Qeveria shqiptare ka shpallur ambiciet e saj për të përdorur një nga teknologjitë më inovative dhe bashkëkohore në botën e digjitalizimit, atë të Blockchain, (Zinxhiri i Blloqeve).
Blockchain është një sistem, i cili përfshin një seri blloqesh, mbi të cilën shkruhen të gjitha transaksionet që ndodhin mes portofoleve të ndryshme digjitale dhe që janë të hapura për të gjithë. I vetmi ndryshim është që Zinxhiri i Blloqeve nuk varet nga një autoritet qëndror, por janë një seri kompjuterësh të lidhura në sistem. Janë këto kompjutera, të cilët nevojiten për të verifikuar transaksionet që ndodhin mes palëve të ndryshme. Kjo është një nga veçoritë kryesore, për të cilën njerëzit, por edhe institucione mjaft serioze dhe të besueshme vazhdojnë të investojnë në kriptomonedha. Kjo pasi teknologjia pritet të ndryshojë përgjithmonë sektorin e shërbimeve financiare.
Por, ky nuk është i vetmi sektor në të cilën Blockchain pritet të sjellë një ndryshim kolosal. Kjo teknologji inovative, sipas disa qeverive nëpër botë, po eksperimentohet për t’u futur edhe në sistemin e Kadastrës. Një nga qeveritë që ka shpallur edhe ambiciet e saj është qeveria shqiptare, më saktë AKSHI (Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit), i cili pritet të ndërmarrë një hap të madh në këtë drejtim. Synimi është që çdo qytetar, certifikatën e tij të pronësisë ta ketë vetëm një klik larg nga telefoni i tij.
Eksperti i teknologjisë së kriptomonedhave, Dorian Kane u shpreh se është e mundur që kjo teknologji të përdoret për të zhvilluar më tej sistemin elektronik të pronave në Kadastër.
Sipas tij, kjo mund të arrihet në një mënyrë, ku çdo metër katror pronë që një qytetar do të zotërojë do të jetë e barasvlefshme me një token digjital, i cili do të ketë një vlerë fikse dhe të qëndrueshme. Më pas sipas tij, në momentin kur qytetarët do duan të bëjnë një transaksion, të shesin apo blejnë një pronë, do jetë një kërkesë për verifikim që do t’i dërgohet qeverisë, e cila nëpërmjet një sistemi elektronik bën të mundur dhënien e konfirmimit se dy portofolet digjitale ekzistojnë, dhe më pas palët transferojnë tokenat tek njëri-tjetri.
Artikulli u publikua më parë në faqen 78 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Sipas tij këto tokena do të ruhen në një portofol digjital, së bashku me një fjalëkalim i njohur vetëm nga zotëruesi, ndërsa për këto fjalëkalime do të ketë edhe një sistem mbështetës nga qeveria, që do t’i mbajë të arkivuar të gjitha. Vlera e pronave do të përcaktohet si në kushtet aktuale të tregut me çmime reference.
Janë disa vende nëpër botë, shprehet Doriani, që po vijojnë të eksperimentojnë me këtë teknologji në Afrikën e Jugut dhe në vende të tjera. Sipas tij, që sistemi të ngrihet nga qeveria do të nevojiten minimalisht tre vite.
Mirëpo, përdorimi i kësaj teknologjie ka hapur debate të mëdha në komunitetin e ekspertëve të teknologjisë. Disa prej tyre besojnë se është e pamundur.
Akil Rajdho, ekspert i Teknologjisë së Informacionit gjithashtu mendon se është e mundur që Blockchain të implementohet në sistemin e Kadastrës:
“Përdorimi i blockchain në sistemin e kadastrës dhe pasurive të paluajtshme është një nga fushat ku kjo teknologji po gjen përdorim të gjerë. Problemet me pronat janë një nga problemet që nuk ka reshtur kurrë sjelljen e konflikteve, shpesh herë dhe me pasoja fatale në Shqipëri. Sipas mendimit tim implementimi i “Blockchain” në sistemin e Kadastrës zgjidh në mënyrë definitive problemin me integritetin e të dhënave dhe shmang në mënyrë kategorike modifikimin e pa autorizuar të të dhënave nga një administrator sistemi, pa lënë gjurmë të dukshme për veprimet e kryera. Sigurisht që implementimi i Blockchain në Kadastër bën sens nëse implementohet siç duhet, pra të zhvillohet një Blockchain privat dhe të ketë të paktën 25-30 servera që shërbejnë për ruajtjen e blloqeve të informacionit të shpërndarë në institucione të ndryshme qeveritare. Me këtë nënkuptojmë që serverat që marrin pjesë në infrastrukturë te mos jenë në të njëjtin vend fizik, pra të mos bëhen kollaj të aksesueshëm nga dikush.
Megjithëse implementimi i kësaj teknologjie do të sillte shumë debate nga ana e ekspertëve, përsa u përket kostove të sistemit apo performancës do të kishte ulje të theksuar krahasuar me sistemin aktual. Kujtojmë që benefiti kryesor është dhe do të mbetet integriteti i të dhënave. Ukraina është një nga vendet të cilat kanë implementuar këtë teknologji në sistemin e Kadastrës. Ndërsa shtete të tjera, po implementojnë këtë teknologji në sistemin arsimor, në ruajtjen e dokumenteve të identitetit, në gjurmimin e origjinës së ushqimeve etj. Implementimi i Blockchain, i hap rrugë gjithashtu edhe implementimit të smart-contracts (kontratave të zgjuara), ku me mbështetjen e legjislacionit të duhur, individët do të mund të shesin apo transferojnë pronat e tyre pa nevojën e një noteri.” – e mbyll Rajdho mendimin e tij.
Lexo: Më shumë se 320 milionë dollarë janë vjedhur në hakimin më të fundit të kriptove
Por, eksperti i IT, Remion Bacova, ka një mendim komplet të kundërt me dy kolegët e tij. Sipas tij, implementimi i kësaj teknologjie është shumë i kushtueshëm, i nxituar dhe nuk zgjidh problemet e pronës. Ai shtron edhe disa pyetje për të sqaruar pozicionin e tij:
“Blockchain është një teknologji e re mbi databazat e shpërndara, ku asnjë mbajtës i të dhënave nuk cilësohet burim i saktë për sa kohë përgjigjia e tij nuk është e barabartë me 51% të mbajtësve të tjerë. Unë, si ekspert i Teknologjisë së Informacionit shtroj disa pyetje në këtë aspekt:
- Kush do jenë bartësit e tjerë të të dhënave përveç Institucionit të Kadastrës?
- Sa është kostoja që këto të dhëna të replikohen në disa bartës?
- Kërkimi (Query) mbi një bazë të tillë të të dhënave është shumë i ngadaltë. Pra, për vërtetimin e një kërkimi në databaza të tilla të shpërndara si Etherium apo Bitcoin është mbi 60 sekonda. A nevojitet një gjë e tillë për një bazë të dhënash shërbimi?
- Pa hyrë në pjesën teknike për të pyetur se si do bëhet identifikimi unik tashmë i qytetareve, pasi dhe ajo çfarë ishte unike (NID) është bërë publike…
Pra, nuk duhet bërë pyetja a është e realizueshme, pasi çdo teknologji mundëson gjithçka, por me çfarë kostosh dhe për çfarë arsyesh? Meqenëse ky inovacion u prezantua pikërisht në periudhën e daljes masive të të dhënave mund të mendojmë se është sjellë si inovacion për mbrojtjen e të dhënave. Por, cilat të dhëna po mbrohen në këtë mënyrë dhe me çfarë kostoje? Ju rikujtoj që në të dhënat e dala kemi dhe adresat dhe vendbanimet e qytetarëve. Duke u nisur nga fakti qe 70% e qytetarëve shqiptare kane adresa shtëpitë në pronësi të tyre atëherë mund të deduktojmë që 70% e te dhënave te kadastrës kanë dalë. Pasi është shume e kollajtë me këto te dhëna të gjeni adresën time për shembull dhe te verifikoni fizikisht çfarë apartamenti kam unë në pronësi. Lind pyetja çfarë të dhënash po mbrohen dhe me çfarë kostoje?
A mendoni se është hap i nxituar ky inovacion?
Mendoj që ky inovacion është, jo vetëm i panevojshëm, për arsyet e përmendura më sipër, kosto në vlerë monetare, kosto në shfrytëzim dhe kosto në mirëmbajtje. Mendoj se është përdorur blockchain si një shashkë për të hequr vëmendjen nga rrjedhja e të dhënave.
Artikulli u publikua më parë në faqen 78 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.