Shumë njerëz bëjnë një gabim të zakonshëm në komunikim, që i bën të duken më pak të sigurt në vetvete, sipas ekspertit të të folurit dhe avokatit të njohur, Jefferson Fisher: përdorin tepër shpesh shprehjen “Më fal”.
“Nëse dëshiron të dukesh më i/e vendosur në çdo situatë, hapi i parë është të shmangësh kërkimet e panevojshme të faljes”, tha Fisher në një episod të publikuar më 1 korrik të podcast-it “Aspire” të sipërmarrëses Emma Grede. “Sa më shumë t’i eliminosh këto kërkesa faljeje, aq më shumë përforcon idenë se vlera jote nuk lidhet me sa pak shqetësim mund t’u shkaktosh të tjerëve.”
Nëse harron t’i përgjigjesh një emaili dhe shkruan: “Më fal që po të përgjigjem me vonesë,” ose i përgjigjesh një mesazhi pas disa kohësh duke kërkuar ndjesë, kjo mund të të bëjë të dukesh i dobët apo si dikush që kërkon aprovim – thotë Fisher, autor i librit bestseller “The Next Conversation: Argue Less, Talk More”.
Lexo edhe:Shqipëria në zonën SEPA, Sejko: Më 7 tetor të gjitha bankat plotësisht operacionale!
Sipas një studimi të realizuar nga YouGov në prill 2023, 23% e të rriturve në SHBA kërkojnë falje të paktën një herë në ditë për diçka që nuk është nën kontrollin e tyre. Ndërsa 11% e bëjnë këtë disa herë në ditë. Në veçanti, gjenerata Z ka tendencën të kërkojë falje më shpesh. Sigurisht, ka raste kur kërkimi i faljes është i domosdoshëm. Duhet të kërkosh ndjesë kur ke bërë një gabim ose ke cenuar dikë, në mënyrë që të tingëllosh i sinqertë dhe fjalët e tua të kenë peshë, tha ekspertja e lidershipit Patrice Williams Lindo për CNBC Make It në vitin 2022. Por, mos e përdor thjesht për të zbutur një deklaratë. Kërkimet e panevojshme të faljes mund të dobësojnë çdo mesazh që vjen pas tyre dhe shpesh janë një shenjë nervozizmi apo frike për t’u gjykuar, shkroi folësja motivuese dhe CEO-ja Lorraine K. Lee për CNBC Make It “Kur të fillosh ta vëresh, do ta dallosh gjithkund,” shkruan Lee. Në të njëjtën mënyrë, duhet të shmangësh fraza të cilat nënkuptojnë pasiguri, si “Më vjen keq që po të shqetësoj” apo “Ndoshta kjo është një pyetje e kotë, por…”, sugjeron Fisher. Ai rekomandon të gjesh një partner përgjegjësie që të të tërheqë vëmendjen sa herë i përdor këto shprehje pa vetëdije.
Në vend të fjalës “më fal”, mund të përdorësh formulime më të fuqishme. Nëse vonohesh në një takim, thuaj “faleminderit për durimin” në vend të “më fal që u vonova” , një mënyrë më autoritare dhe e vendosur për të komunikuar, shkruan Lee. Dhe fjalën “më fal” përdore vetëm kur me të vërtetë e ndjen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.