Dallimet e politikës së jashtme tek dy kandidatët presidencialë - Business Magazine Albania

Dallimet e politikës së jashtme tek dy kandidatët presidencialë

Kuvendi Kombëtar Republikan e portretizoi Presidentin Donald Trump si një komandant të fortë që mposht armiqtë dhe që kërkon më shumë aleatë. Kundërshtari i tij, ish nënpresidenti Joe Biden, thotë se do të qëndrojë përkrah aleatëve amerikanë dhe jo diktatorëve. Zëri i Amerikës sjell këtë analizë mbi vizionin e paraqitur nga të dy kandidatët për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën.

Në fjalimin e tij të pranimit në Kuvendin Kombëtar Republikan, Presidenti Donald Trump argumentoi se kundërshtari i tij, i emëruari demokrat për president Joe Biden, është një udhëheqës i dobët që do të shkatërrojë vendin. “Joe Bideni e kaloi karrierën e tij duke larguar në vende të tjera ëndrrat e punëtorëve amerikanë, duke dërguar në vende të tjera vendet e tyre të punës, duke hapur kufijtë dhe duke dërguar djemtë dhe vajzat e tyre për të luftuar në luftëra të pafundme të huaja”, tha Presidenti Trump.

Gjatë Kuvendit Kombëtar Demokrat, Bideni, nënpresident gjatë administratës Obama, e portretizoi Trumpin si një udhëheqës të rrezikshëm që e ka shkatërruar pozicionin e Amerikës në botë. ​ “Unë do të jem një president që do të qëndrojë me aleatët dhe miqtë tanë dhe do t’ua bëjë të qartë kundërshtarëve tanë, se ditët e afrimit me diktatorët kanë mbaruar. Nën presidentin Biden, Amerika nuk do të bëjë një sy të verbër ndaj pagesave ruse për të vrarë ushtarë amerikanë”, tha zoti Biden.

Platforma e politikës së jashtme të demokratëve kundërshton ” luftërat pa mbarim”, propozon më pak shpenzime për mbrojtjen kombëtare dhe kritikon praktikat tregtare të Kinës. Republikanët nuk formuluan një platformë këtë vit, por thanë se mbështesin njëzëri vizionin e presidentit Trump për marrëdhëniet me jashtë.

Partia Republikane vazhdon të mbështesë politikën e jashtme të Presidentit Trump, të cilën ai e përmbledh me parimin “Amerika e Parë”, një parullë që u bë popullore gjatë fushatës së tij në vitin 2016. Synime të tjera të politikës së jashtme: “sjellja e trupave amerikane në atdhe” dhe “dhënia fund e varësisë tek Kina”.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përgëzoi politikën “Amerika e Para” të Presidentit Trump. “Mund të mos e ketë bërë atë popullor në çdo kryeqytet të botës, por ka funksionuar”, tha ai.

Demokratët paraqitën republikanin Colin Powell, ish sekretarin e Shtetit nën administratën Bush në kuvend, i cili tha se zoti Biden do të kujdeset për trupat amerikane. “Kjo vjen nga përvoja që ai ndan me miliona familje ushtarake, duke e dërguar djalin e tij të dashur në luftë dhe duke iu lutur Zotit që ai të kthehej në atdhe i sigurt”, tha zoti Powell.

Fjalimi i presidentit Trump u përqëndrua kryesisht tek Kina në kontekstin e pandemisë, marrëdhënieve tregtare dhe vendet e punës, duke pretenduar se Pekini do të zotëronte Shtetet e Bashkuara nëse Joe Bideni do të zgjidhej president. “Republikanët po theksojnë faktin se kush është më i rreptë dhe kush mund të jetë më i ashpër ndaj Kinës. Demokratët po theksojnë faktin se kush mund të jetë më i efekshëm në konkurrencën me Kinën. Kjo nuk arrihet me fjalime luftarake, fyerje dhe akuza të zhurmshme. Kjo arrihet me përdorimin e forcës amerikane, rritjen e konkurrencës tonë, duke punuar me aleatët dhe duke përdorur diplomacinë për të menaxhuar konkurrencën në mënyrë efektive në shërbim të interesave amerikane, në atë që do të jetë një konkurrencë afatgjatë, e fuqishme dhe me kosto të lartë me Kinën”, thotë Robert Daly me qendrën Wilson.

Ndërsa të dy kandidatët paraqitën qëndrime të ndryshme, politika e jashtme nuk është një faktor vendimtar në zgjedhje. “Rrallë herë politika e jashtme është faktori i parë, i dytë apo i tretë për zgjedhjen mes votuesve përveçse në kohën e luftës. Tani shqetësimet e mëdha kanë të bëjnë me COVID-in, me ekonominë dhe shqetësimet për karakterin, për llojin e udhëheqjes që do të shohim përpara, nën një administratë Trump apo administratë Biden”, thotë William Howell me Universitetin e Çikagos. Megjithatë kandidatët pritet ta diskutojnë atë gjatë debateve në shtator, përfshirë çështjen e ndërhyrjes së huaj në zgjedhjet e nëntorit.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0