BSides Tirana - Eventi ku pasioni për sigurinë kibernetike takohet me inovacionin - Business Magazine Albania

BSides Tirana – Eventi ku pasioni për sigurinë kibernetike takohet me inovacionin

BSides Tirana - Eventi ku pasioni për sigurinë kibernetike takohet me inovacionin

BSides Tirana, një konferencë që filloi në vitin 2022 në Shqipëri, është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin e sigurisë kibernetike në vend. Nisur nga një vizion për të krijuar një platformë ku inovatorët dhe profesionistët mund të sfidojnë status quo-në, BSides ka evoluar në një ngjarje që jo vetëm ndan njohuri, por ndez një pasion të ri për sigurinë kibernetike në Shqipëri. Në këtë intervistë, një ndër bashkëthemeluesit e BSides na zbulon se si një udhëtim në BSides Athens ndezi shkëndijën që solli një konferencë të tillë në vend, dhe çfarë surprizash ka rezervuar edicioni i këtij viti.

Mund të na tregoni historinë pas Bsides Tirana? Çfarë ju inspiroi për të krijuar këtë event?

Duke qenë pjesë e komunitetit të sigurisë kibernetike në Shqipëri për një periudhë të gjatë, kemi organizuar disa aktivitete si workshop-e dhe garat Capture the Flag, me qëllim të kontribuojmë dhe të zhvillojmë më tej komunitetin këtu. Ideja për të nisur BSides Tirana lindi që në vitin 2016, kur morëm pjesë në BSides Athens. Edicioni i parë u mbajt në vitin 2022, falë mbështetjes së S&T Albania, tashmë Axians, që na ndihmoi në organizimin e tij.

Cili është qëllimi kryesor i Bsides Tirana dhe çfarë ndikimi shpresoni të arrini brenda komunitetit të sigurisë kibernetike në Shqipëri?

Qëllimi kryesor i BSides Tirana është të ofrojë një platformë për gjithë komunitetin e sigurisë, ku ata mund të ndajnë idetë dhe kërkimet e tyre, të mësojnë gjëra të reja përmes workshop-eve tona dhe të ndihmojnë komunitetin të krijojë lidhje të reja.

Kush duhet të marrë pjesë në Bsides Tirana? A ka grupe apo profesionistë specifikë që do të përfitonin më shumë nga ky event?

BSides Tirana është një event falas, ku çdokush me interes për sigurinë kibernetike është i mirëpritur të marrë pjesë. Konferenca tërheq një audiencë të larmishme, nga profesionistë të fushës, liderë biznesi dhe institucione, deri te studentë dhe individë të apasionuar pas sigurisë kibernetike. Diversiteti i prezantimeve dhe pjesëmarrësve e bën këtë konferencë të dobishme për të gjitha grupet që marrin pjesë.

Mund të lexoni edhe:Vjen edicioni i tretë i BSides Tirana!

A mund të na jepni një përmbledhje të folësve dhe temave që do të trajtohen gjatë eventit?

Si në vitet e kaluara, kemi pranuar aplikime për folës nga e gjithë bota. Fokus i jonë kryesor është t’i ofrojmë komunitetit në Shqipëri një mundësi më të madhe për të prezantuar idetë dhe kërkimet e tyre, por kontribuesit nga vende të ndryshme si Europa dhe Amerika janë gjithashtu shumë të vlefshëm. Në këtë edicion, do të kemi një shumëllojshmëri prezantimesh mbi tema si Ransomware, Cloud Security, Threat Analysis, Radio Frequency Attacks dhe shumë të tjera.

Çfarë e bën Bsides Tirana të ndryshëm nga eventet e tjera të sigurisë kibernetike? Pse është e rëndësishme për profesionistët dhe entuziastët që të mos e humbin këtë event?

BSides Tirana është një nga konferencat e pakta në Shqipëri që fokusohet në sigurinë kibernetike, me një theks të veçantë në aspektet teknike të fushës. Ky event është i rëndësishëm sepse ofron mundësinë për entuziastët të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe temat më në trend. Po ashtu, mundësitë e rrjetëzimit që ofron konferenca janë një nga cilësitë më të çmuara, pasi krijojnë mundësi të reja për biznes, punësim dhe ndarje idesh.

Si e shihni të ardhmen e sigurisë kibernetike në Shqipëri dhe si kontribuon Bsides Tirana në atë vizion?

Shqipëria është një vend në zhvillim në fushën e sigurisë kibernetike, dhe krahasuar me disa vite më parë, ndërgjegjësimi për këtë fushë është rritur ndjeshëm. Ky ndërgjegjësim do të vazhdojë të rritet në të ardhmen, duke rezultuar në një përmirësim të nivelit të sigurisë për individët, kompanitë dhe institucionet në Shqipëri. Ky është një nga qëllimet e konferencës, për të ndihmuar sa më shumë njerëz të kuptojnë rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe të bëhen më të ndërgjegjshëm për të.

A keni plane për të zgjeruar Bsides Tirana në vitet e ardhshme?

BSides Tirana ka pasur një rritje graduale çdo vit, dhe ne planifikojmë ta zgjerim konferencën duke përfshirë aktivitete të tjera dhe duke ftuar më shumë folës dhe pjesëmarrës.

Rezervoni vendin tuaj këtu!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0