CEO i Google, Sundar Pichai, ka ndarë së fundmi qëndrimin e tij mbi natyrën e dyfishtë të inteligjencës artificiale (AI). Ai tha se edhe pse kjo teknologji premton përfitime të jashtëzakonshme për shoqërinë, mënyra se si mund të keqpërdoret nga individë me qëllime të këqija është shqetësimi i tij kryesor. Pichai theksoi se përdorimi i AI për krijimin e deepfake-ve, foto apo video tejet bindëse, të rreme, që mund të mashtrojnë publikun online, përbën makthin e tij më të madh në lidhje me të ardhmen e teknologjisë.
Në një intervistë të fundit, kur u pyet se çfarë aspektesh të AI e mbajnë zgjuar natën, Pichai fillimisht u ndal te potenciali pozitiv i teknologjisë. “Me një teknologji kaq të fuqishme sa AI, ka kaq shumë përfitime që mund t’i imagjinojmë,” tha ai, duke përmendur mundësinë që AI të ndihmojë “në zbulimin e barnave të reja” apo “zhvillimin e trajtimeve më të mira kundër kancerit.” Megjithatë, ai u kthye menjëherë te rreziku i madh që shoqëron këtë fuqi. “Çdo teknologji ka anën e saj të dyfishtë,” u shpreh ai. “Keqpërdorimi nga aktorë të dëmshëm… si deepfake-t, në një mënyrë që nuk do të jemi në gjendje të dallojmë më realen nga e rremja. Këto janë gjërat që të bëjnë të reflektosh. Udhëtimi i njerëzimit ka qenë gjithmonë ‘Si ta përdorim teknologjinë për të mirën e shoqërisë?’ Dhe mendoj se kjo teknologji nuk bën përjashtim,” shtoi Pichai.
Lexo edhe:Valentino kritikohet për reklamën e krijuar me AI!
Pichai: Monitoroj në kohë reale reagimet në rrjetet sociale
Pichai ka treguar gjithashtu se si ndjek suksesin e lançimeve të mëdha të produkteve të Google. Në një podcast, ai zbuloi se personalisht monitoron komentet dhe përvojën e përdoruesve në platformat sociale, përfshirë X (Twitter) të Elon Musk. “Jam një nga ata njerëzit që ka nevojë ta ndjejë këtë gjë vetë,” tha Pichai. “Marr raporte, por gjithashtu jam online duke parë se si njerëzit po e përdorin produktin, çfarë po postojnë. Kjo është e rëndësishme.” “Aktivizohem shumë ditën e lançimit. Dua të kuptoj çfarë po funksionon dhe çfarë jo. Jam në X duke parë reagimet dhe duke ndjekur si e përjetojnë produktin përdoruesit e zakonshëm,” shtoi ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto