Çfarë është dhe çfarë nuk është bar i keq për t’u eliminuar në arë, tradicionalisht vendoset nga syri i fermerit, dhe tashmë, gjithnjë e më shumë, edhe nga një model i ri i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga Carbon Robotics.
Startup-i me bazë në Seattle, Carbon Robotics, i njohur për ndërtimin e robotëve LaserWeeder, të cilët përdorin lazer për të eliminuar barërat e këqija, prezantoi këtë javë një model të ri AI të quajtur Large Plant Model (LPM). Ky model është në gjendje të njohë menjëherë specie të ndryshme bimësh dhe u jep fermerëve mundësinë të identifikojnë dhe eliminojnë lloje të reja barërash të këqija pa pasur nevojë të ritrainojnë robotët.
Modeli LPM është trajnuar mbi më shumë se 150 milionë fotografi dhe pika të dhënash, të mbledhura nga makineritë e kompanisë në mbi 100 ferma në 15 vende ku robotët e Carbon Robotics operojnë aktualisht. Sot, LPM është baza e Carbon AI, sistemi i inteligjencës artificiale që shërben si “truri” i robotëve autonomë për eliminimin e barërave të këqija.
Themeluesi dhe CEO i Carbon Robotics, Paul Mikesell, i tha TechCrunch se përpara zhvillimit të LPM, sa herë që shfaqej një lloj i ri bari i keq në një fermë, apo edhe i njëjti bar në kushte të ndryshme toke ose me pamje paksa të ndryshme, kompania duhej të krijonte etiketime të reja të të dhënave për t’i ritrainuar robotët që ta njihnin atë bimë. Ky proces zgjaste rreth 24 orë çdo herë, sipas Mikesell. Tani, me LPM, sistemi mund të mësojë një bar të ri në çast, edhe nëse nuk e ka “parë” kurrë më parë.
“Fermeri mund të reagojë në kohë reale dhe të thotë: ‘Kjo është një bar i ri i keq. Dua që ta eliminosh’, dhe kjo është diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë,” – shpjegon Mikesell. “Nuk ka më nevojë për etiketime të reja apo ritrainim, sepse Large Plant Model e kupton shumë më thellë se çfarë po sheh dhe çfarë lloj bime është.”
Sipas Mikesell, kompania, e themeluar në vitin 2018, filloi zhvillimin e këtij modeli pak pasi dërgoi në terren makineritë e para në vitin 2022. Ai ka përvojë shumëvjeçare në ndërtimin e rrjeteve neurale, nga rolet e tij të mëparshme në Uber dhe në projektet e realitetit virtual Oculus të Meta-s.
Modeli i ri do të implementohet në sistemet ekzistuese të Carbon Robotics përmes një përditësimi softueri. Pas kësaj, fermerët mund t’i tregojnë robotit se cilat bimë duhet të eliminohen dhe cilat duhen mbrojtur, duke zgjedhur fotografitë përkatëse në ndërfaqen e përdoruesit të robotit. Carbon Robotics ka siguruar deri më tani mbi 185 milionë dollarë investime nga fonde si Nvidia NVentures, Bond dhe Anthos Capital, ndër të tjera. Kompania synon të vazhdojë përmirësimin e modelit, teksa robotët do të vazhdojnë të furnizojnë LPM me të dhëna të reja nga terreni.
“Tashmë kemi mbi 150 milionë bimë të etiketuara në setin tonë të trajnimit,” – thotë Mikesell. “Kemi mjaftueshëm të dhëna sa të mund të shikojmë një foto dhe të vendosim çfarë lloj bime është, çfarë specieje, me çfarë lidhet, si është struktura e saj – edhe pa e pasur parë kurrë më parë atë bimë specifike.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.