Nga Eni Muça-Ka kompani që ngrihen si reagim ndaj kërkesave të tregut, dhe ka kompani që marrin frymë e formë nga një bindje e thellë për një shoqëri më të mirë, më të fortë dhe më të përgatitur. Brain Nest Consulting lindi pikërisht nga ky lloj vizioni. Jo si një biznes i zakonshëm, por si një thirrje e brendshme për të kontribuar në mënyrë reale dhe të prekshme për një Shqipëri më të aftë, më konkurruese dhe më të gatshme për të ardhmen Europiane që po troket.
Për themeluesen dhe CEO-n e saj, Enxhi Lipa, Brain Nest nuk është thjesht një sipërmarrje. Është finalizimi i një rruge që filloi shumë kohë më parë, përpara se kompania të kishte emër, logo apo strukturë. Filloi në terren, mes aktorëve të ndryshëm që lëviznin në sektorë të rinisë, zhvillimit, politikave publike dhe fondeve europiane; filloi në tryeza pune ku shihej qartë hendeku mes ambicies së Shqipërisë dhe gatishmërisë së aktorëve për ta përballuar atë ambicie.
Vitet e saj të para në sektor i dhanë një kuptim të qartë se sa shumë mungonte në treg: njohuritë, struktura, kapacitetet dhe mbështetja e duhur teknike që duhet të kishte çdo aktor shqiptar nëse do të përballej me sfidat e tregut europian. Ajo pa nga afër se si ide të mira humbnin, projekte të vlefshme nuk merrnin formë, ndërsa mundësitë e BE-së shpesh mbeteshin të paarritshme për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe informacionit.
Nga kjo përvojë, lindi pasioni për të krijuar një mekanizëm që i ndihmon të tjerët të mos humbasin më mundësitë. Dhe ky pasion u konkretizua në atë që sot quhet Brain Nest, një institut që fillimisht u ngrit si një platformë zhvillimi, një hapësirë mendimi dhe pune, dhe që pas dy vitesh u konsolidua në një kompani të mirëfilltë konsulence, trajnimi dhe asistence teknike.
Në këto dy vite, Brain Nest ka kaluar përtej idesë së një iniciative individuale. Sot është një strukturë, një ekip, një mision i qartë dhe një vizion i artikuluar që po jep rezultate të prekshme. Është dëshmi se kur një vizion i shëndoshë vendoset mbi punë të palëkundur, krijon një kompani që nuk ofron vetëm shërbime por impakt afatgjatë.
Sfidat që formësuan identitetin e Brain Nest Consulting
Që në fillim, sfida më e madhe nuk ishte operacionale, ishte konceptuale. Ishte sfida për t’u shpjeguar aktorëve të tregut se zhvillimet rajonale, ekonomike dhe politike nuk janë thjesht lajme të ditës, por sinjale të një transformimi të madh që kërkon përgatitje konkrete.
Shqipëria është në një moment historik të integrimit europian. Prej marrjes së statusit kandidat, institucionet qendrore kanë punuar për të harmonizuar kornizat teknike me ato të BE-së. Por ndryshimi nuk do të prekë vetëm institucionet do të prekë çdo biznes, çdo organizatë, çdo njësi vendore, çdo profesionist, që do të bëhët pjesë e një tregu më të gjerë e më konkurues.
Dhe pyetja që e shtyu Brain Nest drejt formësimit të tij të sotëm ishte: A janë gati aktorët e tjerë të tregut të përballen me sfidat dhe standardet e tregut europian?
Jo të gjithë. Shumë prej tyre nuk kanë kapacitetet njerëzore, financiare, teknike apo menaxheriale që kërkon konkurrenca europiane. Shumë të tjerë nuk e dinë që ekzistojnë mekanizma si grantet, fondet dhe programet që mund t’i përgatisin dhe t’i aftësojnë.
Pikërisht për këtë arsye, Brain Nest u krijua si një përgjigje strategjike ndaj një nevoje reale:
të hartojë, konceptojë dhe zbatojë projekte që rrisin konkurrueshmërinë e aktorëve vendas dhe i përgatisin për tregun europian të së ardhmes.
Kjo ishte sfida që e formësoi identitetin e kompanisë dhe që vazhdon ta udhëheqë atë në punën e përditshme.
Lexo edhe: Workshop për startupet: “Cyber Ready”, si të mbrosh biznesin tënd në botën digjitale!
Arritjet që dëshmojnë pjekurinë profesionale
Në një hark kohe të shkurtër, Brain Nest Consulting është përfshirë në disa prej proceseve më të rëndësishme të zhvillimit në vend, duke dhënë asistencë teknike që ka ndikuar drejtpërdrejt në finalizimin e projekteve madhore të financuara nga Bashkimi Europian.
Me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (Tashmë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit), kompania ka kontribuar në finalizimin e fazës përgatitore të një marrëveshjeje prej 2 milion euro, një bashkëfinancim midis Komisionit Europian dhe Qeverisë së Shqipërisë ne kuadër të projektit Digital Innovation Unit (DIU), që hap rrugë për aktivitete dhe iniciative konkrete në fushën e inovacionit dhe transformimit digjital.
Në të njëjtën kohë, Brain Nest ka asistuar edhe Agjencinë Kombëtare të Rinise në finalizimin e grantit prej 1.5 milion euro, të dedikuar sektorit rinor, si pjesë e Skemës së Garancisë Rinore për Shqipërinë. Dy projekte që nuk janë vetëm numra, por themele të rëndësishme të një zhvillimi më të gjerë social dhe ekonomik.
Përveç tyre, kompania ka mbështetur rreth 15 klientë të tjerë në aplikime, menaxhim dhe zbatim projektesh financuar nga donatorë të ndryshëm lokalë, kombëtarë e rajonalë, me një total fondesh të fituara prej rreth 250,000 euro.
Një tjetër iniciativë e rëndësishme, është krijimi i Brain Nest Community, një komunitet i dedikuar menaxhimit të projekteve, profesionistëve aktiv, profesionistëve të rinj, stafe teknike dhe drejtuese të projekteve zhvillimore, me synim krijimin e një rrjeti ndërkombetar profesionistësh të anarëuar dhe dedikuar këtij sektori.
Këto rezultate tregojnë se Brain Nest ka fituar jo vetëm klientë, por besim. Ka fituar respekt si partner strategjik. Ka dëshmuar se puna cilësore sjell impakt të shumefishuar, jo vetëm për vetë përfituesit, por edhe për aktorët e tjerë të shoqërisë.
Si e shohim të ardhmen: zgjerim, angazhim dhe ndërtim kapacitetesh
Hapi i radhës për Brain Nest Consulting është i qartë: rritje dhe zgjerim. Aktualisht po punojmë për hapjen e 2 filialeve të reja, një në Europë dhe një në Dubai, duke e shndërruar modelin tonë të biznesit në një markë ndërkombëtare. Aktualisht puna ka nisur dhe jemi duke ndertuar marredhenie strategjike me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Por zgjerimi gjeografik është vetëm një pjesë e vizionit.
Synimi kryesor është të krijohen breza të rinj profesionistësh të aftë të aplikojnë, menaxhojnë dhe zbatojnë projekte të standardeve europiane. Të kuptojnë mekanizmat e fondeve, të formësojnë iniciativa të reja zhvillimi dhe të rrisin konkurrueshmërinë e aktorëve vendas. Dhe per ne, ky vizion nuk është ambicie, por një domosdoshmëri për një treg që po ndryshon me ritme të shpejta.
Partneritete që ndërtojnë sisteme, jo thjesht bashkëpunime
Brain Nest është në proces të krijimit të një rrjeti të gjerë partneritetesh me institucione, biznese, universitete dhe organizata. Qëllimi është ngritja e kapaciteteve dhe krijimi i departamenteve të qëndrueshme të projekteve brenda çdo njësie që kërkon të rritet me standarde europiane. Këto partneritete tregojnë se kompania nuk po ofron vetëm shërbime, por po ndërton struktura që mbeten dhe funksionojnë edhe përtej projekteve aktive.
NomadTech, momenti kur vizioni u takua me teknologjinë
Falë NomadTech, Brain Nest është gati të nisë një nga iniciativat e saj më ambicioze: Brain Nest Platform, një hapësirë digjitale e integruar “one-stop-shop” që bashkon inteligjencën artificiale, e-learning dhe menaxhimin e projekteve në 360 gradë.
Është platforma që do t’u japë profesionistëve të rinj mjetet që themeluesja e saj nuk i pati në fillim të karrierës së saj dhe që sot dëshiron t’ua ofrojë brezave të ardhshëm në një formë të modernizuar dhe të aksesueshme.
Vizioni afatgjatë: trashëgimia që duam të lëmë
Në thelb, Brain Nest Consulting synon të krijojë një trashëgimi që nuk matet vetëm me projektet e fituara, por me mundësitë që krijon, me kapacitetet që ngre, me aktorët që ndihmon të rriten, me fondet që gjeneron për vendin dhe me konkurrueshmërinë që krijon për Shqipërinë dhe rajonin. Trashëgimia jonë është tek brezat që do të kenë më shumë mundësi, më shumë dije dhe më shumë aftësi për të qenë pjesë dinjitoze e tregut europian dhe global. Kjo është historia që po shkruajmë dhe kjo është arsyeja pse lindi Brain Nest.
Kjo është mënyra se si duam të kujtohemi: si forca që i dha strukturë vizionit, dhe i hapi derën një të ardhmeje më të sigurt për aktorët shqiptarë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.