaj dollarit mund të fragmentojë sistemin financiar global në blloqe rajonale.

Kostot e fragmentimit

Fragmentimi financiar nënkupton tregti më të kufizuar, kosto më të larta kapitali dhe rritje të rivaliteteve gjeopolitike. Organizatat globale si FMN, Banka Botërore apo OBT do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të koordinojnë stabilitetin ndërkombëtar. Kjo ndarje e ekonomisë globale në blloqe rivale jo vetëm që dobëson rritjen ekonomike, por rrit edhe gjasat e konflikteve të armatosura, pasi mungesa e varësisë ekonomike ndërshtetërore heq një nga pengesat kryesore ndaj luftës. Rënia e dollarit nuk është thjesht një çështje e humbjes së privilegjit amerikan. Është një problem global me pasoja të mëdha për stabilitetin ndërkombëtar. Nëse bashkëpunimi shumëpalësh zëvendësohet nga “balkanizimi financiar”, dekadat e ardhshme mund të karakterizohen nga konflikt ekonomik i përhershëm dhe kërcënimi konstant i luftës së hapur.

Dennis Snower, President i Global Solutions Initiative dhe President Emeritus i Kiel Institute for the World Economy, është profesor asistent në University College London dhe bashkëpunëtor kërkimor në INET Oxford. Ai është gjithashtu senior fellow jo-rezident në Brookings Institution, bashkëpunëtor kërkimor ndërkombëtar në Said Business School të Universitetit të Oksfordit dhe bashkëpunëtor kërkimor në Harvard Human Flourishing Program.

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0