Garry Ridge, ish-CEO i kompanisë ikonike WD-40, tregon se ndryshimi më i madh në karrierën e tij nuk lidhej me strategjinë apo fitimet, por me mënyrën se si i shihte njerëzit që drejtonte.
Ridge, i cili drejtoi WD-40 nga viti 1997 deri në pensionimin e tij në 2022, rrëfeu në podcast-in “A Bit of Optimism” të Simon Sinek se në fillimet e tij si drejtues besonte se roli i një CEO-je ishte të “komandonte dhe kontrollonte” gjithçka.
“Unë vërtet mendoja se duhej të isha një lider autoritar. Shumë shpejt kuptova se puna ime nuk ishte të komandoja,” tha Ridge.
Vetëm dy vite pasi ishte bërë CEO, ai vendosi të ndjekë një master për lidership ekzekutiv në Universitetin e San Diegos, ku kuptoi se suksesi i një kompanie nuk ndërtohet nga një person i vetëm. Nën ndikimin e profesorit të tij, Ken Blanchard, Ridge ndryshoi qasjen, duke u fokusuar te ndjenja e përkatësisë, fuqizimi dhe besimi te punonjësit.
“Nëse do të zgjeroheshim në 176 vende, siç bëmë, nuk mund ta bëja këtë vetëm. Duhej të krijoja një ambient ku njerëzit ndiheshin të sigurt për të marrë vendime dhe për të qenë të guximshëm,” u shpreh ai.
Sipas Ridge, lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me egon apo mikromenaxhimin, por me shërbimin ndaj ekipit. Ai tregoi se për muaj të tërë mbante të shkruar në dorë frazën “lavdëro dikë”, si kujtesë se roli i tij nuk ishte të dominonte, por të mbështeste.
Sot, Ridge punon si trajner lidershipi për CEO dhe drejtues të tjerë, të cilët, sipas tij, shpesh bien në të njëjtin kurth të kontrollit të tepruar. “Ata shohin liderë me ego të mëdha dhe pa empati dhe mendojnë se kjo është rruga e suksesit. Nuk është,” thekson ai.
Mesazhi i tij është i thjeshtë, kur njerëzit ndihen të vlerësuar, të sigurt dhe të përfshirë, rezultatet vijnë vetë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.