Nga Adelina Onuzi
Nëse disa vite më parë të merrje pagën në euro ishte privilegj, një garanci kundër luhatjeve të monedhës vendase, sot situata ka ndryshuar rrënjësisht. Që nga gushti i vitit 2024, euro ka qëndruar vazhdimisht nën pragun e 100 lekëve, me luhatje të vogla, por të qëndrueshme rreth nivelit 98 lekë. Edhe sot, euro vijon të ruajë këtë kuotë, duke reflektuar një realitet të ri ekonomik për individët, sipërmarrjet dhe tregun valutor shqiptar në përgjithësi.
Lexo gjithashtu: Paga minimale 500 euro/ Ekspertja Radonshiqi: Shpresë për krahun e punës, por rrezik për bizneset
Grafiku i mëposhtëm nga Banka e Shqipërisë mbi kursin e këmbimit në dekadën e fundit tregon një forcim të qëndrueshëm të lekut, sidomos në dy vitet e fundit.
Por në një vit zgjedhor, ku pritet rritje e shpenzimeve publike dhe qarkullim më i madh valute, a mund të sjellë kjo një tronditje në kurs?
Lexo gjithashtu: “Gjenerata Z nuk po e shkatërron shqipen, ajo po e evoluon”, Alda Bardhyli për sfidat e gjuhës së shkruar
Në një intervistë për Business Magazine, Dritan Vakaj, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive të Këmbimit Valutor, shpjegon faktorët që mund të ndikojnë në këtë kurs gjatë muajve zgjedhorë, si dhe pritshmëritë për vitin 2025.
Duke parë periudhën zgjedhore dhe historikun e viteve të mëparshme, a pritet që kërkesa për euro të ulet apo të rritet në muajt para dhe pas zgjedhjeve? Cilat janë mekanizmat që e ndikojnë këtë sjellje në tregun valutor?
Situatat parazgjedhore i kemi parë të ndryshojnë nga zgjedhjet në zgjedhje dhe ajo që vihet re veçanërisht në këto të dy fundit është që partitë i janë larguar disi nga shpenzimet masive dhe aktiviteteve pompoze të dikurshme, çka në një farë mënyre i ka bërë këto fushata me më të lira. Thënë kjo, nga pikëpamja e ofertës monetare në treg fushata elektorale në vetvete nuk e ka ndikuar ekuilibrin e këmbimit valutor, sigurisht këtu kemi një komponent shumë të rëndësishëm që janë shpenzimet qeveritare të cilat pa diskutim e kanë rritur ofertën e lekut e për pasojë kemi parë një kurs këmbimi që mund të konsiderohet i qëndrueshëm gjatë kësaj pjese të parë të vitit. Ndryshe nga vitet jo elektorale ku kemi pasur fenomenin e përqendrimit të shpenzimeve në fund të vitet, këtë vit zgjedhor kjo ka filluar që në muajt e parë të vitit, gjë që është ndjerë në treg.
Një element tjetër që ndikon në kursin e këmbimit është edhe pritshmëria e publikut dhe investitorëve ndaj programeve të partive politike dhe propozimeve të tyre. Në rastin e vendit tonë asnjëri krah politik nuk ka propozuar ndryshime rrënjësore në politikën fiskale apo orientimin e vendit ndryshe nga ai pro perëndimor, gjë e cila nuk i ka ndikuar tregjet dhe pritshmëritë e investitorëve.
Lexo gjithashtu: Shqipëria, destinacion i ri për turizmin dentar dhe estetik/ Pse vijnë të huajt?
A ndikon një vit zgjedhor në vendimet e Bankës së Shqipërisë në lidhje me kursin e këmbimit dhe politikën monetare? A mund të kemi ndërhyrje direkte për të frenuar luhatje të forta të euros?
Banka e Shqipërisë e monitoron në baza të përditshme tregun e këmbimit valutor dhe e ka bërë të qartë që nuk do të ndryshojë rregullat e lojës, por do jetë gjithmonë prezente aty për të siguruar stabilitet të tregut dhe rritur besimin e publikut. Vitin e fundit kemi parë ndërhyrje të drejtpërdrejta të Bankës së Shqipërisë, përveç ankandeve të parashikuara sipas kalendarit përkatës, fenomen të cilin ende nuk e kemi hasur gjatë këtij viti. Siç e përmendem më herët kjo besojmë të ketë ardhur edhe si rezultat i prurjeve më të ulëta të valutës nga turizmi dhe rritjes së shpenzimeve qeveritare.
Tanimë gjendemi në fushatë elektorale dhe nuk kemi ndonjë indikacion për ndryshime dramatike të ekuilibrave të tregut dhe nuk besojmë që do jetë e nevojshme të kemi ndërhyrje të drejtpërdrejta të bankës. Duhet mbajtur në vëmendje që pritshmëritë janë për një sezon turistik premtues, që nënkupton shtim të euros në treg dhe për pasojë ulje të vlerës së saj.
Lexo gjithashtu: Jetona Myteveli: Ja si mund të sigurojnë startup-et shqiptare financim të qëndrueshëm?
Çfarë roli luajnë investimet elektorale dhe shpenzimet publike në forcimin e lekut gjatë një viti zgjedhor? A ka rrezik për një mbivlerësim artificial të lekut përkohësisht?
Shpenzimet e drejtpërdrejta të partive në fushatat e fundit kanë ardhur në tkurrje për pasojë nuk besojmë që këto e ndikojnë ekuilibrin e kursit të këmbimit më. Nga ana tjetër kemi shpenzimet publike të cilat pa diskutim që janë një element shumë i rëndësishëm në këtë ekuilibër. Pasi qeveria përmes mbledhjes së taksave e ulë sasinë e lekut në qarkullim duke e ndikuar kursin, por me shpenzimet që kryen, duhet theksuar që qeveria është enti më i madh shpenzues, e bën të mundur që kjo balancë të shkoj në vend dhe tregu të siguroj qëndrueshmëri. Ajo që kemi vënë re në vitet jo elektorale është se qeveria i ka përqendruar shpenzimet kryesisht në fund të vitit, çka është ndjerë edhe në kursin e këmbimit.
Lexo gjithashtu: DuaCrypto, promovimi i pavarësisë financiare përmes kriptomonedhave dhe blockchain
A ka sinjale që euroja do të vijojë të dobësohet përballë lekut në 2025, apo jemi përballë një kthese të mundshme pas stabilizimit të situatës politike?
Situata pas zgjedhore përkon edhe me hapjen e sezonit turistik, i cili pritet të ketë prurje të mëtejshme të valutës në vend dhe indikatorët janë që mund të kemi një rënie të lehtë të euros. Duhet theksuar që viti i fundit ka qënë relativisht stabël, pasi nëse flasim për një luhatje 2-3% ajo është brenda lëvizjeve të zakonshme dhe nuk përbën anomali. Gjithsesi, sapo kemi filluar një “luftë” tarifash të cilën nuk e kemi parë ndonjë herë në këtë nivel dhe kjo ka rritur ndjeshëm pasiguritë në tregje. Nuk ka asnjë studim apo mendim të qartë se cili do jetë efekti i vërtet i këtyre masave, por ajo që të gjithë bien dakord është se do ketë më shumë humbës se fitues.
Efektet e kësaj lufte janë ndjerë në kursin e këmbimit në vend, edhe pse ne nuk kemi një volum të ndjeshëm të tregtisë me SHBA, sërish efektet e para të kësaj situate janë ndjerë në vend.
Si ndikojnë zgjedhjet në perceptimin e investitorëve të huaj dhe aktorëve financiarë për stabilitetin ekonomik të vendit, dhe si përkthehet kjo në kursin euro-lek?
Në raportin e fundit të publikuar nga Standard & Poor Shqipëria paraqitet me një notë vlerësimi të lartë (BB) duke treguar për një ekonomi stabile dhe parashikime për rritje të qëndrueshme. Pavarësisht se eksportet nga aktiviteti prodhues janë në një situatë kritike, kjo goditje është amortizuar nga eksporti i shërbimeve që në një farë mënyre ka siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe forcim të besimit të investitorëve. Sundimi i ligjit dhe qëndrueshmëria fiskale janë dy nga elementët kryesorë që ndikojnë vendimmarrjen e investitorëve të huaj për të hyrë në tregje në rritje dhe premtuese si ky i joni.
Ndërsa vendi i afrohet BE dhe të dy krahët politik e kanë të qartë orientimin Euroatlantik besojmë që investitorët e huaj vazhdojnë ta shohin vendin si një mundësi për të investuar. Turizmi paraqet interes të veçantë, por nuk mbeten mbrapa edhe burime të tjera të cilat kanë potencial të lartë për të tërhequr investime të huaja.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.