Një praktikë që filloi si menaxhim teknik i rrezikut është shndërruar në një betejë politike, ndërsa qeveritë përpiqen të përcaktojnë se sa larg mund të shkojnë bankat në zgjedhjen ose refuzimin e klientëve të tyre.
Imagjinoni të hyni një mëngjes në llogarinë tuaj bankare dhe të gjeni gjithçka të ngrirë; kartat e refuzuara, urdhërpagesat të pezulluara dhe kursimet tuaja të paarritshme. Pa asnjë sinjal për mashtrim, pa çek të kthyer. Vetëm një mesazh i shkurtër: “Po mbyllim llogarinë tuaj. Ju lutemi bëni rregullime të tjera.”
Ky nuk është një makth i rrallë. Rreth botës, më shumë individë dhe biznese po përjetojnë fenomenin e “de-banking”, pra ndalimin e qasjes në shërbime bazë bankare. Në industrinë financiare, kjo praktikë quhet “de-risking”, kur bankat ndërpresin lidhjet me klientët ose sektorë të tërë për të shmangur rreziqe ligjore ose reputacionale.
Ndërsa duket si një çështje e ngushtë e përputhshmërisë ligjore, në fakt prek krimin financiar, të drejtat politike, rrjedhat tregtare dhe qasjen e përditshme tek paratë. SHBA, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian kanë qasje të ndryshme ndaj këtij fenomeni.
Në SHBA, një urdhër ekzekutiv i firmosur nga ish-presidenti Donald Trump synon të ndalojë bankat nga refuzimi i shërbimeve bazuar në bindje politike ose fetare, duke kufizuar përdorimin e “rrezikut reputacional” si justifikim për mbylljen e llogarive. Kundërshtarët paralajmërojnë se kjo mund të detyrojë bankat të mbajnë klientë që mund të përfshihen në aktivitete që krijojnë rrezik financiar ose sigurie.
Lexo edhe: Europa futet në lojë, përballja Trump–Putin ndez shpresën për një paqe të brishtë
Në Mbretërinë e Bashkuar, çështje si ajo e Nigel Farage dhe Coutts kanë nxitur debat publik dhe rregullore më të forta për transparencën, duke kombinuar shqetësime për rrezikun me pritshmëritë politike. Ndërkohë, BE-ja e trajton “de-risking” si një sfidë teknike, duke përqendruar vëmendjen tek analiza individuale e rrezikut, siguria dhe përputhshmëria me rregulloret kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Rezultati është një peizazh global ku “de-banking” nuk është më thjesht një praktikë bankare, por një fushë ku politika, ligji dhe ekonomia përplasen, duke ndikuar drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.