Buburreca spiunë dhe robotë me inteligjencë artificiale: Gjermania harton të ardhmen e luftës - Business Magazine Albania

Buburreca spiunë dhe robotë me inteligjencë artificiale: Gjermania harton të ardhmen e luftës

Buburreca spiunë dhe robotët me inteligjencë artificiale: Gjermania harton të ardhmen e luftës

Për Gundbert Scherf, bashkëthemelues i Helsing, startup-i më i vlefshëm europian në fushën e mbrojtjes, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ndryshoi gjithçka. Në fillimet e tij, ai duhej të luftonte fort për të tërhequr investime për një kompani që prodhon dronë luftarakë dhe sisteme të inteligjencës artificiale për fushëbetejë. Sot, ky nuk është më shqetësimi kryesor. Vetëm muajin e kaluar, kompania me seli në Mynih dyfishoi vlerësimin në mbi 12 miliardë dollarë.

“Për herë të parë pas dekadash, Europa po shpenzon më shumë për teknologji mbrojtëse sesa SHBA-të,” tha Scherf, duke e krahasuar këtë moment me transformimin që solli Projekti Manhattan, nisma shkencore që i dha SHBA-ve armët bërthamore në Luftën e Dytë Botërore. Gjermania, si ekonomia më e madhe e kontinentit, po luan një rol qendror në ringritjen e mbrojtjes europiane. Qeveria e kancelarit Friedrich Merz po mbështet fuqishëm startup-et dhe teknologjitë e reja, duke hequr barrierat burokratike dhe duke i afruar ato me sistemin ushtarak të vendit.

Për shumë kohë, Gjermania e kishte bazuar sistemin e saj të mbrojtjes në garancitë e sigurisë amerikane, duke shmangur investimet e mëdha në teknologji ushtarake. Kultura e aversionit ndaj rrezikut favorizonte përmirësime graduale, jo inovacione të mëdha. Por kjo po ndryshon. Deri në vitin 2029, Gjermania planifikon të trefishojë buxhetin e saj të rregullt të mbrojtjes në rreth 162 miliardë euro në vit, një pjesë e madhe e të cilit do të shkojë në zhvillimin e teknologjive të reja dhe në konceptimin e një lufte moderne. Startupe si Helsing, por edhe ARX Robotics që zhvillon robotë autonomë për fushëbetejë, apo startup-e që prodhojnë mini-nëndetëse pa pilot dhe insekte spiunë, po e ndryshojnë panoramën e sektorit. “Duam t’i rikthejmë Europës shtyllën kurrizore,” shprehet Scherf.

Një ligj i ri i miratuar së fundmi nga kabineti gjerman do të mundësojë pagesa paraprake për startup-et që aplikojnë në tenderë publikë, duke lehtësuar hyrjen e tyre në treg. Po ashtu, ligji u jep autoriteteve të drejtën për të kufizuar tenderët vetëm brenda vendeve të Bashkimit Europian – një hap drejt rritjes së pavarësisë teknologjike. “Ministri i Mbrojtjes më tha: ‘Paraja nuk është më problem, tashmë është e disponueshme’. Ishte një pikë kthese,” tha Marc Wietfeld, CEO i ARX Robotics.

Lexo edhe:Clust, aplikacioni që lindi nga lodhja me kaosin e përditshëm të transportit!

Pas rikthimit të Donald Trump në skenën politike dhe dyshimeve mbi angazhimin amerikan në NATO, Gjermania ka premtuar të arrijë objektivin e ri të aleancës për të shpenzuar 3.5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2029, më shpejt se shumica e aleatëve europianë. Megjithatë, sfidat për të ndërtuar kampionë europianë në këtë sektor janë të mëdha. Ndryshe nga SHBA, ku tregu është i unifikuar dhe dominues si Lockheed Martin apo Palantir, Europa përballet me standarde të ndryshme mes shteteve. Për më tepër, SHBA ka mbështetur që në vitin 2015 startup-e mbrojtëse si Shield AI apo Anduril. Ndërsa në Europë, vetëm tani po krijohet një klimë më e favorshme. Një prej teknologjive më interesante është zhvillimi i insekteve spiunë. Startup-i Swarm Biotactics po punon mbi zhapikët-cyborg, të pajisur me kamera dhe sensorë që mund të kontrollohen në distancë. Qëllimi është të përdoren në mjedise të rrezikshme për të mbledhur informacione në kohë reale. “Bio-robotët tanë,  të bazuar në insekte të gjalla,  janë të pajisur me stimulim nervor, sensorë dhe module komunikimi të sigurta,” thotë CEO Stefan Wilhelm. Këta insekte mund të funksionojnë individualisht apo në grupe të sinkronizuara. Teknologjitë e mbrojtjes kanë qenë historikisht nxitëse të zhvillimit ekonomik,  që nga interneti e deri te GPS. Me ekonominë gjermane të goditur nga çmimet e larta të energjisë dhe konkurrenca kineze, investimet në teknologji ushtarake mund të ofrojnë një hov të ri. “Duhet ta pranojmë: një bazë e fortë industriale mbrojtjeje do të thotë ekonomi e fortë dhe inovacion i përshpejtuar,” thotë Markus Federle nga Tholus Capital.

Startup-et europiane dikur vuanin nga mungesa e kapitalit. Por sot, investimet në sektorin mbrojtës kanë arritur në 1 miliard dollarë në vitin 2024, më shumë se dyfishi i vitit 2022. Gjermania kryeson me 1.4 miliardë dollarë investime në pesë vitet e fundit. Vendet si Ukraina po ofrojnë mundësi reale për testimin e teknologjive në terren, ndërsa startup-et po rriten me ritme të shpejta. Quantum Systems dhe Tekever janë dy nga unicorn-ët e rinj europianë që prodhojnë dronë. “Shoqëria tashmë e ka kuptuar se demokracitë duhen mbrojtur,” tha Christian Saller nga HV Capital. Me një fuqi punëtore të lartë teknologjike dhe një sektor prodhues që po lirohet nga industria automobilistike, startup-et gjermane po gjejnë kombinimin e duhur mes talentit dhe kapaciteteve. “Start-up-et janë truri, ndërsa Mittelstand-i është muskuj,” përmbyll CEO i Donaustahl, Stefan Thumann.

 

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0