Çmimet e naftës në tregjet botërore ranë për të dytën ditë radhazi mes frikës se recesioni i mundshëm global do të tkurrë kërkesën. Edhe më shumë presion ka ushtruar mbi kuotimin e saj edhe forcimi i dollarit amerikan.
New York Times shkruan se çmimi i arit të zi tashmë ka rënë në nivelin më të ulët që nga muaji janar. Një fuçi naftë u shit në bursën amerikane për 78.75 dollarë, një rënie kjo me 7.5% krahasuar me javën që shkoi, dhe në bursën e Londrës ra 5.7% duke u shitur për 85.15 dollarë. Ngadalësimi i rritjes së ekonomive më të mëdha në botë po ndihet tashmë.
Për shkak të inflacionit të lartë, bankat qendrore jane duke rritur normat e interesit, por kjo ngadalëson rritjen ekonomike e për rrjedhojë, dobëson kërkesën për energji. Javën e kaluar, bankat qendrore të SHBA-së dhe Zvicrës rritën normat bazë të interesit me 0.75 pikë përqindjeje, ndërsa ato qendrore britanike dhe norvegjeze me gjysmë pike.
Lexo edhe: Kriza e energjisë, grupet amerikane: Nuk mund ta shpëtojmë Europën
Tregtarët druhen se kostot më të larta të huamarrjes do të mbysin rritjen ekonomike. Frika e tyre u mbështet edhe nga një sondazh i S&P Global pak ditë më parë, i cili tregoi tkurrje për tre muaj radhazi në eurozonë, e nënvizonte se një recesion i saj, ka shumë të ngjarë. Dollari i fortë gjithashtu ndikon negativisht në çmimin e naftës.
Indeksi i monedhës së gjelbër, i cili ka fituar terren me kundrejt gjashtë monedhave të tjera kryesore botërore, u rrit 3% javën e kaluar duke arritur një nivel të ri 20-vjeçar, por kjo ka ndikim jo të favorshëm tek kërkesa.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto