Raporti i quajtur “Pentagon Pizza Report”, që monitoron aktivitetin e pazakontë të porosive me dërgesë pranë Pentagonit, ekziston vërtet. Por Pentagoni është në dijeni të tij, dhe duket se ka menduar edhe mënyra më “të fshehta” për të ushqyer stafin kur punon jashtë orarit. Praktika e vjetër e ashtuquajtur “pizza intel”, ideja se një rritje e porosive me pica pranë Pentagonit mund të sinjalizojë një zhvillim të madh gjeopolitik, mund të mos funksionojë më si më parë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha me shaka se mund të bëjë porosi të mëdha ushqimi në selinë e Departamentit të Mbrojtjes “vetëm për t’i hedhur të gjithë në erë”, pra për të çorientuar ata që monitorojnë internetin.
Kur rriten porositë, a po ndodh diçka?
Pentagoni shihet si qendra nervore e fuqisë ushtarake amerikane dhe një nga objektivat kryesore të kundërshtarëve të SHBA-së. Por, në thelb, ai është një ndërtesë gjigante zyrash, për vite me radhë më e madhja në botë, ku punojnë rreth 26,000 persona çdo ditë. Dhe, si në çdo zyrë, kur punohet deri vonë, njerëzit duhet të hanë. Pikërisht për këtë arsye, prej dekadash gazetarë dhe analistë kanë vëzhguar restorantet pranë Pentagonit sidomos piceritë, për të parë nëse ka rritje të pazakontë të porosive gjatë natës. Kjo shihej si një shenjë se mund të ishte duke u përgatitur një operacion ushtarak. Në tetor 1983, porositë me pica pranë Pentagonit u dyfishuan një natë para nisjes së pushtimit të Grenadës. E njëjta gjë ndodhi edhe në dhjetor 1989, para operacionit “Just Cause” në Panama. Që prej asaj kohe, shumë gazetarë kanë mbajtur “nën vëzhgim” porositë e picave si një tregues jozyrtar për zhvillime të mëdha. Edhe para pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990, u raportua një rritje e fortë e porosive të Domino’s në zonën e Uashingtonit. Në atë rast, porositë shkuan në selinë e CIA-s në Langley, Virginia, jo në Pentagon.
“Pentagon Pizza Report” në rrjetet sociale
Sot, një llogari në platformën X (ish-Twitter), e quajtur “Pentagon Pizza Report”, monitoron porositë e ushqimit përmes të dhënave publike (open-source). Metoda nuk është shkencore, por historikisht ka përkuar me momente të rëndësishme. Pentagoni, natyrisht, e di që po monitorohet. Komentet e Hegseth duket se janë bërë pjesërisht me humor, por edhe me një mesazh serioz: siguria operacionale është prioritet.
“Kam menduar thjesht të porosis shumë pica në netë të rastësishme, për t’i hutuar të gjithë,” tha ai në Fox News. “Një të premte mbrëma, kur të shihni shumë porosi Domino’s, mund të jem unë në aplikacion, duke e ngatërruar gjithë sistemin.”
Duhet theksuar se Pentagoni ka shumë opsione ushqimi brenda ndërtesës. Në vend të një mense tradicionale, aty ndodhet një Food Court me disa restorante të njohura si Subway, Starbucks, Popeyes dhe madje edhe Lebanese Taverna. Në zona të brendshme ka McDonald’s, Taco Bell dhe Panda Express, të aksesueshme vetëm për punonjësit federalë.
Ka gjithashtu restorante me shërbim në tavolinë si Bistro 108 dhe Moe’s Southwest Grill. Por, sipas mediave si Chowhound dhe The Takeout, brenda Pentagonit nuk ka asnjë piceri. Kjo do të thotë se për evente të mëdha ose punë intensive gjatë natës, Departamenti i Mbrojtjes duhet të porosisë pica nga jashtë.
Hegseth theksoi se suksesi i operacioneve moderne lidhet edhe me kontrollin e informacionit publik.
“Ka një arsye pse ‘Midnight Hammer’ funksionoi, sepse ne e kuptojmë informacionin e hapur, por edhe mënyrat e klasifikuara se si të tjerët përpiqen të vëzhgojnë lëvizjet tona. Dhe ne kontrollojmë shumë prej këtyre indikatorëve,” tha ai.
Në fund, mbetet për t’u parë nëse “inteligjenca e picave” do të vazhdojë të jetë një tregues i besueshëm. Por një gjë është e sigurt: edhe në qendrën më të madhe ushtarake në botë, kur punohet deri vonë, dikush duhet të porosisë darkën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto