Të dashur lexues,
Para se të flasim për financat, bankat, kursimet, pensionet, investimet, inflacionin dhe ekonominë në tërësi, është e domosdoshme të kuptojmë monedhën (paranë) në detajet më të imëta. Mund t’ju duket sikur është diçka për të cilën s’kemi nevojë të flasim se “e përdorim” çdo ditë, por më besoni që është thelbësore! Kjo njohuri është veçanërisht e rëndësishme për gjeneratat e reja, të cilët shpesh e kanë humbur lidhjen me konceptin tradicional të monedhës. Për ta, monedhë, para, valutë, lek janë sinonime të njëra-tjetrës pra, s’ka ndryshim.
Do ta filloj duke thënë se monedha është gjaku i çdo ekonomie. Nëse gjaku është i shëndetshëm, trupi (ekonomia) do të performojë mirë. Në rast të kundërt, ka kolaps. Në ekonomi, përveç kolapsit, do kemi varfëri dhe dhunë.
Nëse monedha është gjaku i ekonomisë, valuta është si kanalet (arteriet ose venat) në të cilat monedha (gjaku) rrjedh dhe mund të ndodhë që këta kanale të kenë humbje. Pra, nëse valuta (kanali) ka humbje, do të kemi humbje të monedhës (gjakut) që qarkullon në të. Nëse gjaku do të dilte jashtë arterieve dhe venave, atëherë ne do të pësonim një hemorragji dhe si rrjedhojë një kolaps. Në të njëjtën mënyrë, kur valuta ka humbje, ekonomia pëson një hemorragji dhe shkon drejt kolapsit. Për gjeneratat e sotme, gjaku dhe enët e gjakut përdoren në vend të njëra-tjetrës, por qartazi ato janë dy gjëra të ndryshme. Në vijim, fjalët para dhe monedhë (money) do t’i përdorim në vend të njëra-tjetrës sepse janë ekuivalente.
Lexo edhe: Njihuni me Elvis Shera: Një histori e suksesit në teknologji dhe edukim financiar
Këmbimi dhe vlera e tij
Para se të shpjegojmë se çfarë është paraja dhe përse shërben, duhet të kuptojmë këmbimin dhe pse njerëzit këmbëjnë sende dhe shërbime me njëri-tjetrin. Për këtë arsye, do të përdorim ekonominë e Robinson Crusoe, një personazh i novelës së Daniel Defoe, i cili përfundon në një ishull të pabanuar. Qartazi, Crusoe s’ka nevojë as për para dhe as për këmbime. Këmbimi mund të ndodhë vetëm nëse ka të paktën edhe një personazh tjetër. Ky personazh i dytë është Friday. Pyetja është pse Crusoe dhe Friday angazhohen në këmbime midis tyre?
Këmbimi kryhet vetëm sepse të dy palët, Crusoe dhe Friday, mendojnë që duke këmbëyer, ata do të përfitojnë. Le të themi se Crusoe ka peshk dhe Friday ka drithëra. Kur Crusoe këmbën peshk me drithëra, ai po vlerëson më shumë drithërat që do të marrë, ndërsa Friday nga ana tjetër vlerëson më shumë peshkun që do të marrë sesa drithërat që ka. Pas këmbimit, të dy palët përfundojnë të kenë edhe peshk edhe drithëra. Pra, këmbimi i projektoi të dy personazhet në një situatë më të mirë se ç’ishin në fillim.
Për shumë kohë është besuar se këmbimi ishte një vlerësim i barabartë mes palëve, por në realitet palët i vlerësojnë gjërat që këmbëjnë jo në mënyrë të barabartë, madje në kundërshtim, sepse njëri vlerëson më shumë peshkun dhe tjetri drithërat. Nëse s’do kishim vlerë të shtuar dhe ishte njësoj, pse ta merrnim mundimin të këmbenim?
Këmbimi nuk është një veçanti e ekonomisë së Crusoe-s, por është universal në të gjitha vendet dhe popujt. Kjo sepse njerëzit kanë aftësi të ndryshme nga njëri-tjetri dhe burimet natyrore janë të shpërndara në mënyrë jo të njëtrajtshme gjeografikisht.
Aspekti tjetër i rëndësishëm në këmbime është specializimi. Për shembull, nëse Crusoe është më i mirë në peshkim dhe Friday është më i mirë si fermer, ata mund të vendosin të këmbëjnë peshk me drithëra pa qenë nevoja që Crusoe të bëhet edhe fermer. Sigurisht, Crusoe mund të bëhet edhe fermer, por drithërat e tij do të ishin me cilësi më të ulët se drithërat e Friday, sepse ky i fundit është i specializuar. Përveç cilësisë, Crusoe do të prodhonte më pak drithëra, ashtu siç Friday do të kapte më pak peshk. Këmbimi, lejon secilin të specializohet në atë që bën më mirë, dhe specializimi sjell cilësi dhe bollëk.
Problematikat e këmbimeve direkte?
Le ta zmadhojmë tani ekonominë e Crusoe-së në një ekonomi më të madhe, e përbërë nga disa familje në një fshat të vogël. Këmbimi i drejtpërdrejtë është praktik vetëm në një grup relativisht të vogël dhe me pak mallra dhe shërbime. Në këtë ambient të limituar, nuk ka shumë hapësira për t’u specializuar sepse nuk ka shumëllojshmëri mallrash dhe shërbimesh.
Imagjinoni të specializoheni në prodhimin e këpucëve në këtë ekonomi të vogël. Mbasi të gjithë kanë marrë këpucë, do të kalojë një farë kohe para se ata të kenë nevojë për këpucë sërish. Pra, gjatë kësaj kohe, si do të jetonit? Në këtë situatë, secilit i duhet të ketë një shumëllojshmëri sendesh për të këmbyer dhe jo vetëm një, pra në një farë mënyre të jetë i angazhuar me të gjitha llojet e këmbimeve.
Le ta zgjerojmë tani ekonominë akoma më shumë, duke kaluar nga një ekonomi fshati në një ekonomi qyteti me shumëllojshmëri më të madhe mallrash dhe shërbimesh. Në këtë ekonomi më të madhe dhe më komplekse, shanset janë më të mëdha për t’u specializuar në prodhimin e sendeve dhe shërbimeve. Duke përsëritur shembullin e këpucëve, shanset për kërkesë këpucësh janë më të shumta. Arsyeja tjetër e suksesit të specializimit është se me specializimin, produkti mund të bëhet më cilësor dhe kostot mund të ulen, duke u bërë më konkurrues në treg.
Ekonomia më e madhe, edhe pse krijon hapësira më të mëdha për këmbime dhe për specializim, paraqet prapë disa problematika. Nga këto, dy janë problemet kryesore:
Koincidencat: Nëse personi A ka vezë për të shitur dhe personi B ka në dispozicion këpucë, si do të bëhet këmbimi nëse personi B interesohet për vezë por personi A interesohet për një kostum? Personit B do t’i duhet të gjejë një person tjetër C që jo vetëm ka kostume, por ka interes t’i këmbejë ato me këpucët që B-ja ka. Pra, këmbimi do të bëhet vetëm nëse:
- B gjen një person C që ka kostume.
- C ka interes në këpucët e B-së.
- B këmben këpucë me kostum.
- B i jep A-së kostum për të marrë vezët.
Shikoni se si në këmbimet direkte duhen zbuluar kombinacione të ndryshme dhe shtuar këmbime (që nuk ishin të nevojshme) për t’ia arritur qëllimit të këmbimit origjinal që ishte thjesht: B donte të merrte vezë.
Barazia e vlerave: Ajo që A dëshiron të marrë, nuk është e barabartë në vlerë me atë që A ka në dispozicion për të këmbyer. Imagjino të dëshirosh të këmbyesh një pulë me një lopë. Qartësisht, nuk mund ta ndash lopën në copa që të marrësh një pulë.
Një problem tjetër që nuk e përmendëm është se këmbimet direkte kanë prirje të ndodhin më shumë me personat që njihen me njëri-tjetrin dhe këmbimi bëhet në një atmosferë besimi. Gjë që e kufizon përshkallëzimin e tregtisë. E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë problem në çdo ekonomi dhe për të rritur shanset për specializim, është të përdoret diçka që njerëzit e këmbejnë gjithmonë.
Këmbimet indirekte dhe lindja e “mjetit të këmbimit”
Imagjinoni sikur, për hir të eksperimentit, të monitorojmë të gjitha këmbimet që ndodhin në këtë ekonomi të këmbimeve direkte dhe të regjistrojmë mallin që këmbëhet më shumë se të tjerët. E zëmë se ky mall është kripa. Hapi tjetër i këtij eksperimenti është të shohim me më shumë detaje dhe të kuptojmë pse pikërisht kripa. Ajo që zbulojmë është se kripa nuk blihet sepse përdoret në moment ose ditët në vijim, por sepse në mënyrë natyrale, thjesht duke provuar në të përditshmen, individët këmbjen gjërat me kripë sepse mund ta përdorin kripën në një moment të ardhshëm për të marrë sende dhe shërbime.
Në shembullin e mëparshëm, personi B s’kishte më nevojë për të gjetur një kostum për personin A për t’i marrë vezët nga A-ja sepse mund t’i jepte thjesht kripë në këmbim të vezëve, sepse e dinte që kripa pranohet me thjeshtësi pasi dhe personi A mund ta përdorë atë për ta këmbëyer me çdo person tjetër.
Pra, në këto rrethana, krijohet një kërkesë tregu për kripë që e tejkalon përdorimin e thjeshtë të saj. Kjo krijon një spirale kërkese që rritet vazhdimisht. Nëse një mall është më i “tregtueshëm” se të tjerët, dhe nëse çdo individ ka besim se do ta këmbëjë në një të ardhme pa probleme, atëherë kërkesa për këtë mall do të jetë gjithmonë në rritje sepse do të përdoret si “mjet këmbimi“.
Gjatë historisë dhe në vartësi të kulturave, aftësive dhe burimeve natyrore, objekte të ndryshme kanë luajtur rolin e mjetit të këmbimit (ashtu si kripa në shembullin e mëparshëm). Shembuj janë: duhani, sheqeri, kripa, bagëtia, thonjtë, bakri, gruri, grepa peshku, guaska, çaji, gurë të lëmuar, etj.
Midis të gjitha këtyre shembujve, ari dhe argjendi u përhapën me kohën, si një zgjedhje e lirë e tregut dhe në konkurrencë me sendet e tjera, duke i zëvendësuar ato.
Për një kohë shumë të gjatë, ari dhe argjendi, përveç bizhuterive dhe orendive të bukura, kanë luajtur rolin e mjetit të këmbimit. Pra, të parasë. Ky proces – i zhvillimit të një mjeti këmbimi në një treg të lirë, është e vetmja mënyrë sesi paraja mund të afirmohet dhe të bëhet e pranueshme nga të gjithë.
Paraja nuk mund të krijohet në asnjë mënyrë tjetër. S’mund të krijohet nga asnjë njeri që vendos të krijojë para në mënyrë arbitrare të bazuar në çdo send apo material që zgjedh. Gjithashtu, paraja nuk krijohet as dhe nga një qeveri që vendos të quajë para “copëza” letre. E përfshirë në kërkesën për para është njohuria e çmimeve të kaluara në të cilën kërkesa e sotme dhe e ardhshme bazohet. Pra paraja ka nevojë për histori.
Në artikullin e ardhshëm do të hyjmë në detajet e parasë duke analizuar cilat janë karakteristikat që një objekt duhet të ketë për të funksionuar si para.
Publikime të tjera të autorit mund të gjenden në:
kanalin youtube “Financiarisht i Pavarur”
https://www.youtube.com/@financiarisht-i-pavarur
rubrikën : https://elvisshera.substack.com
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.