CES 2026 – Lajmet më të rëndësishme teknologjike që mund t’i keni humbur! - Business Magazine Albania

CES 2026 – Lajmet më të rëndësishme teknologjike që mund t’i keni humbur!

CES 2026 – Lajmet më të rëndësishme teknologjike që mund t’i keni humbur!

Dita e parë zyrtare e CES 2026 e mbajti ritmin lart me një përzierje përmirësimesh të afërta për gaming-un, forma të reja ambicioze pajisjesh dhe një mesazh të qartë: jo çdo pajisje duhet të bëjë gjithçka.

NVIDIA njoftoi risi të rëndësishme për gaming-un, pamë nga afër telefonin tri-fold të Samsung, ndërsa Lenovo solli një “ushtri” laptopësh gaming dhe konceptesh eksperimentale. Këto janë historitë kryesore nga data 6 janar.

NVIDIA: Gaming më i pastër, më i shpejtë, pa revolucion për zhvilluesit

Përditësimet e NVIDIA-s u fokusuan te përmirësimi i qartësisë së lëvizjes dhe rritja e performancës, pa i detyruar zhvilluesit të rindërtojnë lojërat nga e para. Kompania prezantoi G-Sync Pulsar, gjeneratën e re të teknologjisë VRR, e cila synon të reduktojë turbullimin e lëvizjes në monitorë duke pulsur ndriçimin e ekranit në segmente, në vend që ta mbajë të ndezur vazhdimisht. Sipas NVIDIA-s, kjo i jep pikselëve kohë të stabilizohen, duke e bërë më të lehtë ndjekjen e objekteve në lëvizje të shpejtë – veçanërisht në esports. Monitorët e parë Pulsar pritet të dalin nga Acer, AOC, ASUS dhe MSI, të gjithë 27 inç, 1440p IPS, me rifreskim 360Hz dhe deri në 500 nits HDR. Ata mbështesin gjithashtu Ambient Adaptive Technology, që rregullon automatikisht ngjyrat dhe ndriçimin sipas dritës së ambientit.

Në aspektin softuerik, NVIDIA prezantoi DLSS 4.5, që sjell një model të ri Super Resolution të bazuar në Transformer, duke përmirësuar stabilitetin vizual, reduktuar “ghosting” dhe përmirësuar anti-aliasing-un. Risi tjetër është Dynamic Multi Frame Generation, e projektuar për të shtyrë performancën drejt kufijve të ekranit, si p.sh. 4K 240Hz me path tracing. Modeli i ri është i disponueshëm për kartat RTX, ndërsa gjenerimi 6x i frame-ve pritet në pranverë 2026 për serinë RTX 50.

Lexo edhe: Meta përballet me hetim nga Kina për blerjen e startup-it të AI, Manus

Samsung: Telefoni tri-fold që sfidon idenë e telefonit inteligjent

Samsung prezantoi Galaxy Z TriFold, i cili u shfaq fillimisht në Azi, por në CES u pa për herë të parë nga afër. Në pamje të parë duket si një ide me kompromise – më i trashë, më i rëndë dhe më i shtrenjtë – por përdorimi real e bën më të kuptueshëm konceptin.

Ekrani kryesor 10 inç AMOLED është një hap i madh krahasuar me 8 inçët e modeleve aktuale foldable. Hapësira shtesë e bën multitasking-un më praktik dhe, i kombinuar me Samsung DeX, e afron pajisjen me një alternativë laptopi për udhëtime. Raporti 4:3 është më funksional për video dhe produktivitet.

Samsung ka investuar dukshëm edhe në mekanikë: dy mentesha, magnetë dhe paralajmërime inteligjente nëse pajisja hapet gabim. Megjithatë, trashësia dhe çmimi mbeten sfida, ndërsa porta USB-C duket si kufiri fizik për hollimin e mëtejshëm. Për momentin, TriFold shitet në Korenë e Jugut, ndërsa çmimi dhe disponueshmëria globale ende nuk janë bërë publike.

Lenovo: Eksperimentim pa komplekse

Lenovo e trajton CES-in si laborator idesh – dhe këtë vit nuk bëri përjashtim. Koncepti më mbresëlënës ishte Legion Pro Rollable, një laptop gaming me ekran OLED fleksibël që zgjerohet nga 16 inç në 21.5 ose 23.8 inç, duke kaluar nga raporti 16:10 në 21:9 apo 24:9. Ideale për simulime fluturimi, gara dhe lojëra open-world, edhe pse mekanizmi ende ndihet prototip. Lenovo shfaqi gjithashtu XD Rollable, një koncept me ekran që zgjerohet nga 13.3 në 16 inç dhe mbështillet rreth kapakut, duke krijuar një ekran të jashtëm për përmbajtje të pasqyruar – interesant, por me përdorime ende të kufizuara. Në segmentin handheld, u konfirmua Legion Go 2, i pajisur me SteamOS, që del në qershor me çmim fillestar 1,199 dollarë. Ai ruan ekranin OLED 8.8” 144Hz, kontrollorët e shkëputshëm dhe mbështet Ryzen Z2, por kalimi nga Windows në SteamOS premton një përvojë më “konsolë”. Për tregun masiv, Lenovo prezantoi ThinkBook Plus Gen 7 Auto Twist, me ekran të motorizuar që ndjek përdoruesin gjatë thirrjeve falë kamerës 10MP dhe AI-së. Çmimi nis nga 1,649 dollarë, me dalje në qershor.

Pebble: Rikthim tek thjeshtësia

Pebble u shfaq si kundërpeshë ndaj “më shumë sensorë, më shumë abonime”. Pebble Round 2 sjell një ekran e-paper me ngjyra 1.3”, trashësi vetëm 8.1 mm dhe deri në dy javë bateri. Nuk ka GPS, altoparlant apo sensor rrahjesh zemre – me qëllim. Ideja është të plotësojë telefonin, jo ta zëvendësojë. Risia tjetër është Pebble Index 01, një unazë AI me buton fizik për komanda zanore – pa “wake words”, pa gjeste të ndërlikuara. Bateria e mbyllur pritet të zgjasë me vite dhe pajisja kushton 75 dollarë në paraporosi.

Segway: Nga skuterët te kopshtet inteligjente

Segway zgjeroi portofolin përtej skuterëve. Nën markën Navimow, prezantoi robotë kositës për oborre të vogla dhe të mëdha, përfshirë X4 Series për sipërfaqe deri në 1.5 hektarë dhe i2 Series me LiDAR. Çmimet variojnë nga 1,000 në 3,000 dollarë. Në mobilitet, u prezantuan biçikletat elektrike Myon dhe Muxi, si dhe motori elektrik Xaber 300, me fokus te stabiliteti, sensorët inteligjentë dhe kontrolli përmes aplikacionit.

Meta: Kontroll pa prekje

Meta demonstroi se rripi i saj EMG për kyçin e dorës nuk është vetëm aksesor për syzet smart. Në bashkëpunim me Garmin, u shfaq një demo për kontrollin e funksioneve të makinës përmes gjesteve minimale. Meta po eksploron gjithashtu përdorimin e kësaj teknologjie për persona me kufizime motorike, duke u dhënë atyre kontroll mbi pajisjet smart të shtëpisë.

Razer: Immersion dhe AI wearable

Razer prezantoi Project Madison, një karrige gaming multisensore me ndriçim reaktiv, audio hapësinore dhe haptikë të avancuar – koncept, por shumë vizionar. Gjithashtu u shfaq Project Motoko, një headset me kamera për njohje objektesh dhe teksti, i menduar si platformë AI që mund të nisë si kit zhvilluesish.

Birdbuddy dhe Agibot: Natyrë & robotë humanoidë

Birdbuddy shtoi identifikimin e zogjve përmes zërit në ushqyesit e rinj smart, ndërsa Agibot solli robotë humanoidë që ecin, kërcejnë dhe synojnë role shërbimi në muze dhe evente.

Dita e parë mbyllet, por panairi është ende në kulm. Me hapjen e plotë të sallave, priten më shumë demo, teste reale dhe surpriza – veçanërisht në laptopë, wearable, mobilitet dhe smart home.

engadget

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0