Bisedat e përditshme me inteligjencën artificiale mund të kenë një kosto të padukshme për shëndetin mendor. Një studim i publikuar në JAMA Network Open tregon se përdoruesit që komunikojnë çdo ditë me chatbot-e me IA përballen me rrezik deri në 30% më të lartë për shfaqjen e simptomave të depresionit, krahasuar me ata që i përdorin në mënyrë sporadike.
Sipas studiuesve, rritja e intensitetit të përdorimit të IA-së shoqërohet me shtim të shenjave depresive, edhe pse efekti konsiderohet i moderuar, por i rëndësishëm në nivel shëndeti publik.
Studimi u bazua në një anketë me 20.847 të rritur amerikanë, e zhvilluar mes prillit dhe majit 2025. Rreth 10.3 për qind e të anketuarve raportuan përdorim të përditshëm të IA-së, ndërsa 5.3 për qind komunikonin me chatbot-e disa herë në ditë. Më të rinjtë rezultuan grupi më i ekspozuar ndaj ndikimeve në shëndetin mendor.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse inteligjenca artificiale është shkaktare direkte e depresionit apo nëse personat që ndihen të izoluar emocionalisht priren të kërkojnë më shumë ndërveprim dixhital. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë nevojën për studime të mëtejshme.
Ndërkohë, një raport i Forumit Ekonomik Botëror paralajmëron se inteligjenca artificiale do të ndikojë ndjeshëm edhe në tregun global të punës deri në vitin 2030. Sipas skenarëve të fundit, bota po lëviz mes dy realiteteve: bashkëpunimit të suksesshëm mes njeriut dhe teknologjisë, ose thellimit të hendekut mes zhvillimit teknologjik dhe aftësive njerëzore.
Pyetja kryesore tashmë nuk është nëse IA do të ndryshojë ekonominë globale, por sa shpejt dhe sa thellë do ta bëjë këtë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto