Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Shtetet Anëtare të BE-së zhvilluan Javën e Evropës 2024 - Business Magazine Albania

Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Shtetet Anëtare të BE-së zhvilluan Javën e Evropës 2024

Delegacioni i BE-së në Shqipëri organizuan Javën e Evropës 2024 me një sërë aktivitetesh që synuan promovimin dhe kremtimin e gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të njeriut përmes artit, muzikës, panaireve, ekspozitave dhe paneleve të diskutimit të organizuara nga veriu në jug të Shqipërisë.

Nën moton “Evropa është këtu”, u synua të promovohej diversiteti dhe barazia përmes dialogut dhe bashkëpunimit. Ndërsa Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj vazhdojnë të japin mbështetjen e tyre në fushën e të drejtave themelore për ta sjellë Shqipërinë më pranë standardeve të BE-së. Java e Evropës 2024 tregoi se si BE-ja e mbështet Shqipërinë për ndërtimin e diversitetit dhe përfshirjes në mbarë shoqërinë.

Ndër të tjera Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato gjatë konferencës së tij për shtyp për shpalljen e programit të Javës së Evropës 2024 në Shqipëri, u shpreh:

“Aktivitetet tona publike gjatë gjithë ditës në Shkodër, Gjirokastër dhe Tiranë do të jenë një mundësi për të diskutuar dhe advokuar për më shumë barazi, mosdiskriminim dhe diversitet. Këto janë vlera që kanë frymëzuar projektin e BE-së dhe mbeten në zemër të tij. Ne duam të krijojmë hapësira për angazhim dhe debat me partnerë të ndryshëm shqiptarë, të diskutojmë se si mund të nxisim një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë, ku secili ka vendin e vet dhe mund të japë kontributin e vet. “Panairet tona të BE-së në tre qytete do të mirëpresin qytetarë që duan të takojnë njerëz dhe shoqata që kanë marrë pjesë në programe të financuara nga BE-ja dhe të informohen për nismat e BE-së që promovojnë përfshirjen dhe diversitetin apo që ofrojnë mundësi për të përmbushur potencialet profesionale”.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit Delegacioni i BE-së vendosi partneritet me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor, një platformë për bashkëpunimin e muzikantëve të rinj profesionistë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, synimi i së cilës ishte bashkimi i rinisë së rajonit. 

“Muzika bashkon, ajo ka fuqinë e jashtëzakonshme për të nxitur përfshirjen në një botë të dëmtuar nga ndarjet. Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor do t’i prezantojë të gjitha këto dhe shumë më tepër përgjatë Javës së Evropës 2024 në Shqipëri. Mbi 100 muzikantë të rinj nga 10 vende evropiane do të sjellin së bashku mesazhin e bashkimit, barazisë, përfshirjes dhe diversitetit në forma të ndryshme artistike”, u shpreh Desar Sulejmani, Drejtor i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.

Java e Evropës nisi në Shkodër më 4 maj, në zonën e këmbësorëve të Shirokës, duke bashkuar autoritetet publike, Ekipin Evropa, trupin diplomatik, organizata ndërkombëtare dhe vendore të shoqërisë civile, qytetarë, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe Ambasadorët e Rinj Evropianë (ARE). Studentët e Akademisë së Arteve në Shkodër organizuan një ekspozitë me temë “Të drejtat e njeriut dhe diversiteti”, si dhe u zhvillua një panel diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile vendore mbi të drejtat e njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen. Gjithashtu në Shkodër pati një performancë artistike nga “The Door”, një bandë vendore muzikantësh me nevoja të veçanta dhe një performancë artistike nga muzikantë të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor.

Më 6 maj vijuan në Pazarin e Gjirokastrës, ku u ndërthurën zhanre të ndryshme muzikore, përmes shfaqjeve të grupeve kulturore vendase rome dhe egjiptiane dhe muzikantëve të Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor. U përurua Tregu Tradicional i Artizanatit Rom i financuar nga BE-ja dhe u organizua një panel diskutimi mbi harmoninë etnike dhe fetare të komuniteteve vendore tek Obelisku.

Në Tiranë, Java e Evropës u zhvillua në Sheshin Italia, më 9 maj, me panairin e BE-së dhe performancat e Korit Vizualisht Gjithëpërfshirës të mbështetur nga Creative Europe dhe muzikantët e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor. Nuk munguan prezantimet e projekteve të reja të përfshirjes sociale të financuara nga BE-ja, si dhe diskutimet mbi 20-vjetorin e zgjerimit të BE-së 2004.

Panairi i BE-së “On Air” mundësoi transmetimin e drejtpërdrejtë të intervistave dhe diskutimeve mbi aktivitetet e ndryshme, klasa master, koncerte, ekspozita, prezantime projektesh gjithëpërfshirëse, përurime shkollash, nisma rinore dhe panaire artizanësh për të promovuar më tej barazinë, përfshirjen sociale dhe mosdiskriminimin, duke synuar të tregonte një kulturë të gjallë e të pasur dhe duke frymëzuar kështu ndryshimin në një shoqëri që ka vend për të gjithë.

eeas.europa.eu

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0