Gjatë vizitës së zhvilluar në zyrat e New Media, ata takuan Gerti Boshnjakun, themelues i kompanisë dhe njëkohësisht edhe Drejtor i Startup Grind Tirana.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë së Romës po realizojnë internship-e të bizneseve startup mes dy vendeve.
Pjesë e vizitës nga grupi italian ishin të rinj, që me idetë e tyre të biznesit, synojnë të mund të eksportojnë e të zhvillojnë biznes edhe në Shqipëri.
Projekti mbështetet nga Ministria e Jashtme Italiane dhe ka në fokus të rinjtë mes moshës 18-35 vjeç, për biznese që kanë interes për tregtinë ndërkombëtare.
Të rinjtë italianë u njohën me klimën e startup-eve në Shqipëri, inkubatorët, mundësitë e financimit dhe legjislacionin. Gerti Boshnjaku tha se, në Shqipëri ka disa nisma për nxitjen dhe mbështetjen e ideve të reja. Përmes Startup Grind, Inovate Albania dhe disa organizmave të tjera në vend, të rinjtë kanë arritur të maturojnë idetë e tyre të biznesit, duke shënuar madje edhe raste të suksesshme, që kanë arritur të bëhen pjesë e tregut ndërkombëtar, siç është kompania Softmogul.
Sipërmarrësit e rinj italianë ishin të interesuar për nivelin e përdorimit të teknologjisë nga sipërmarrje të ndryshme në vend. Ndërsa përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë së Romës theksuan se Italia ka krijuar një kuadër të plotë legjislativ e fiskal për startup-et, duke u dhënë atyre edhe një përkufizim të saktë, e lehtësi për vitet e para të aktivitetit. Një nga kushtet për t’u cilësuar biznes startup, e rrjedhimisht për të përfituar lehtësi, (si p.sh. 20% e pagës mujore të të punësuarve), është përdorimi i teknologjive më të avancuara në zhvillimin e biznesit, si në prodhim edhe shërbim.
Të rinjtë italianë kanë takuar në Tiranë, përfaqësues zyrtarë të ekonomisë vendase, sipërmarrës dhe organizata që ndikojnë në zhvillimin e bizneseve start-up.
Pas kësaj edhe një grup të rinjsh nga Shqipëria pritet të vizitojnë Romën për t’u njohur nga afër me strartup-et dhe klimën atje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
