Startup DialogoAI- Si po automatizohet e ardhmja e punës përmes Inteligjencës Artificiale? - Business Magazine Albania

Startup DialogoAI- Si po automatizohet e ardhmja e punës përmes Inteligjencës Artificiale?

Dialogo - Si po automatizohet e ardhmja e punës përmes Inteligjencës Artificiale

Që nga intervista jonë e parë, platforma startup Dialogo dhe modeli i saj inovativ, Bleta, kanë kaluar në një nivel tjetër zhvillimi. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj përmirësimit teknologjik dhe automatizimit të detyrave të përditshme, Dialogo jo vetëm që ka fituar njohje në programet prestigjioze si Uplift, por edhe ka hyrë në tregjet ndërkombëtare si Italia, Gjermania dhe Zvicra. Në këtë intervistë me themeluesin Klei Aliaj, ne do të zbulojmë progresin e platformës, sfidat e saj në rritje dhe planet ambicioze për të ardhmen.

Si ka ndryshuar Dialogo që nga intervista jonë e parë? Çfarë progresi kryesor keni bërë që atëherë?
Intervista jonë e fundit ishte rreth platformës Dialogo dhe një nga produktet tona, Bleta, e cila është modeli i parë gjuhësor jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan për sa i përket gjuhëve lokale ose native. Gjatë kësaj periudhe, ne e zhvilluam më tej këtë model dhe e shpërndamë burimin e kodit në formatin open-source, duke mundësuar që të tjerët ta përdorin dhe ta zhvillojnë atë më tej. Po ashtu, krijuam versionin chatbot të modelit, i cili mund të përdoret nga njerëzit dhe të zhvillohet më tej për nevoja të ndryshme.

Cilat janë disa nga arritjet kryesore që keni shënuar gjatë kësaj periudhe?
Gjatë vitit 2024, kemi shënuar disa arritje kyçe. Ne u shpallëm fitues në programin akselerator Uplift, dhe gjithashtu morëm mbështetje financiare nga Grant24. Për më tepër, kemi krijuar disa partneritete kyçe me kompani ndërkombëtare, që na kanë ndihmuar të zgjeronim shërbimet dhe mundësitë tona në tregje të reja.

Sa ka evoluar kërkesa për shërbimet e Dialogo në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar?
Në tregun shqiptar, kërkesa për shërbimet e Dialogo ka filluar të rritet, por ende është relativisht e kufizuar, pasi mungon vetëdija e mjaftueshme nga ana e kompanive shqiptare. Megjithatë, kjo është duke ndryshuar dhe po rritet gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, sidomos në vende si Italia, Gjermania dhe Zvicra, kërkesa për shërbimet tona është rritur ndjeshëm, duke na mundësuar të operojmë me kompani të shumta që janë pjesë e Bashkimit Evropian.

A keni shtuar ndonjë veçori të re në platformën Dialogo ose modelin Bleta që nuk ishin pjesë e produktit fillestar?
Po, gjatë vitit 2024, Dialogo ka evoluar dhe ka shtuar disa veçori të reja. Një nga veçoritë më të rëndësishme është automatizimi i kompjuterit nga AI.

Tani, përdoruesit mund të japin një “urdhër” dhe kompjuteri fillon të veprojë në mënyrë autonome, duke naviguar në kompjuter për të realizuar instruksionet fillestare. Ky proces mund të përdoret për automatizimin e një sërë detyrash që realizohen në kompjuter, si për shembull: shkrimi i raporteve automatike, menaxhimi i email-eve, automatizimi i përsëritjes së proceseve administrativë, etj.

Lexo edhe;Bleta: Revolucioni i inteligjencës artificiale në gjuhën shqipe

Si është duke u përmirësuar performanca e Dialogo për të adresuar nevoja më të avancuara të klientëve?
Dialogo synon të mbushë hapësirën dhe nevojën që kanë klientët dhe bizneset për të automatizuar punët e përditshme dhe për të rritur efikasitetin. Për këtë, ne po punojmë vazhdimisht me feedback-un e klientëve tanë dhe po e përshtatim platformën me zhvillimet më të fundit në fushën e AI. Kemi rritur performancën e Bletës për të adresuar nevoja më të avancuara, duke ofruar mundësi për trajnim të modeleve me të dhëna private dhe optimizimin e zgjidhjeve për automatikimin e proceseve më komplekse.

Cilat kanë qenë disa nga sfidat kryesore që keni hasur kohët e fundit?
Një nga sfidat më të mëdha që kemi hasur kohët e fundit është zgjerimi i Dialogo në disa tregje të reja, sidomos në vendet evropiane si Italia dhe Gjermania, ku kemi fokusin tonë kryesor për klientët. Ky zgjerim ka kërkuar investime të konsiderueshme në burime dhe përpjekje për të përshtatur shërbimet dhe produktet tona me kërkesat specifike të tregjeve të ndryshme.

Si planifikoni të zhvilloni Dialogo në muajt ose vitet në vijim? A ka ndonjë projekt ose zgjerim të veçantë në plan?
Në muajt dhe vitet në vijim, planifikojmë të zhvillojmë Dialogo duke shtuar më shumë veçori dhe mundësi për klientët. Po ashtu, ne synojmë të zgjerojmë më tej praninë tonë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Evropë dhe Amerikë dhe të krijojmë partneritete të reja strategjike. Një projekt i veçantë që kemi në plan është integrimi i më shumë mundësive për automatizimin e detyrave të përditshme për individë dhe biznese të mëdha, duke përmirësuar kështu efikasitetin dhe produktivitetin e tyre.

Më poshtë janë disa shembuj se si agjenti i Dialogo automatizon punë të ndryshme :

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0