Një në tre gra të rritura në Bashkimin Evropian ka përjetuar sulm seksual ose fizik, sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore. Këto shifra përfshijnë edhe rastet e njohura si “sulm seksual i mundësuar nga droga” (DFSA).
Përballë këtyre statistikave alarmuese, një ekip kimistësh nga Portugalia dhe Spanja, i udhëhequr nga Carlos Lodeiro Espiño i Universitetit NOVA të Lisbonës, ka prezantuar një prototip inovativ: një byzylyk prej letre, i pajisur me sensor kimik.
Në pamje të parë, duket si një byzylyk i zakonshëm festivali. Në të vërtetë, është një laborator mikroskopik më vete, i aftë të zbulojë praninë e drogës së njohur si Gamma-hidroksibutirat (GHB) – “droga e përdhunimit” – si dhe substancave të tjera dehëse, brenda pak sekondash.
Ky shpikje, e cila mund të arrijë në festivalet dhe klubet evropiane që këtë vit, ka potencialin të ulë ndjeshëm numrin e sulmeve seksuale.
Si funksionon byzylyku?
Byzylyku i lehtë dhe i biodegradueshëm fsheh dy sensorë kolorimetrikë miniaturë, njëri prej të cilëve reagon ndaj pranisë së GHB-së. Mjafton të lagen disa centimetra të tij me një pikë pijeje dhe, nëse pjesa e lagur kthehet në ngjyrë jeshile, kjo tregon praninë e një substance të padëshiruar.
E gjithë kjo ndodh brenda pak sekondash dhe rezultati është i dukshëm me sy të lirë.
“Ky është një produkt i menduar si një mburojë personale. Mund të përdoret deri në pesë ditë, duke testuar në mënyrë të përsëritur pije të ndryshme,” shpjegon profesori Lodeiro Espiño, udhëheqësi i kërkimit.
Lexo edhe: Fëmijët lituanezë do të mësojnë të ndërtojnë dronë që në klasë të 3-të
Pse GHB është kaq e rrezikshme?
GHB-ja është pa ngjyrë, pa aromë dhe tretet shpejt në trup. Vetëm disa orë pas konsumimit, ajo bëhet praktikisht e pazbulueshme në testet standarde. Viktimat shpesh humbasin vetëdijen ose kujtesën e ngjarjeve, duke e bërë hetimin e mëvonshëm të vështirë.
Në Evropë, deri në një të tretën e sulmeve seksuale që përfshijnë substanca kimike ndodhin pikërisht pas përdorimit të GHB-së ose derivateve të saj.
Nga laboratori në klub
Projekti është fryt i bashkëpunimit mes studiuesve nga Portugalia dhe Universiteti i Valencias në Spanjë. Kërkimi mbi sensorët ka zgjatur disa muaj, duke u mbështetur mbi 20 vite përvojë në metodat e zbulimit optik.
Dërgesat e para të byzylykëve kanë mbërritur tashmë në koncerte, festivale dhe klube të njohura në Spanjë e Portugali. Gjatë verës, kur turizmi është në kulm dhe festat zgjasin deri në agim, rreziku për helmimin e pijeve rritet ndjeshëm.
Nëse projekti fiton mjaftueshëm terren, krijuesit synojnë ta shpërndajnë në më shumë vende evropiane.
“Ky byzylyk nuk do ta zgjidhë problemin e dhunës seksuale, por mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e saj,” theksojnë studiuesit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto