Nga Sabina Iskurti,
Prishila Gjoka
Buja e NFT-ve duket se ka shkelur në tokën shqiptare!
Klarens Malluta është një artist shqiptar, i cili i ka dedikuar një pjesë të madhe të kohës së tij tregtimit të NFT-ve. Me një eksperiencë të gjatë në dizajnin grafik dhe videografi, ai na tregon se si zbuloi tregun e NFT-ve dhe vendosi të krijojë koleksionet e tij të artit, të shumëngjyrshme dhe abstrakte, të cilat, jo vetëm që u mirëpritën në tregjet e NFT-ve, por patën një sukses që për Klarensin ishte surprizues. I frymëzuar nga stili psychodelic, ai përdor efekte me ngjyra të ndezura, duke synuar të krijojë copëza arti që duken estetikisht të bukura. Klarensi na tregon se rrugëtimi i tij drejt artit nisi që në fëmijërinë e hershme. Fillimisht si një hobi dhe një mënyrë për t’ju larguar përditshmërisë, më pas si një pasion që pak nga pak mori formën e një profesioni. Të kthesh pasionin në profesion është një nga shkallët më të larta të vetërealizimit. Për Klarensin ka qenë një rrugëtim sa sfidues po aq edhe i bukur.
Megjithëse mori një drejtim tjetër në fushën e shkollimit, kjo nuk e pengoi atë që të ndiqte pasionin e tij për artin grafik. Klarensi ka mbaruar Bachelorin në Universitetin Politeknik të Tiranës për Inxhinieri Elektronike. Studimet i vazhdoi më tej në Kanada për Power Engeneering.
Në periudhën e qëndrimit të tij në Kanada, ai mori një ofertë nga Adobe, ku duhet të punonte çdo muaj për të krijuar livestream-e nga ku mësonte të tjerët se si të përdornin photoshop-in. Por, duke qenë se viza studentore në Kanada nuk e lejonte të qëndronte atje si i punësuar, ai mori vendimin për t’u kthyer në Shqipëri, ku nisi dhe karrierën e tij në fushën e dizajnit grafik me punime për figura të njohura të skenës artistike shqiptare.
Në fund të vitit 2019, Klarensi u njoh me botën e NFT-ve. Duke parë artistë të ndryshëm që krijonin punime të ngjashme me punimet e tij dhe i shisnin në platforma të ndryshme për shuma marramendëse, ai nisi të bënte kërkimet e duhura rreth asaj se çfarë ishin NFT-të, përse shiteshin kaq shtrenjtë, si funksiononin dhe si mund të bëheshe pjesë e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto