Sipërmarrësi i njohur shqiptar Diamant Hysenaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kongresin Amerikan, duke u përgatitur të sfidojë deputeten progresiste dhe ikonën e së majtës amerikane, Alexandria Ocasio-Cortez, në Distriktin e 14-të të Kongresit që përfshin zona të Bronx-it dhe Queens-it në Nju Jork. 42 vjeç, i cili ka emigruar nga Kosova është investitor i suksesshëm në pasuri të paluajtshme dhe një emër i njohur në mesin e komunitetit shqiptar në SHBA.Në një intervistë për The New York Post, Hysenaj rrëfeu historinë e tij të jetës si një fëmijë që u rrit në Kosovë, i prekur nga trazirat e luftës dhe rënia e Jugosllavisë, për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara si emigrant dhe për të ndërtuar aty një karrierë dhe jetë të suksesshme. Ai e përshkruan veten si mishërim i ëndrrës amerikane: “Isha një fëmijë i vogël që u transferova në Bronx, në një lagje të vështirë, ku u përpoqa të përshtatesha dhe punova fort për të arritur ëndrrën time…një biznes të suksesshëm, një familje të bukur dhe një thirrje për të shërbyer komunitetin.”
Lexo edhe: Blerina Dhima Sanocki – 14 vite në Google dhe një mision për të fuqizuar të ardhmen!
Hysenaj thekson se përvoja e tij jetësore rezonon me atë të shumë emigrantëve të zonës, ndaj e sheh veten si një përfaqësues të zërit të tyre; njerëz të zakonshëm që kërkojnë mundësi dhe përmirësim në një realitet të ndërlikuar urban. Megjithëse përballja me një figurë karizmatike dhe të konsoliduar si Ocasio-Cortez konsiderohet një sfidë e madhe, Hysenaj beson se rrugëtimi i tij i vështirë dhe përkushtimi ndaj komunitetit mund të fitojnë zemrat e zgjedhësve, sidomos në një distrikt të dominuar nga emigrantë dhe ëndërrimtarë.
Kandidatura e tij vjen në një kohë kur Partia Republikane po përpiqet të diversifikojë radhët e saj dhe të zgjerojë bazën elektorale në qytete të mëdha me shumicë demokrate. Me një perspektivë të re, të ndikuar nga përvoja e tij si emigrant dhe sipërmarrës, Hysenaj synon të ndërtojë ura komunikimi me komunitetin shqiptar dhe me grupet e tjera emigrante në Nju Jork, duke i dhënë një fytyrë tjetër republikanizmit në një zonë tradicionale të majtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto