Dhuna digjitale ndaj grave, një kërcënim që nuk mund të injorohet - Business Magazine Albania

Dhuna digjitale ndaj grave, një kërcënim që nuk mund të injorohet

25 Nëntori shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, një datë e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të ndërgjegjësuar botën mbi një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut. Kjo ditë përkujton motrat Mirabal, aktiviste dominikane të vrara mizorisht në vitin 1960 dhe simbolizon rezistencën ndaj dhunës patriarkale. Sot, më 25 nëntor, vendet anembanë globit, përfshirë Shqipërinë nisin fushatën 16-ditore të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, duke kërkuar ligje më të forta, institucione më të përgjegjshme dhe një kulturë që nuk e toleron as dhunën fizike, as atë psikologjike, ekonomike dhe tanimë as atë digjitale.

Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, fushata globale e Kombeve të Bashkuara UNiTE 2025 synon të mobilizojë gjithë shoqërinë për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.

Statistikat globale tregojnë se gati një në tre gra ka përjetuar të paktën një herë në jetë dhunë fizike ose seksuale, qoftë nga partneri intim, qoftë nga persona të tjerë. Edhe më dramatike është e dhëna se çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë humb jetën për shkak të dhunës në familje.

Por krahas formave tradicionale, një tjetër hapësirë është shndërruar në terren të rrezikshëm: bota digjitale. Sulmet online po rriten me shpejtësi dhe synojnë të heshtin zërat e grave, sidomos të atyre që kanë rol publik: gazetare, aktiviste, politikane, krijuese përmbajtjesh apo vajza të reja që thjesht janë aktive në rrjetet sociale. Shqipëria nuk është e imunizuar nga ky fenomen; përkundrazi, rastet e publikimit të imazheve intime pa pëlqim, kërcënimet, shantazhet, bullizmi masiv, linçimet virtuale dhe përdorimi i teknologjisë për të kontrolluar, tallur apo poshtëruar gratë janë bërë pjesë e realitetit tonë të përditshëm.

Lexo edhe: OBSH: Shqipëria pa progres në Inteligjencën artificiale për shëndetin

Rritja e dhunës digjitale lidhet me boshllëqe ligjore dhe teknologjike. Në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë ky lloj abuzimi ende nuk trajtohet në mënyrë të plotë nga ligji, ndërsa platformat online shpesh nuk veprojnë me shpejtësi për të hequr përmbajtjen e dëmshme. Anonimiteti u jep autorëve një ndjenjë të rreme imuniteti, ndërsa teknologjitë e inteligjencës artificiale po krijojnë forma të reja abuzimi, si deepfake pornografik, manipulime imazhesh dhe fabrikime që në disa raste kanë prodhuar pasoja të rënda në jetën reale të viktimave.

Dhuna digjitale nuk është vetëm një ofendim në komente apo një mesazh kërcënues. Ajo merr forma të shumëfishta: nga ndjekja, survejimi dhe përhapja e të dhënave personale, te shpifjet dhe fushatat e organizuara të linçimit. Në shumë raste, ajo shndërrohet në shantazh, dhunë reale, izolim social dhe, në situata ekstreme, në rrezik për jetën. Shumë vajza dhe gra, veçanërisht ato që i përkasin komuniteteve të margjinalizuara, përjetojnë goditje të shumëfishta të diskriminimit dhe sulmeve.

Në këtë realitet, fushata globale e Kombeve të Bashkuara “UNiTE 2025”, e cila nis sot dhe zgjat deri më 10 dhjetor, synon të mobilizojë të gjithë shoqërinë për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj grave. Thirrja është e qartë: qeveritë duhet të forcojnë ligjet dhe të ndëshkojnë autorët; kompanitë teknologjike duhet të garantojnë sigurinë e përdoruesve dhe të mos tolerojnë përmbajtje abuzive; organizatat e grave duhet të mbështeten financiarisht; dhe qytetarët duhet të reagojnë, të raportojnë dhe të mos lejojnë normalizimin e dhunës në hapësirën online.

Në Shqipëri, mjafton të shikosh rrjetet sociale, sidomos ato me mungesa pak më të mëdha filtërash, por edhe ‘portale anonime’ pas të cilave nuk dihet qartë se kush qendron që të shohësh se dhuna digjitale nuk është më përjashtim, por një realitet i shpërndarë gjerësisht. Në shumë raste, viktimat izolohen, kritikohen, fajësohen, ndërsa autorët mbeten të pandëshkuar.

Mesazhi i kësaj fushate është i thjeshtë dhe i fuqishëm: dhuna digjitale është dhunë; reale, e dëmshme dhe me pasoja të thella. Nëse duam një shoqëri ku gratë dhe vajzat mund të flasin lirshëm, të punojnë, të krijojnë dhe të jenë të pranishme në hapësirën publike pa frikë, duhet të pranojmë se dhuna online është po aq serioze sa ajo në jetën e përditshme dhe nevoja për ta identifikuar dhe ndjekur atë përmes mekanizmave të qartë ligjore është më shumë se kurrë e nevojshme.

Sikundër hashtagu i Kombeve të Bashkuara, #NoExcuse; nuk ka justifikim për asnjë formë dhune, as në rrugë, as në shtëpi, as në internet.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Mos ndiq pararatë, ndiq pasionin.”
— Tony Hsieh
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0