Capital Point, kompania shqiptare e pasurive të paluajtshme luksoze, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në objektivat e saj duke u bërë përfaqësuesi i parë ekskluziv nga Shqipëria në rrjetin prestigjioz Forbes Global Properties. Ky rrjet ndërkombëtar, partner ekskluziv i revistës Forbes në fushën e real estate, tani përfshin edhe tregun shqiptar në hartën e tij.
Zgjedhja e Capital Point si përfaqësues ekskluziv i Forbes Global Properties për Shqipërinë nuk ishte e rastësishme. Ajo erdhi falë reputacionit të padiskutueshëm, përkushtimit dhe integritetit 16-vjeçar që Capital Point ka dëshmuar në sektorin e pasurive të paluajtshme.
E themeluar në vitin 2009, Capital Point është rritur duke u bërë sinonim i inovacionit dhe shërbimit cilësor në sektorin imobiliar vendas. Me një portofol të kuruar pronash ekskluzive, nga vila buzë detit tek rezidenca luksoze në kryeqytet, kompania ka kontribuar në pozicionimin e Shqipërisë si një destinacion premtues për investime elitare në pasuri të paluajtshme.

Në krye të Capital Point qëndron Ilda Zaloshnja, CEO dhe themeluese e kompanisë, e cila e drejton atë që nga themelimi në vitin 2009, duke u afirmuar si një lidere me ndikim në sektorin e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Si nënkryetare e Shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme (NAREA), Zaloshnja luan një rol kyç në ngritjen e standardeve profesionale të industrisë. Përmes partneriteteve me organizata prestigjioze ndërkombëtare, si National Association of Realtors (NAR) në SHBA dhe CEPI (Evropë), ajo angazhohet në përafrimin e praktikave vendase me standardet globale.
Po ashtu, Brandan Mativi, bashkëthemelues dhe këshilltar strategjik në Capital Point, ka luajtur një rol kyç në këtë arritje falë përvojës së tij shumëvjeçare në tregjet ndërkombëtare dhe angazhimit të tij afatgjatë për zhvillimin e industrisë vendase.
“Bashkimi me Forbes Global Properties është një moment historik për ne, që fuqizon objektivat tona afatgjata,” u shpreh Ilda Zaloshnja, CEO e Capital Point. “Ky partneritet hap kapitullin e radhës në përpjekjet tona për ta vendosur Shqipërinë në skenën ndërkombëtare dhe për t’u krijuar klientëve tanë mundësi lidhjeje me blerësit elitarë në mbarë botën.”
Nga ana tjetër, edhe vetë rrjeti global e vlerëson këtë bashkëpunim si mjaft të rëndësishëm. “Ne jemi të lumtur të mirëpresim Capital Point në Forbes Global Properties,” deklaroi Michael Jalbert, CEO i Forbes Global Properties. “Lidershipi vizionar, përqendrimi te ekselenca dhe kuptimi i thelluar i tregut shqiptar në zhvillim e bëjnë Capital Point një partner të vyer për rrjetin tonë global.”

Entuziazmin e ndan edhe Brandan Mativi, bashkëthemelues dhe këshilltar strategjik i Capital Point, i cili e cilëson këtë arritje si një gur themeli në rrugëtimin e kompanisë drejt tregjeve globale. “Partneriteti me Forbes Global Properties përputhet me vizionin tonë afatgjatë për zgjerim ndërkombëtar dhe për të ofruar shërbim të jashtëzakonshëm.”
Pjesë e vlerës së këtij partneriteti është edhe ekspozimi global që ai sjell. Forbes Global Properties operon në 28 vende të botës me më shumë se 600 zyra e lokacione. Kjo shtrirje i mundëson kompanive si Capital Point qasje në audiencën e gjerë të Forbes-it: mbi 167 milionë ndjekës e lexues aktivë në muaj. Në praktikë, pronat luksoze të menaxhuara nga Capital Point do të prezantohen në faqen e dedikuar forbesglobalproperties.com dhe në platformat e tjera mediatike të Forbes. Ky ekspozim pritet të tërheqë vëmendjen e blerësve të huaj dhe të krijojë mundësi të reja biznesi e bashkëpunimi në të ardhmen.

Përmes këtij partneriteti, Capital Point jo vetëm që forcon markën e vet në nivel ndërkombëtar, por gjithashtu promovon Shqipërinë si një destinacion të besueshëm e tërheqës për investitorët e pasurive të paluajtshme luksoze. Kjo lëvizje strategjike pritet të rrisë besimin në potencialin e tregut shqiptar dhe të sjellë një ndikim pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit imobiliar në vend.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto