Diella në vëmendjen botërore, chatbot-i që 'trondit' BE-në dhe demokracinë - Business Magazine Albania

Diella në vëmendjen botërore, chatbot-i që ‘trondit’ BE-në dhe demokracinë

Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që do të ketë ministre një chatbot, Diellën. Projekti i një Ministrie Digjitale është tejet ambicioz nga qeveria Rama 4, po aq edhe qendron në kufijtë e të mundurës dhe të pamundurës duke ngritur pikëpyetje të mëdha dhe u shoqëruar me paqartësi sesi do të funksionojë. Lajmi ka bërë xhiron e mediave botërore, ku disa e kanë vlerësuar si arritje dhe të tjerë kanë shprehur skepticizëm ose e kanë parë si surreale.

Daniel Innerarity, profesor i Filozofisë Politike e Sociale në Universitetin e Baskëve në Spanjë dhe Fabrizio Tassinari drejtor themelues ekzekutiv i Shkollës së Qeverisjes Transnacionale të European University Institute nga Project Syndicate  ndajnë më poshtë një anallizë sesi modeli i Diellës shqiptare mund të jetë kërcënimi i ri për demokracinë dhe sesi teknologjia po ofrohet si zëvendësim për politikën dhe vendimmarrjen politike.

Shkrimi i plotë:

Kur kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli së fundmi kabinetin e tij të ri, nuk ishte zgjedhja e ministrit të Financave apo të Jashtëm që tërhoqi më shumë vëmendje. Lajmi më i madh ishte emërimi i një bote të fuqizuar nga inteligjenca artificiale si ministre e re e Prokurimeve Publike.

“Diella” do të mbikëqyrë dhe shpërndajë të gjitha tenderat publikë që qeveria u jep kompanive private. “Ajo është anëtarja e parë e qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” deklaroi Rama. Ajo, sipas tij, do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet “një vend ku prokurimet publike janë 100% të lira nga korrupsioni.”

Ky hap, njëkohësisht provokues dhe domethënës, na kujton se ata që vendosin shpresën më të madhe tek teknologjia shpesh janë ata që kanë më pak besim tek natyra njerëzore. Por më e rëndësishmja është se emërimi i Diellës dëshmon se “kura”për dështimet e demokracisë po merr gjithnjë e më shumë formën e autoritarizmit digjital. Ky model mund t’i tërheqë oligarkët e Silicon Valley-t, por demokratët anembanë botës duhet të jenë të alarmuar.

Baza konceptuale e një ministreje me AI qëndron në mënyrën se si teknofilët e imagjinojnë marrëdhënien e njerëzimit me të ardhmen. “Tekno-solucionistët” (ata që sjellin zgjidhjet tech) i trajtojnë problemet politike që normalisht kërkojnë debat si sfida inxhinierike që mund të zgjidhen thjesht me mjete teknike. Siç u pa në SHBA gjatë drejtimit të shkurtër të Elon Musk në krye të DOGE (Departamenti i Efiçiencës Qeveritare), teknologjia ofrohet si zëvendësim për politikën dhe vendimmarrjen politike.

Pasojat e një qeverisjeje të administruar nga AI janë të qarta: demokracia bëhet e panevojshme. Teknokracia digjitale i jep zhvilluesve të teknologjisë autoritetin për të vendosur rregullat me të cilat jetojmë. Kontrolli dhe balanca që Locke, Montesquieu dhe themeluesit e Amerikës mbronin shndërrohen në pengesa për efikasitetin. Pse të merremi me institucione të tilla kur mund të përdorim fuqinë e algoritmeve? Në këtë logjikë, debati është humbje kohe, rregullimi është frenë ndaj progresit dhe sovraniteti popullor thjesht një formalitet i paaftësisë.

Sigurisht, askush me logjikë të shëndoshë nuk mund të mohojë se inovacioni teknologjik ka zgjidhur shumë probleme. Por premtimi më i madh i liderëve të teknologjisë sot nuk është se ata do t’i zgjidhin problemet, por se do t’i shpërbëjnë ato. Ata mohojnë vetë idenë e një të ardhmeje problematike, të pasigurt e të paparashikueshme.

Nuk është rastësi që presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin u dëgjuan së fundmi duke diskutuar për pavdekësinë. Të ndalosh plakjen do të thotë të shpëtosh nga e ardhmja; jo vetëm të shmangësh atë që pritet, por edhe barrën e zgjedhjes.

Lexo edhe: Pyetësor mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në biznese nga AmCham

Duke eliminuar papërcaktueshmërinë që na definon, do të ktheheshim në qenie të cilave asgjë nuk mund t’u ndodhë . Do të jetonim në një të tashme të përhershme, pa burime kuptimi përtej optimizimit të kushteve tona të jetesës, të patrazuar nga pasiguria, debati apo rreziku i vendimmarrjes. Do të arrinim një njerëzim pa njerëz.

Gjithashtu, nuk është rastësi që eksperimenti i Shqipërisë fokusohet tek veprat publike dhe korrupsioni. Këto janë fushat që tërheqin vëmendjen e Bashkimit Europian, destinacioni ku shumica e shqiptarëve duan të jenë. Që prej rënies së komunizmit 35 vite më parë, dëshira për t’u bashkuar me Europën e ka shtyrë Shqipërinë të përqafojë parimin teknokratik të artikuluar nga sociologu gjerman Max Weber: vetëm një burokraci autonome mund të jetë e lirë nga shtrembërimet politike.

Procesi i anëtarësimit në BE ndjek parametra të rreptë, kushte neutrale dhe kritere të forta për matjen e progresit. Por Shqipëria, si edhe vendet e tjera të Ballkanit që presin në “paradhomën” e Europës, e ka kuptuar se teknokracia shpesh është thjesht një mbulesë për hezitimin politik të vetë BE-së. Edhe nëse Shqipëria do të përmbushte çdo kërkesë të përcaktuar nga teknokratët e Komisionit Europian, gjithmonë mund të shtohen kushte të reja, të lëvizen objektivat apo të gjenden justifikime të tjera.

Duke emëruar një ministre të AI për prokurimet publike, Rama po i ofron Europës një “ilaç” të provuar më parë prej saj. Por njëkohësisht po hap skenën për një skenar surreal e zhgënjyes: zyrtarë të lartë europianë që mbajnë samite me një chatbot për të diskutuar aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Diella do të bëhet një pasqyrë, e pamëshirshme dhe e pashmangshme e boshatisjes së demokracisë që po ia bëjmë vetes.

 

Copyright: Project Syndicate, 2025 / Përshtati: Businessmag.al

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0